Nga Agim Xhafka: Erionët e rrugës dhe Veliaj i bashkisë.

Sot u nisa drejt Korçës. Në mëngjes sapo i thashë mirëutakofshim rojes së garazhit më ze rrugën një makinë e Laçit. Bëhu pak më anash,i thashë ,sa të kaloj. Më pa sikur isha vrasësi i babait të tij. Mos bëj fjalë,të lutem,më tha gruaja. Po zjeja,por heshta. Prita e pas plot 6 minutash erdhi e dashura e tij,vendosi një tufë me tulipanë prapa,përplasi derën e ata u nisën. Ne pas tyre.
Në tunelin e Qafë Krrabës rradhë e madhe makinash. Kishte aksident para.U futëm dhe ne në atë varg. Kur anash si predhë kalon një benz i madh e na del i pari. Nuk durova,hapa derën e i bërtita policit. Por ai as më ktheu kokën. Një burrë ngjitur me makinën time më këshilloi të mos merrem me mafiozët. Hyra në makinë..
Ecëm rehat deri te Qafa e Thanës. Aty ka plot lavazhe. Një çun i ri mbante një zorrë uji në dorë e lagte gjithë makinat që kalonin. E kishte si ftesë për t’u larë. I rashë borijes,i bërtita ta largonte ujin,por tamam në fund të fjalisë ma hodhi m’u para xhamit të parë. Ndalova e desha të zbrisja,kur m’ua frua një çun,shoku i vet e më tha lere se ka pirë ca dopjo raki. Heshta,ika përpara.
Në rrugën para Maliqit më parakalon një fuoristradë,tamam atje ku tabela e ndalon,por për fat të keq atij para i del një maune e s’kish ku të shkonte,ngjitet me mua. U shmanga,gati dola nga rruga. U nxeha,por nuk i fola se iku si predhë e më la glasën.
Ndëkohë në radio dëgjoj se u rrit çmimi i ujit në Tiranë.
– Çfarë populli jemi kështu? Ujë s’kemi e çmimin e rritin. Veliaj as që merr mundimin të bëjë transparencë të problemit.Jemi pasivë sa më s’ka ,- foli gruaja. Dukej plot nerva.
Aty nuk durova më,fola,por ama i nxehur.
-Pasivin gjithkush ta kërkojë te vetja,- ia nisa.- Katër Erionë na e nxinë jetën sot. Sa u nisëm një Erion na zuri rrugën. Hesht,më the. Në tunel na hyri një Erion pa rradhë. Lere se është i mafies,më tha dikush. Një Erion na lagu me zorrë uji . Heshtëm se ishte i dehur. Tani Erioni i fuoristradës për pak na çoi në Sharrë e nuk ndaloi as të na shihte se mos kishim nevojë për mjek. Kështu jemi si popull. I vemë drynin gojës e Erionët bëhen bashkë,prodhojnë Veliajn që rriti taksat,shtrenjtoi biletën e urbanit ,shtoi për pensionistët një pagesë që e quan shkollore,po rrjep troje e po jep leje për kulla. Quan qenër e shpellarë të gjithë ata që duan informacion për aferat e tij.Askush nuk u ngrit,askush nuk foli se sharra nuk na ka mberritur ende në kockë. Por po e hëngrëm këtë herë atëhere bast që ai do na shesë dhe ajrin që thithim. E do na i quajë oksigjen i pylli orbital,jo helm Tirane.
Doja të vazhdoja,por e pashë që po grija kot. Ajo kishte vënë kufjet e dëgjonte Rita Orën. Bjeri legenit byrazer,i dhashë zemër vetes. E i rashë borijes kot,fare kot. Rruga ishte e lirë. Po hyja në Korcën time…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here