Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje që aleanca ushtarake të kalojë në një “mentalitet lufte“, duke theksuar se vendet anëtare nuk po shpenzojnë mjaftueshëm për t’u përgatitur për kërcënimet e ardhshme nga Rusia.
Sipas Rutte, Moska po përgatitet për një konfrontim afatgjatë me Ukrainën dhe me NATO-n, duke e përshkruar situatën aktuale të sigurisë si “më të rëndën që kam përjetuar ndonjëherë“. Ai theksoi se NATO duhet të përshpejtojë investimet në mbrojtje për të shmangur kosto shumë më të larta në të ardhmen.
“Rreziku po vjen drejt nesh me shpejtësi të plotë,” deklaroi ai, duke kujtuar se gjatë Luftës së Ftohtë, vendet evropiane shpenzonin deri në 3% të PBB-së për mbrojtje.
Rutte paralajmëroi gjithashtu se deri në vitin 2025, shpenzimet e Rusisë për mbrojtje do të përbëjnë një të tretën e buxhetit të saj shtetëror, duke arritur nivelet më të larta që nga Lufta e Ftohtë.
Megjithëse vendet anëtare të NATO-s janë zotuar të shpenzojnë të paktën 2% të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2024, shumë prej tyre ende nuk e arrijnë këtë objektiv. Rutte bëri thirrje për më shumë mbështetje nga publiku, duke u kërkuar qytetarëve të nxisin politikanët e tyre për të dhënë përparësi mbrojtjes, duke e konsideruar atë thelbësore për ruajtjen e demokracisë dhe vlerave perëndimore.
“Ky është një apel për një miliard njerëz që jetojnë në territoret e NATO-s,” tha ai. “Nëse besoni se jeta dhe vlerat tona duhet të mbrohen, atëherë mbrojtja duhet të jetë prioritet.”
Ndërsa Donald Trump pritet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, Rutte shpreson të mbajë angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s dhe mbrojtjes evropiane, duke i kujtuar atij se rritja e shpenzimeve të aleancës erdhi si rezultat i presionit të tij.
“Nëse nuk veprojmë tani, brenda katër apo pesë vitesh do të përballemi me vështirësi të mëdha,” përfundoi ai.