Zonja K. tregon pse jeta si “Beqare” mund të jetë më e mirë

Ju do të thoni me të qeshur, “po na jep mend tani që je martuar”, apo “s’të pëlqen më jeta bashkëshortore?” Jo, nuk dua të flas për këtë. Unë zotin K. e dua dhe jeta me të ka qënë me uljet dhe ngritjet e saj. Por dua t’ua përkushtoj këtë artikull atyre që janë beqarë tani.

Nëse jeni beqarë për momentin nuk do të thotë se jeni të vetmuar. Nuk ka rëndësi nëse keni qenë gjithmonë beqarë apo sapo jeni çliruar nga një lidhje.

Ajo çka shqetëson të rinjtë, është pa dyshim çukitja me shumë pyetje pushtuese nga miqtë dhe anëtarët e familjes për t’u lidhur me dikë. Edhe pse familja dhe miqtë dashamirës e kanë për të mirën tuaj, ju mund të bëni jetë solitare dhe prapë të ndiheni të lumtur. Atëherë, dua të dal tek motoja e jetës se është më mirë të jesh beqar sesa të humbasësh jetën me personin e gabuar. Dhe kjo mund të jetë një përgjigje që mund ta përdorni me ata të cilët ju krijojnë presione të vazhdueshme për t’u lidhur me pahir.

Presioni i vazhdueshëm për t’u martuar

Normat e shoqërisë shqiptare (dhe jo vetëm) dhe rolet gjinore kanë evoluar ngadalë gjatë shekujve të kaluar. Në të kaluarën, burrat dhe gratë mbanin rolet tradicionale që priteshin nga shoqëria. Burrat mësonin një zanat ose studionin për arsim për të punuar dhe për të siguruar për gruan dhe familjen.

Presioni nuk ishte aq i ashpër për burrat beqarë. Madje, beqaria shpesh shihej si një simbol i prestigjit. Por në rangje më të larta të shoqërisë, burrave iu bëhej presion të martoheshin për të prodhuar një trashëgimtar mashkull që të mbarte emrin e familjes.

Në shumicën e kulturave perëndimore qe fundi i Luftës së II Botërore ai që ndezi shkëndijat e ndryshimit dhe më pas arriti kulmin e revolucionit gjinor të viteve 1960. Në Shqipëri ky revolucion ndodhi pas ardhjes së demokracisë, shumë gra beqare e donin ndjenjën e lirisë dhe panë që ato mund të lulëzonin dhe të ishin të lumtura duke jetuar vetëm. Gjatë kësaj kohe mes ndryshimit të kulturave dhe shmangjes së kërkesës për t’u martuar sa më herët, më shumë të rinj vendosnin vetë se mund të kishin një të dashur pa u martuar dhe që mund të jetonin bashkë në të njëjtën shtëpi.

Ndërkohë, gratë filluan të fitonin më shumë punë në fusha tradicionalisht të dominuara nga meshkujt por të suksesshme. Ato themeluan bizneset e tyre dhe udhëtuan nëpër botë vetë, dhe pak a shumë patën arritje mbresëlënëse edhe si gra beqare në karrierë.

Pavarësisht grua apo burrë, ju jeni personi që duhet të vendosni për liritë dhe të drejtat tuaja. Të dashurit (apo dashnorët) mund të jenë plotësues për momentin, por kini parasysh se ju nuk keni nevojë që dikush t’ju plotësojë. Në fund të fundit, të qënurit beqar ju shkakton ndonjë dëm psikologjik, apo ju jep ndonjë përfitim?

Për të bërë një jetë të shëndetshme duhet të keni ndërveprime shoqërore, por a është e nevojshme të jetoni me të tjerët për ta bërë këtë? Varet vetëm nga personi. Për këtë po ju jap disa përfitime të mundshme të jetës “solo”.

  1. Rrregullat i vendos ti (vetë)

Ju ka ndodhur kur ishit fëmijë në shtëpi dhe mezi prisnit të rriteshit dhe të krijonit rregullat e shtëpisë tuaj? Beqaria ju jep privilegjin të vendosni rregullat pa i dhënë llogari askujt tjetër. Ju mund të jeni sqimëtar ose shumë të relaksuar në masën që doni vetë.

Nëse doni të dilni e të rrini jashtë gjithë natën të premten dhe të flini ditën e shtunë, ju e keni atë mundësi. Ju nuk keni askënd që t’ju presë ose t’ju tregojë se çfarë duhet ose nuk duhet të bëni. Nëse doni të keni një natë me një mik/mikeshë të veçantë, kjo varet nga ju.

  1. Më shumë Hapësirë personale

Një gjë tjetër fantastike kur jetoni vetëm, është ajo që nuk duhet të shqetësoheni për ndarjen e hapësirës me të tjerët. Vetëm imagjinoni sa e mrekullueshme do të ishte nëse e gjithë hapësira e dollapit do të ishte e juaja. Nuk do të ketë asnjë argument se kush e merr raftin e sipërm dhe kush merr atë të poshtëm.

Plus, banjo do të jetë gjithmonë e disponueshme dhe nuk do të duhet të presësh në radhë. Ju mund të bëni banja/apo dushe të qeta pa dikë që të trokasë në derë. Do të keni gjithë ujin e nxehtë për vete, peshqirë të freskët dhe vend për të gjitha tualetet tuaja.

  1. Dekori i shtëpisë sipas mënyrës tënde

Këtu më shumë përfitues janë djemtë, mendoj unë. Pasi vajzat zakonisht vendosin mbi dekorin e shtëpisë si kur janë vetëm ashtu edhe në lidhje. Ndaj djemtë më në fund kanë të gjithë të drejtën e zotit të vendosin vetë për televizorin gjigand dhe kolltukun me lëkurë të zezë dhe asnjë dekor nëpër mure (kjo është më e zakonshmja, pasi ka dhe djem që kanë më shumë gusto se kaq).

Por jeta në çift është ndryshe për këtë temë. Edhe çiftet më të përkushtuar që jetojnë së bashku mund të sherrosen se si të dekorojnë pjesën e jashtme dhe të brendshme të shtëpisë së tyre. Mund të jetë irrituese të jetosh me dikë që ka shije krejtësisht të ndryshme në dekor nga ju, dhe duhet të bëni vazhdimisht kompromise.

Po sikur të keni ëndërruar gjithmonë për një temë minimaliste, dhe partneri juaj është një grumbullues eklektik sendesh? Atëherë, beqaria ju jep lirinë për ta zbukuruar vendin tuaj në mënyrën që ju doni. Nuk keni nevojë të bëni kompromis ose të lini hapësirë për gjërat e dikujt tjetër. Ju mund të ndryshoni ngjyrat dhe stilet në çdo kohë që dëshironi pa kërkuar mendimin e dikujt.

  1. Nuk keni rraqet e të tjerëve nëpër këmbë

Një nga ankesat më të mëdha të njerëzve që bashkëjetojnë është momenti kur duhet të pastrojnë rrëmujën e njëri -tjetrit. Njëri është fanatik pastërtie dhe tjetri një rrëmujaxhi i tmerrshëm. Njëri mjeshtër në kuzhinë, tjetri horror dhe rrëzon çdo gjë mbi banak.

Kurse, kur banon vetëm, rrëmuja e vetme që do të pastroni do të jetë e juaja. Nuk do merreni më me peshqirët e lagur që hidhen në dyshemenë e banjës ose të mblidhni kanaçet e birrës të rreshtuara në tryezën e mesit. Në dhomën e gjumit nuk do të ketë më grumbuj rrobash të pista, ose tufa enësh të papastruara në lavaman.

Por nëse jetoni vetëm, nuk keni nevojë të shqetësoheni për të larë pjatat kur mbaron darka. Nuk do të keni nevojë t’i jepni llogari askujt nëse nuk doni të rregulloni shtratin tuaj në mëngjes.

  1. Telekomanda është e juaja

Një nga zënkat mes Zotit K dhe meje është momenti kur unë jam duke parë shfaqjen time të preferuar (sigurisht serialet e reja më trendy në Netflix), dhe Zoti K. vjen direkt nga jashtë (puna ose ndonjë kafe e vonë me mikeshat e tij) dhe rrëmben telekomandën për të parë filmat e tij me luftra, ose garat e Formula 1. Zgjedhjet e shfaqjeve televizive shpesh mund të jenë tema grindjeje për ata që bashkëjetojnë.

Kur jeni beqarë, ju jeni sundimtari i telekomandës dhe mund të shikoni atë që dëshironi dhe kur të doni. Gjithashtu, mund të shijoni një kohë të qetë pa ndokënd që i bërtet televizorit (a thua dëgjon portieri matanë ekranit). Gjithashtu, ju keni kontroll mbi stereon dhe teknologji të tjera në hapësirën tuaj.

  1. Luftrat me kondicionerin

A ju ndodh që ju keni ftohtë dhe keni ndezur pak ngrohjen dhe partneri juaj me natyrë të vaposur ul direkt temperaturën/ fik kondicionerin, ose anasjelltas? Zoti K. më çmend për këtë sa herë. Nuk gjejmë dot një temperaturë të përbashkët diku në mes. Dhe përfundojmë me idetë që për të fjetur mirë një natë, mundësisht të përfshijë një mal me batanije të ngrohta (dimër sigurisht), ndërsa partneri mund të preferojë vetëm një çarçaf sipër.

Nëse jeni beqarë, ju gjithashtu mund të hapni dritaret dhe dyert, kondicionerët sipas dëshirës tuaj. Nuk ka shqetësime ose kompromise mbi temperaturat kur jetoni vetëm.

  1. Dilemat për kafshët shtëpiake

Nëse jetoni vetëm, ju zgjidhni për kafshët shtëpiake. Ju mund të keni një mace ose qen, ose një kafshë tjetër për t’ju mbajtur shoqëri. Nëse keni alergji ose nuk jeni person i përkëdhelur, nuk keni dikë që këmbëngul për cilën kafshë ose jo të keni pranë.

  1. Kursimet

Njerëzit që janë të martuar ose jetojnë së bashku mund të kursejnë para më shumë sepse kanë dy të ardhura në shtëpi. Sidoqoftë, kostoja e shërbimeve për ngrohje dhe ujë (dhe konsume të tjera) rritet më shumë kur janë dy ose më shumë njerëz në një shtëpi. Nëse jetoni vetëm, faturat tuaja mund të jenë më të ulëta dhe ju mund të kurseni paratë tuaja për gjëra të tjera thelbësore.

Të jetosh vetëm nuk do të thotë që je duke shmangur shoqërinë ose nuk je i/e interesuar për dashurinë. Mund të shijoni një jetë plot dashuri dhe rreth shoqëror pa sakrifikuar hapësirën tuaj private. Të qënurit beqar mund t’ju japë paqen dhe qetësinë që dëshironi, dhe ju mund t’i ftoni njerëzit t’ju vizitojnë sipas dëshirës tuaj.

Por, derisa ta gjeni atë partnerin e veçantë, mos bëni kompromise. Shijojeni këtë kohë, të qënurit beqar mund të jetë një përvojë individuale pasuruese për të gjetur vetveten tuaj.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here