Kryebashkiaku i natës tregon ku ndryshon fëmijëria e viteve ‘80-‘90 me atë sot.

(NOSTALGJI)

Nga Briken Fejzullai.

Ky brezi i sotëm, nuk ka për ta kuptuar kurrë, që njëri nga rripat e kanatieres, ishte në të vërtetë, vetëm një “varëse çelësash”. Që kopsat e palltove apo pardesyve, për sytë tanë… ishin thjesht, “kopaca”. Që tokat njëri-tjetrit, neve ja “zaptonim” vetëm kur luanim “botash”. Që “doçja”, ështe loja më e zhurmshme e të gjitha kohrave. Që karroca me guzhinjeta, ja fut para – mbrapa, monopatino-s. Që shpatat artizanale prej dërrase, ishin shumë më të bukura, se këto kauçuqet kineze me ngjyra, që gjen gjithkund, sot. Që i njëjti top, përdorej për të luajtur futboll, volejboll, basketboll, topa xingthi dhe topa djegsi. Që mund të luash vetëm me shokë, pa patur nevojë për asgjë; quhet “kala dibronçe”. Që në pamundësi për t’i ngrënë, ne i koleksiononim letrat e çokollatave të ndryshme, që gjen rëndom sot, në çdo supermarket. Që “çapa” që kafshoje, tek feta e bukës me vaj dhe sheqer e shokut, ishte dy herë më e shijshme, se çdo “molto”, “bake rolls” apo mbeturina të tjera kimike, që gjen sot nëpër dyqane. Që dikur, kishim SHOKË prej vërteti…

…që në natyrë, ekzistojnë dy lloje çokash; të forta dhe djegse. Që dhimbja që kishe, pasi ishe çarë duke luajtur, nuk ishte asgjë përpara frikës, prej “racionit” që të priste, kur të futeshe në shtëpi. Që një larje fshehurazi në liqen, ja vlente gjithë dajakun që do haje me zorrën e çezmës… pasi yt atë, me efikasitetin e një investigatori të denjë për CSI, të kishte kruajtur me thoin e tij krahun, dhe të kishte demaskuar, me anë të asaj vizës së bardhë, që mbetej mbi lëkurë…

… ky brezi i sotëm nuk ka për ta kuptuar kurrë, që “Miami Vice” ishte vite dritë më i bukur se “Ertugrul-at” e tanishëm, ndërsa çdo femër do të ta konfirmonte, që “100 vetrinat” do ngjante si telefilm indian para “Santa Barbara”. Që Ambra Angiolini, Alesia Merz, Laura Freddi dhe të tjerat e “Non è la Rai” për vajzat ishin muza të padiskutueshme, ndërsa për sytë e djemve, ishin më mirë, se filmat porno. Që “La piovra” ishte (dhe është akoma) në mënyrë të padiskuteshme, filmi italian policesk më i mirë, i të gjitha kohërave. Që princi i vërtetë nuk ishte i kaltër, por quhej Willy dhe ishte nga Belle Air…

…që mund të lije një takim që paradite, për të njëjtën ditë pasdite dhe të ishe korrekt edhe pse nuk kishe makinë. Që mund të takoje ata që doje, kur të doje… edhe pse nuk kishe celular. Që mjaftonte një telefon në pallat, për të komunikuar me të afërmin që kishe jashtë shtetit (sepse çdo familje e kishte një të afërm jashtë shtetit, me të cilin krenoheshim të gjithë). Që të kishe një motër apo vëlla më të madh se vetja, nuk do të thoshte të merrje merita dhe ndere lart e poshtë, por qortime për tu bërë një njeri më i mirë. Që të ishe (GRATIS) te “Ismaili”, “Petro Nini”, “Samiu” apo “Qemali”, ishte komplet tjetër gjë, nga të qënurit (ME PAGESË TË MAJME) te “Konica”, “Wilson”, “Turku” apo “Amerikani”. Që xhiro te piramida, universiteti, liqeni, n’bllok dhe pastaj te parku Rinia kur “lije” orët e mësimit, ishte një “Must”…

….ky brezi i sotëm, për fat të keq, nuk ka për ta kuptuar kurrë, që mund të jetosh mirë edhe pa i-pad. Që mund të jetosh mirë edhe pa qenë djali i filanit, apo vëllai i fistekut. Që mund të jetosh mirë edhe pa patur miliona, nëse ato para jenë bërë pa djersë dhe në kurriz të të tjetëve. Që mund të jetosh mirë edhe nëse nuk e fshin nga memorja, që vijmë të gjithë, NGA RRADHA E QUMËSHTIT!!!

(B.F)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here