Koalicioni i qeverisë gjermane “tronditet” pas shkarkimit të ministrit të financave

Shkarkimi i Christian Lindner shënon fundin e qeverisë jopopullore me tre parti në Gjermani.

Koalicioni i qeverisë së Gjermanisë ka rënë pasi kancelari Olaf Scholz shkarkoi ministrin e tij të financave, Christian Lindner, duke zhytur ekonominë më të madhe të eurozonës në kaos politik, vetëm disa orë pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Scholz deklaroi për gazetarët të mërkurën se do të kërkojë një votë besimi në parlament më 15 janar, që shumica e analistëve presin që ta humbë. Kjo do të hapë rrugën për zgjedhje të parakohshme në mars.

Shkarkimi i Lindner dhe largimi i partisë së tij pro-biznesit, Demokratët e Lirë (FDP), nga qeveria, i jep fund një koalicioni të diskutuar dhe të përçarë, që kishte marrë kritika për mosmarrëveshjet e brendshme.

Kjo krijon një boshllëk në zemër të Europës në një moment kur shqetësimet po rriten në kryeqytetet e BE-së për ndikimin që mund të ketë një presidencë e dytë e Trump mbi marrëdhëniet transatlantike.

Gjermania dhe pjesa tjetër e Europës përballen tani me një periudhë të gjatë pasigurie, në një kohë kur pritet një luftë tregtare me SHBA-të dhe përballen me kërcënimin në rritje ekonomik nga Kina.

Në një deklaratë të ashpër, Scholz fajësoi Lindner për prishjen e qeverisë, duke e quajtur atë “egoist” dhe “të papërgjegjshëm”. Ai tha se Lindner “interesohej vetëm për klientelën e tij dhe mbijetesën e përkohshme të partisë së tij”.

Shkak për shkarkimin e Lindner ishte një mosmarrëveshje mbi buxhetin e vitit të ardhshëm. Të tre partnerët e koalicionit — Social Demokratët (SPD) të Scholz-it, FDP-ja e Lindner-it dhe të Gjelbrit — nuk arritën të bien dakord mbi mënyrën e mbulimit të një hendeku prej 9 miliardë eurosh në planet e shpenzimeve, përpara një takimi të komitetit të buxhetit të parlamentit javën e ardhshme.

Por konflikti u thellua nga ndarjet ideologjike më të mëdha mbi mënyrën e trajtimit të rënies ekonomike të Gjermanisë dhe sa borxh publik lejohet të marrë qeveria.

Scholz tha se kishte kërkuar nga Lindner të pranonte zbutjen e “frenimit të borxhit” të Gjermanisë, një kufizim i vendosur në kushtetutë që SPD-ja dhe të Gjelbrit kërkojnë ta reformojnë prej kohësh. Kjo do të lejonte Gjermaninë të marrë më shumë borxh dhe të rrisë mbështetjen për Ukrainën, në një kohë kur ekziston frika se Trump mund të ndërpresë ndihmën për Kievin pas kthimit në detyrë.

Scholz propozoi gjithashtu uljen e tarifave të rrjetit për të reduktuar çmimet e energjisë për kompanitë industriale, krijimin e stimujve për investime dhe kalimin e një pakete masash për të mbrojtur vendet e punës në industrinë e makinave, e cila po përballet me konkurrencë më të fortë nga Kina.

Por Scholz tha se Lindner i kishte refuzuar këto propozime dhe kishte insistuar në ruajtjen e “frenimit të borxhit”. “Kushdo që refuzon një zgjidhje, një ofertë kompromisi, në një situatë të tillë, po vepron në mënyrë të papërgjegjshme,” shtoi Scholz. “Si kancelar, nuk mund ta toleroj këtë.”

Lindner tha më pas se Scholz “nuk kishte forcën për të sjellë një fillim të ri për vendin”. Ai shtoi se propozimet e Scholz-it ishin “pa ambicie dhe nuk ndihmojnë në tejkalimin e dobësisë së thellë të rritjes sonë ekonomike”.

Konflikti midis Scholz dhe Lindner kishte kohë që ziente, por shpërtheu në publik javët e fundit për shkak të shqetësimeve rreth gjendjes së dobët të ekonomisë.

Ministrat kohët e fundit ulën parashikimin e rritjes, që do të thotë se Gjermania tani përballet me recesionin e parë dyvjeçar që nga fillimi i viteve 2000.

Ndjesia e përçarjes së koalicionit u thellua muajin e kaluar kur Scholz u takua me drejtuesit e industrisë dhe sindikatat për të diskutuar rënien ekonomike, por nuk ftoi Lindner-in apo ministrin e ekonomisë të të Gjelbërve, Robert Habeck.

Lindner u përgjigj duke organizuar një takim të tij me drejtuesit e biznesit po atë ditë.

Disa ditë më vonë, Lindner propozoi reforma ambicioze, duke përfshirë uljen e taksave, zbutjen e objektivave ambiciozë për klimën dhe ndryshime të mëdha në sistemet e mirëqenies dhe pensioneve.

Idetë e tij, thuajse të gjitha të papranueshme për SPD-në dhe të Gjelbrit, e përkeqësuan krizën e koalicionit.

Scholz, Lindner dhe Habeck zhvilluan bisedime këtë javë për të kapërcyer mosmarrëveshjet e tyre, përpara një takimi të rëndësishëm të ministrave të lartë dhe liderëve të partive të koalicionit të mërkurën mbrëma.

Në këtë takim, Lindner sugjeroi që të tria partitë të bien dakord për zgjedhje të parakohshme, një ide që Scholz e refuzoi. Në vend të kësaj, ai njoftoi shkarkimin e ministrit të tij të financave.

Nëse Scholz humbet votën e besimit më 15 janar, ai do t’i kërkojë presidentit Frank-Walter Steinmeier të shpërndajë Bundestagun dhe të caktojë zgjedhje të parakohshme.

Sondazhet sugjerojnë se këto zgjedhje do të fitohen nga opozita e Unionit Kristian Demokrat (CDU), e drejtuar nga Friedrich Merz.

Por pritet që edhe partitë populiste të kenë sukses, pasi pakënaqësia e publikut me ekonominë dhe paqëndrueshmërinë politike përkthehet në mbështetje për Alternativën e Gjermanisë (AfD) dhe Aleancën e majtë të drejtuar nga Sahra Wagenknecht.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here