Ndahet nga jeta Agim Doçi

Ndahet nga jeta në moshën 76-vjeçare poeti i njohur, Agim Doçi. Poeti i njohur pësoi pak ditë më parë hemorragji cerebrale në tru.

Ceremonia e varrimit do të mbahet ditën e nesërme në Tiranë, ndërsa homazhet do të zhvillohet në orën 11:00.

Agim Doçi lindi më 9 maj 1948. Ishte poet dhe autor këngësh shumë i njohur shqiptar.

U arsimua në Shkodër deri në gjimnaz dhe vazhdoi më pas studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.

Është autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës. Mund të përmenden kënge shumë të njohura si “Marshi i UÇK-së”, “A vritet pafajsia”, etj.

Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’.

Më poshtë gjeni një poezi të tij.

KISHA VDEKUR… NUK E DIJA!?

Kisha shumë vite që kisha vdekur

Erdhën plot njerëz dhe në varrim
Sa fjalë të bukura që kishin gjetur
I kishin shkruar mbi varrin tim…

Sa turp më vinte, sa më peshonte
Rrasa e varrit me ato fjalë.
Ndonse parajsa nuk më pranonte
Ndoshta dhe shpirti s’më kishte dalë…

Sa isha gjallë më ndenjën ftohtë
Nuk e kuptoja çfarë kisha bërë
Doja nga njerzit një fjalë të ngrohtë
Vetëm më iku, jeta e tërë…

Tani që s’jam, mos u friksoni!
Se larg prej jush vendin e gjeta.
Rri kuvendoj me Perëndinë
Ai s’paska frikë nga e vërteta!

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here