Erl Kodra replikon me Fatos Lubonjën.

Replikë me Fatos Lubonja
Nga Erl Kodra

Fatos Lubonja shkruan se opozita do të ishte mirë “…të punonte për mbështetje popullore deri më 2021 dhe të ngulmonte te ndërkombëtarët se çelja e negociatave nuk i shërben popullit shqiptar, por mbështetjes së një regjimi (që po bëhet gjithnjë e më i egër), i të cilit ata nuk pranojnë të bëhen fasadë”.

Ndërsa po lexoja shkrimin e Fatos Lubonjës me titull “Marrëveshja si akt bindjeje ndaj sistemit nën diktatin e ndërkombëtarëve” (exit.al, 18 Janar 2020, gazetaexpress dhe shumë media të tjera) më ra në sy një kontradiktë e thellë mes logjikës së argumentave mbi të cilat ishte ngritur arsyetimi, dhe përfundimeve të nxjerra nga ai. Jo pa qëllim, në fillim unë citova fjalë për fjalë paragrafin kryesor të përfundimeve të Lubonjës, i cili në thelb ngjanë krejt i çuditshëm si përfundim deduktiv, ashtu siç pretendon autori. Po shpjegohem.

Kriza e thellë politike që ka përfshirë Shqipërinë, mund të përkufizohet në këto pika kryesore, për të cilat nuk ka kundërshtim as Lubonja, as Ylli Rakipi, Artur Zheji, ose ta zëmë, Andi Bushati.

a) Edi Rama ka uzurpuar të gjitha pushtetet; politike, ekonomike, mediatike, ligjore dhe kushtetuese. Qeverisja e vendit është produkt i vullnetit personal të Edi Ramës, të një individi me mungesa të theksuara morale. Kjo do të thotë se institucionet e pavarura nuk ekzistojnë de fakto, megjithse formalisht Shqipëria është një demokraci parlamentare.

b) Edi Rama formalisht, me mënyrat e tij të njohura tashmë, mund të “fitojë” çdo palë zgjedhje që do të zhvilloheshin në Shqipëri, në çdo kohë, pavarësisht formës së sistemit zgjedhor dhe kontrollit të opozitës. Po ashtu, Edi Rama nuk mund të rrëzohet me protesta popullore, por vetëm me kryengritje popullore.

Në këtë kuptim, çfarë mund të bënte ose çfarë mund të bëjë ndryshe opozita shqiptare, në mënyrë që të largojë Edi Ramën nga pushteti i betonuar?

Sipas meje, teorikisht janë dy mundësi, por praktikisht, ka vetëm një mundësi. Në fillim po shtjelloj mundësinë e parë teorike, sepse, sipas meje, mundësia e dytë praktike është duke ndodhur.

Mundësia e parë (teorike):

Opozita shqiptare i kthehet radikalizmit, domethënë, radikalizmit të egër. Protestat e vitit të kaluar mund të ishin kthyer lehtësisht në përplasje të ashpër me qeverinë, deri në kryengritje të armatosur. Në fakt Andi Bushati, Fatos Lubonja, por edhe opinionistë të tjerë të majtë kanë qenë për radikalizimin e protestave, në përplasje të ashpër me qeverinë, e cila edhe ashtu nuk u përmbajt për asnjë moment në përdorimin e mjeteve represive ushtarake, siç është gazi lotësjellës. Pyetja është; a mund të fitohet një pushtet nëpërmjet kryengritjes së armatosur? A mund të ndodhë kjo në Shqipëri, dhe mbi të gjitha, a është në gjendje popullsia shqiptare që të përjetojë edhe njëherë një destabilizim të përmasave të tilla? Besoj se kjo pyetje nuk ka nevojë për përgjigje.

Mundësia e dytë praktike (që është duke ndodhur realisht):

Opozita shqiptare nuk pranon të jetë fasadë e një qeverisje formale ligjore, që në fakt ka pezulluar çdo alternativë demokratike, që ka dëmtuar thellësisht interesat e vendit, ka rrezikuar interesat kombëtare të qytetarëve, por edhe interesat kombëtare të shqiptarëve në rajon. Kështu, opozita dorëzon mandatet parlamentare, denoncon me forcë çdo akt anti-ligjor, anti-demokratik, si dhe çdo krim tjetër mafioz të “qeverisë”, duke identifikuar Edi Ramën gangsterin-mafioz që ka marrë peng të ardhmen e vendit.

Aksioni i opozitës është në kufinjtë e legjitimitetit, domethënë, ajo sakrifikon shumë nga vetja, çdo lloj pushteti politik, pushtet qëndror dhe pushtet lokal, duke ndërgjegjësuar faktorin ndërkombëtar për gjendjen reale të vendit, si dhe duke ia hequr maskën mashtruese një individi që nuk di të ndalet para asgjëje. Në të vërtetë, kjo ishte e vetmja mundësi për opozitën shqiptare, domethënë, e vetmja rrugë reale për të fituar realisht mbi Edi Ramën.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se rrëzimi nëpërmjet revolucionit, ose kryengritjeve popullore nuk është i mundur. Të gjithë e dimë, se revolucionet kanë qenë karakteristikë e shekujve të kaluar. Të fundit revolucione në botë ndodhën në botën arabe, dhe të gjithë jemi dëshmitarë se çka po ngjanë me ato vende. Kjo nuk mund të ndodhë në Shqipëri. Në këto rrethana, opozita shqiptare kishte vetëm një mundësi; të luante nëpërmjet dhe në kufi të legjitimitetit, duke ndërgjegjësuar kështu faktorin ndërkombëtar për rrethanat serioze dhe të rrezikshme në të cilat gjendet vendi, si rezultat i qeverisjes së Edi Ramës.

Është e qartë se ndërgjegjësimi i faktorit ndërkombëtar, kryesisht Gjermanisë dhe SHBA-ve ka ndodhur. Ata tashmë janë plotësisht të qartë se kush është dhe çfarë përfaqëson ai, si dhe për interesa të kujt punon. Në këtë kuptim, tashmë nuk ka asnjë dilemë. Misioni i opozitës po përmbushet, nëpërmjet një kostoje minimale në fakt. Po e shpjegoj edhe këtë, pse është kosto minimale.

Opozita mund të bënte lëvizje radikale, deri në akte të forta të mosbindjes cilvile, të cilat mund të destabilizonin vendin, edhe ashtu në gjendje të vështirë ekonomike. Kriminalizimi i shoqërisë ka marrë përmasa të mëdha, gjë e cila do të rezultonte fatale në kushtet e një destabilizimi të thellë. Por mbi të gjitha, shqiptarët nuk mund t’a përballonin edhe një krizë të thellë si ajo e 97-tës. Kjo do të thotë, se djegia e mandateve parlamentare, sakrifikimi i pushtetit të opozitës, gjithsesi është një kosto shumë më e vogël se sa kryengritja popullore, që edhe po të ndodhte, nuk do të sillte ndonjë dobi.

Opozita shqiptare e pati moralin të sakrifikonte nga vetja, dhe jo nga populli shqiptar. Për më tepër, një radikalizim i tillë, me siguri do të përligjte çdo represion të qeverisë kundër opozitarëve, gjë e cila do të sillte rreziqe të tjera në një plan shumë afatgjatë për demokracinë shqiptare.

Çfarë ndodhi realisht me opozitën? Pse u kthye ajo në dialog për reformën zgjedhore, dhe cilat janë garancitë se Edi Rama do të largohet nga pushteti me votë?

Garancia se ndryshimi do të ndodhë është vet Shqipëria dhe faktori shqiptar në Ballkan. SHBA-të dhe Gjermania janë garancia e demokracisë shqiptare. Tashmë ata e kanë të qartë se kush është Edi Rama, çka përfaqëson ai, dhe sa i rrezikshëm është për të ardhmen e faktorit shqiptar në Ballkan.

Pas reformës zgjedhore, e cila do të kryhet nga Këshilli Politik do të ketë zgjedhje të reja. Me siguri Edi Rama do të humbasë thellë. Nëse ndodhë ndryshe, domethënë nëse ai tenton të blejë zgjedhjet në çfarëdo lloj forme, me siguri një “fitore” e tillë nuk do të njihet nga faktori ndërkombëtar. Në atë rast, opozita mund ta “marrë leje” ta rrëzojë me forcë Edi Ramën, edhe nëpërmjet destabilizimit.

Denigrimi i opozitës është një punë interesante. Të “këshillosh” opozitën që të dalë kundër parimeve themelore demokratike, është e papranueshme. Opozita nuk mund t’i kërkojë Bashkimit Europian që të mos i hapë negociatat me Shqipërinë, sepse tek e fundit, kjo do të ishte kundër parimit themelor mbi të cilin është ngritur Partia Demokratike.

Opozita ka një detyrë të rëndë; të menaxhojë një luftë të heshtur dhe të ndyrë. Në të vërtetë, opozita gjendet nën sulmet e paprincipta të një makinerie të frikshme propagande dhe denigrimi. Media, portale, televizione, opinionistë, organizata të Shoqërisë Civile, deputetë me mandate të dhuruara nga Edi Rama, individë pa principe morale, i janë sulur egër opozitës. Të gjithë i bien të njëjtit refren: denigrimit të opozitës shqiptare nëpërmjet shpifjes dhe manipulimit të opinionit publik. Së fundmi, analistë të ndryshëm, në dukje kundër Edi Ramës, pikërisht në kohën që po afrohet largimi real nga pushteti, i “kërkojnë” opozitës braktisjen e mundësisë së vetme për t’a mposhtur atë.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here