Këshilla për të lexuar gjuhën e trupit

Kohët e fundit, më është rritur interesi rreth gjuhës së trupit. E mora shtysën nga kolegët që më rrethonin, ku një shefe hynte në zyrë dhe papritur ti e ndjeje superioritetin e saj; kur një drejtoreshë kishte një buzëqeshje të sforcuar për çdo gjë, dhe kur një koleg gjithmonë në mbledhje e mbante nofullën të tendosur dhe tundte herë pas here kokën.
Kështu fillova të lexoj pak më tepër dhe bazuar në një postim të Entrepreneur, po ju sjell disa pika që duhet të keni parasysh për të kuptuar gjuhën e trupit të personave që ju rrethojnë.
Krahët dhe këmbët e kryqëzuara sinjalizojnë rezistencë
Krahët dhe këmbët e kryqëzuara janë barriera fizike që sugjerojnë që personi tjetër nuk është i hapur ndaj asaj që po thoni. Gjuha e tyre e trupit tregon një histori tjetër edhe nëse janë të buzëqeshur dhe të përfshirë në një bisedë të këndshme. Gerard I. Nierenberg dhe Henry H. Calero regjistruan më shumë se 2000 negociata për një libër që ata shkruan mbi leximin e gjuhës së trupit dhe asnjë prej tyre nuk përfundoi në një marrëveshje kur njëra nga palët i kishte kryqëzuar këmbët gjatë negociatave. Psikologjikisht, këmbët ose krahët e kryqëzuar sinjalizojnë se një person është i bllokuar mendërisht, emocionalisht dhe fizikisht nga ajo që ka përpara. Nuk është e qëllimshme, prandaj është kaq zbuluese.

Buzëqeshjet e vërteta krijojnë rrudha te sytë
Kur bëhet fjalë për të buzëqeshur, goja mund të gënjejë, por sytë jo. Buzëqeshjet e vërteta arrijnë te sytë, duke rrudhur lëkurën rreth tyre. Njerëzit shpesh buzëqeshin për të fshehur atë që në të vërtetë mendojnë dhe ndjejnë, kështu që herën tjetër që dëshironi të dini nëse buzëqeshja e dikujt është e vërtetë, kërkoni për rrudha në cepat e syve të tyre. Nëse ato nuk janë aty, ajo buzëqeshje mund të fshehë diçka.

Gjuha juaj e trupit e pasqyruar te një person tjetër është e mirë
A keni qenë ndonjëherë në një takim me dikë dhe keni vënë re se ai bën të njëjtën gjë sa herë që ju kryqëzoni duart apo këmbët? Apo ndoshta ata e mënjanojnë kokën në të njëjtën mënyrë si e juaja kur jeni duke folur? Kjo është në fakt një shenjë e mirë. Pasqyrimi i gjuhës së trupit është diçka që bëjmë në mënyrë të pandërgjegjshme kur ndiejmë një lidhje me personin tjetër. Është një shenjë se biseda po shkon mirë dhe se pala tjetër e ka pranuar mesazhin tuaj.

Qëndrimi tregon historinë
A keni parë ndonjëherë një person të hyjë në një dhomë dhe menjëherë e keni ndjesinë se ai person është në krye? Ky efekt vjen kryesisht nga gjuha e trupit dhe shpesh përfshin një qëndrim të drejtë, gjeste të bëra me pëllëmbët e kthyera poshtë dhe gjeste të hapura dhe të shtrira në përgjithësi. Truri është i lidhur për të barazuar fuqinë me sasinë e hapësirës që njerëzit marrin. Qëndrimi drejt me shpatullat mbrapa është një pozicion fuqie; duket se maksimizon sasinë e hapësirës që mbushni.

Sytë që gënjejnë
Njerëzit shpesh do të mbajnë qëllimisht kontaktin me sy në një përpjekje për të mbuluar faktin se po gënjejnë. Problemi është se shumica e tyre e teprojnë pak dhe mbajnë kontaktin me sy deri në atë pikë sa ndihet i pakëndshëm. Mesatarisht, njerëzit mbajnë kontaktin me sy për shtatë deri në dhjetë sekonda, më gjatë kur dëgjojmë sesa kur flasim. Diçka nuk shkon nëse jeni duke folur me dikë, shikimi i të cilit po ju bën të përpëliteni, veçanërisht nëse ai është i palëvizshëm dhe nuk pulson.

Vetullat e ngritura sinjalizojnë siklet
Janë tre emocione kryesore që i bëjnë vetullat tuaja të ngrihen lart: befasia, shqetësimi dhe frika. Provoni të ngrini vetullat kur jeni duke bërë një bisedë të relaksuar me një mik. Është e vështirë të bëhet, apo jo? Nëse dikush që po flet me ju ngre vetullat dhe tema nuk është nga ato që logjikisht do të shkaktonte habi, shqetësim ose frikë, fare mirë mund të jetë duke ndodhur diçka tjetër.

Lëvizja e tepruar e kokës sinjalizon ankth për miratimin
Kur po i tregoni dikujt diçka, dhe ai tund kokën tepër, kjo do të thotë se ka të ngjarë të shqetësohet për atë që mendoni ju për të ose që ju dyshoni në aftësinë e tyre për të ndjekur udhëzimet tuaja.

Një nofull e shtrënguar sinjalizon stres
Një nofull e shtrënguar, qafa e ngrirë ose vetulla të ngrysura janë të gjitha shenja stresi. Pavarësisht se çfarë thotë personi, këto janë shenja të shqetësimit të konsiderueshëm. Biseda mund të jetë duke u thelluar në diçka për të cilën ata janë në ankth, ose mendja e tyre mund të jetë diku tjetër dhe ata janë duke u fokusuar në gjënë që i streson. Gjëja kryesore është të shikoni për mospërputhjen midis asaj që thotë personi dhe asaj që po ju thotë gjuha e tensionuar e trupit./mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here