Gjermania rrezikonte nga një grusht i mundshëm shteti: arrestohen 25 persona të dyshuar

Shumë prej të arrestuarve kishin trajnime ushtarake dhe besohej se i përkisnin një grupi të formuar së fundmi, i cili vepronte me bindjen se vendi drejtohej nga një “shtet i thellë”.

Forcat speciale në Gjermani kanë arrestuar 25 persona të dyshuar për mbështetje të një organizate terroriste vendase që planifikonte të përmbyste qeverinë dhe të formonte shtetin e saj, tha të mërkurën prokurori federal.

Në bastisjet e mëngjesit të hershëm të kryera në të gjithë vendin, rreth 3,000 policë dhe oficerë të Forcave Speciale arrestuan njerëz që besohet se ishin anëtarë dhe mbështetës të grupit, për të cilin prokurorët thanë se ishte formuar vitin e kaluar dhe po vepronte me bindjen se “Gjermania është aktualisht e qeverisur nga anëtarët e të ashtuquajturit shtet i thellë” që duhej të rrëzohej. Prokurorët thanë se dy persona të tjerë ishin arrestuar jashtë Gjermanisë, një në Austri dhe një tjetër në Itali.

Midis të arrestuarve ishte një anëtar i partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, i cili kishte shërbyer në Parlamentin gjerman, një anëtar i fisnikërisë gjermane dhe një shtetas rus i akuzuar për mbështetje të planeve të grupit. Prokurorët federalë thanë se po hetonin gjithsej 52 të dyshuar.

Planet e grupit përfshinin një sulm të armatosur në ndërtesën e Parlamentit Gjerman, të njohur si Reichstag, thanë prokurorët, dhe anëtarët kishin organizuar trajnime për armë dhe kishin tentuar të rekrutonin personel nga shërbimet gjermane të sigurisë. Prokurorët shtuan se anëtarët e grupit kishin formuar gjithashtu një lloj qeverie në hije që synonin ta instalonin nëse planet e tyre ishin të suksesshme. Megjithatë, mbetet e paqartë se sa afër ishin ata për të vepruar në këto ambicie.

Prokurorët e përshkruan grupin, të cilin ata nuk e identifikuan, si të ndikuar nga ideologjitë e grupit konspirativ QAnon dhe një grupi konspirativ gjerman të krahut të djathtë të quajtur Reichsbürger, ose Qytetarët e Rajhut, i cili beson se Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore republika nuk është një vend sovran, por një korporatë e krijuar nga aleatët fitimtarë.

Shumë nga të arrestuarit kishin trajnime ushtarake dhe përfshinin ish-ushtarë gjermanë, përfshirë nga ushtria e ish-Gjermanisë Lindore, dhe dihej se ishin të armatosur rëndë me armë të blera ilegalisht. Grupi ka shumë të ngjarë të jetë formuar në fund të vitit 2021, thanë prokurorët.

Qëllimi i tij ishte “të kapërcejë rendin ekzistues shtetëror në Gjermani dhe të krijojë formën e vet të shtetit, skicat e së cilës tashmë janë përpunuar,” thanë prokurorët në deklaratë.

Anëtarët e organizatës ishin të vetëdijshëm se ky qëllim mund të arrihet vetëm përmes përdorimit të mjeteve ushtarake dhe dhunës kundër përfaqësuesve të shtetit”, shtohet në deklaratë. “Kjo përfshinte edhe kryerjen e vrasjeve.”

Në mesin e të arrestuarve ishte një burrë që ishte përpjekur të kontaktonte me përfaqësuesit e qeverisë ruse për planet, sipas deklaratës, megjithëse nuk kishte indikacione se ata kishin marrë një përgjigje pozitive nga burimet ruse që kishin kontaktuar.

Mediat gjermane të lajmeve e identifikuan gjerësisht njeriun si Princi Heinrich XIII i Reuss, një pasardhës i një ish-familje mbretërore gjermane. Familja Reuss është distancuar prej kohësh nga Heinrich XIII për shkak të përfshirjes së tij në skenën e Reichsbürger.

Një tjetër prej të ndaluarve, i identifikuar nga prokurorët si Birgit M.-W., dyshohet se ishte caktuar në krye të grupit të drejtësisë. Mediat gjermane e identifikuan atë si Birgit Malsack-Winkemann, gjyqtare në Berlin dhe anëtare e Alternativës për Gjermaninë. Ajo shërbeu si deputete nga viti 2017 deri në vitin 2021.

Një shtetas rus, të cilin prokurorët e identifikuan si “Vitalia B.”, “dyshohej fort” se kishte mbështetur Heinrich XIII në përpjekjen për të vendosur kontakte me Moskën.

Grupi, i cili përfshinte njerëz që kishin marrë pjesë në demonstrata kundër bllokimeve të koronavirusit, u ushqye nga teoritë e konspiracionit, thanë autoritetet.

Sipas anëtarëve të grupit, çlirimi premtohet nga ndërhyrja e afërt e “Aleancës”, një koalicion sekret teknikisht superior i qeverive, shërbimeve të inteligjencës dhe ushtrive të shteteve të ndryshme, përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, sipas prokurorëve.

Shërbimet e inteligjencës gjermane kanë thënë prej vitesh se kërcënimi më i madh për vendin vinte nga grupet e brendshme ekstremiste të ekstremit të djathtë.

Ekstremistët e krahut të djathtë në vitin 2019 vranë një politikan lokal në shtetin gjerman të Hessenit dhe në të njëjtin vit tentuan të sulmonin një sinagogë.

Analistët e sigurisë kanë paralajmëruar për mundësinë e bashkimit të grupeve të së djathtës ekstreme me komplotistët anti-vaksinës pandemike. Në vitin 2020, mbështetësit e ekstremit të djathtë, mbështetësit e Q-Anon dhe aktivistët kundër vaksinave në një protestë kundër masave të koronavirusit në Berlin u përpoqën të sulmonin Reichstag.

Policia thotë se gjatë vitit të kaluar ka hetuar edhe disa komplote më të vogla të dyshuara kundër drejtuesve të shtetit.

Në prill, oficerët arrestuan katër persona që kishin komplotuar për të rrëmbyer ministrin e shëndetësisë, Karl Lauterbach, dhe për të shkaktuar ndërprerje të energjisë në mbarë vendin. Policia tha se të dyshuarit ishin të lidhur me Reichsbürger dhe lëvizjet kundër vaksinës.

Burimi: The New York Times
Përktheu dhe përshtati: Mendimi.al
Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here