Një gjykatë italiane ka dënuar 70 anëtarë të grupit të fuqishëm mafioz, Ndrangheta, në fazën e parë të gjyqit më të madh mafioz në dekada. Të pandehurit u përballën me akuza duke përfshirë tentativë vrasje dhe zhvatje.
Gjatë dy viteve të ardhshme, 355 mafiozë dhe zyrtarë të tjerë të korruptuar do të përballen me gjykatën për përfshirjen e tyre me grupin më të pasur dhe më të fuqishëm të krimit të organizuar në Itali.
Qindra avokatë dhe gati një mijë dëshmitarë janë të përfshirë.
Që nga janari, një sallë gjyqi e përshtatur posaçërisht ka pritur “gjyqin masiv” të qindra të dyshuarve të lidhur me ‘Ndrangheta, grupi mafioz më i pasur dhe më i fuqishëm i vendit. Gjyqi masiv, i cili po mbahet në një sallë gjykate të gjerë për të akomoduar qindra avokatë të përfshirë, përmban më shumë se 900 dëshmitarë të prokurorisë dhe 58 dëshmitarë të shtetit. Një tjetër gjyq i madh i ngjashëm në përmasa ishte gjyqi legjendar i Italisë nga 1986 deri në 1987, i cili i dha një goditje të madhe Cosa Nostra-s së Siçilisë, me 338 persona të dënuar.
Prokurori i famshëm antimafia Nicola Gratteri – përpjekjet e të cilit për të mposhtur ‘Ndrangheta’ e kanë bërë atë të jetojë nën shoqërimin e policisë për më shumë se 30 vjet – tha se dënimi kishte shkuar “shumë mirë”.
Disa nga anëtarët më të rrezikshëm të grupit morën dënimin maksimal prej 20 vjetësh të kërkuar nga prokurorët. Këtu përfshihen Domenico Macri nga krahu ushtarak i grupit; Pasquale Gallone, krahu i djathtë i bosit të dyshuar të mafias Luigi Mancuso, gjyqi i të cilit është ende në pritje; dhe Gregorio Niglia, roli i të cilit përfshinte blerjen e armëve dhe zhvatjen.
Ndrangheta, e cila është e ngulitur në rajonin më të varfër të Italisë atë të Kalabrisë, ka tejkaluar Cosa Nostra-n e Siçilisë në fuqi dhe pasuri. Grupi kontrollon rreth 80% të tregtisë së kokainës që kontrabandohet në Evropë.
Ndrangheta ka rreth 150 familje, të cilat mbështeten nga të paktën 6,000 anëtarë dhe filiale në Kalabri, duke u rritur në mijëra në mbarë botën, thonë ekspertët.
Shtrirja e saj është ndërkombëtare dhe me përfitime të paligjshme të investuara në ekonominë legjitime. Aftësia e saj për të infiltruar pothuajse të gjitha segmentet e administratës publike në Kalabri e ka lejuar atë të korrë kontrata fitimprurëse dhe të çimentojë fuqinë e saj.
Burimi: BBC