Gazetari dhe analisti Mentor Kikia ka reaguar në lidhje me emërimin e Muhamet Rrumbullakut në krye të policisë.
Kikia shkruan në profilin e tij në Facebook:
“Nje shofer per policine shqiptare ne nje udhekryq pa tabela!
Muhamet Rrumbullaku është një polic i vjetër, mund të jetë ndër më të vjetrit që është në detyrë. Ka shërbyer në të gjitha qeveritë dhe duket të jetë zgjidhja më e mirë për të drejtuar policinë në një “situatë udhëkryqi”, sic e përshkroi edhe kryeministri gjendjen e policisë në prezantimin e tij. Kryeministri i la atij 100 dite afat që të zgjedhë rrugën e duhur për policinë, në këtë udhëkryq.
Z.Rrumbullaku është një polic vërtet i mirë, profesionist dhe i ndershëm. Po cfarë mund të bëjë ai për policinë në 100 ditë, apo edhe më shumë se kaq?
Dhe, mbi të gjitha, në cfarë udhëkryqi është policia?
Kush e dërgoi atë ne udhën – kryq, sa tani dikujt i duhet që, ne menyre ultimative, ta nxjerrë prej aty, apo te orientojë se nga do tia mbajë?
Nëse policine e kanë dërguar aty paraardhësit e Rrumbullakut(padyshim, jo ai që ndenji vetëm pak muaj), atëherë ata duhet të mbajnë përgjegjësi, dhe jo të gradohen në detyra të tjera të larta.
Ndërsa publikisht nuk sqarohet se nga se vuan policia, ato që janë brenda saj përcaktojnë dy sëmundje të rënda:
Korruptimi dhe inkriminimi i policeve edhe ne nivele te larta, dhe politizimi i strukturave drejtuese.
Në një shtet ku policia ka lënë hije të forta dyshimi pas cdo operacioni antidrogë, ku jane kapur apo janë “vjedhur” sasi të mëdha kokaine ne portin e Durresit, apo ku policët shërbenin si truproja të njeriut më të kërkuar nga drejtësia, vështirë tia drejtosh udhën për 100 ditë. Pasi, korruptimi i saj ka ndodhur në mënyrë piramidale dhe kapilare.
Përdorimi politik gjithashtu ka qenë një vijimësi, nga njëra qeveri tek tjetra(“tërmeti” i zgjedhjeve në Dibër ishte një aksion policor me shumë sesa një proces zgjedhor).
Ndaj duhet një magjistar në krye të policisë tonë për ti treguar udhën e duhur ne nje udhekryq pa tabela.
Megjithatë ne s’na mbetet tjetër vecse të shpresojmë dhe besojmë, dhe ti japim të gjithë mbështetjen tonë z.Rrumbullaku, pasi ne kemi nevojë për një polici të fortë, profesionale dhe të panshme.”