Në ambjentet kontemporane të Creative Destil Hub, u prezantuan dy filma me metrazh të shkurtër nga regjizori Ergys Meta të enjten mbrëma. “Vrasësit e Qenve” ishte i pari që hapi dhe mbrëmjen, me një dramatikë të veçantë, tregoi një pjesëz të një realiteti që ka ekzistuar në Bashkitë e Shqipërisë, para pak vitesh. Nën nuancat e neo-noir, sipas stilit të preferuar të vetë regjizorit, ngjarja e vrasjes së qenve nëpër rrugët e qytetit të rikthen memorjen e stilit të filmave western. Vrasësit – kaubojsë meso-moshë, dilnin natën dhe gjuanin qentë endacakë, e më pas u prisnin bishtin për ta dorëzuar si provë e ekzekutimit makabër, në këmbim të pagesës nga bashkia e qytetit. Gajtë gjithë filmit, kamera pozicionohet nga prapa shpinës së aktorëve, dhe kthehet në portret ballor vetëm pasi ata kanë kryer vrasjen. Zbulimi i tyre në çast kërkon të tregojë se protagonistët janë jo domosdoshmërisht në role pozitive.
“Njeriu i Mirë” tregon marrëdhënien e dy burrave (sërish meso-moshë) që takohen rastësisht për një çast të shkurtër. Ata krijojnë shpejt një marrëdhënie nderi, ku protagonisti ndihmon tjetrin në arrati. Të dy kanë një pikë të përbashkët, dashurinë për gratë e tyre, dhe pse historitë e secilit nuk janë të ngjashme.
Një bisedë e shkurtër mes organizatores dhe regjizorit, mbushi atmosferën post-show.
Ergys Meta, gjithashtu është duke prodhuar një film të ri me metrazh të gjatë, të cilin presim ta zbulojmë në vazhdim.