Pasojat e ndryshimit të klimës janë tashmë një situatë e jetuar edhe për Shqipërinë. Përmbytjet, zjarret, rritjet e temperaturave, kanë shkaktuar dëme të mëdha vitet e fundit. Insitucionet botërore kanë vite që kanë vënë alarmin, por me sa duket tani është ndezur sinjali i kuq.
Ndryshimi i klimës është i përhapur, i shpejtë dhe i përshpejtuar, dhe disa tendenca tani janë të pakthyeshme, të paktën gjatë kornizës aktuale, sipas raportit të fundit të shumëpritur të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), të publikuar të hënën me 9 Gusht 2021.
Ky raport shkencor i OKB -së ka arritur në përfundimin se aktiviteti njerëzor po ndryshon klimën me një ritëm të paparë. Raporti është përshkruar si një “kod i kuq për njerëzimin” nga autorët e tij. Paneli Ndërqeveritar i OKB -së për Ndryshimet Klimatike (IPCC) është i rreptë dhe i prerë në përfundimet e tij.
Raporti i përgatitur nga 234 shkencëtarë nga 66 vende, nënvizon se aktiviteti njerëzor ka ndikuar drejtpërsëdrejti në ngrohjen e klimës në një shkallë që është e paprecedentë të paktën në 2000 vitet e fundit.
Në vitin 2019, përqendrimet atmosferike të CO2 ishin më të larta se në çdo kohë në të paktën 2 milion vjet, dhe përqendrimet e metanit dhe oksidit nitrik ishin më të larta se në çdo kohë në 800,000 vitet e fundit.
Paneli Ndërqeveritar i OKB – i përbërë nga një grup shkencëtarësh, gjetjet e të cilëve janë miratuar nga qeveritë e botës – paralajmëron për valë gjithnjë e më ekstreme të nxehtësisë, thatësira dhe përmbytje dhe një kufizim kryesor të temperaturës që mendohet të thyhet brenda dekadës së ardhshme. Kjo “do të thotë që bota do të goditet një gradë e gjysmë duke u ngrohur shumë më herët nga sa pritej, ndoshta në mesin e vitit 2034”, thuhet në raport.
IPCC thotë se kalimi i 1.5 gradë Celcius do të krijojë valë nxehtësie më intensive dhe më të shpeshta. Prof. Ed Hawkins, nga Universiteti i Reading, Britani e Madhe, një nga autorët e raportit tha: “është një deklaratë faktike, ne nuk mund të jemi më të sigurt; është e qartë dhe e padiskutueshme që njerëzit po ngrohin planetin”. Sidoqoftë, shkencëtarët thonë se një katastrofë mund të shmanget nëse bota vepron shpejt dhe, me shkurtime të thella të emetimeve të gazrave serë, dhe mund të stabilizojë rritjen e temperaturave. Shkencëtarët shpresojnë se emetimet globale mund të shkurtohen deri në vitin 2030 dhe të arrijnë në zero neto deri në mesin e këtij shekulli. Raporti është shqyrtimi i parë i madh nga IPCC që nga viti 2013 dhe vjen më pak se tre muaj para samitit të klimës COP26 në Glasgow.
Paneli (IPCC) raporton pikat kryesore:
- 5 gradë Celcius do të arrihet deri në vitin 2040 në të gjithë skenarët nëse emetimet nuk zvogëlohen në vitet e ardhshme.
- Mbajtja në 1.5 gradë Celcius do të kërkojë “reduktime të menjëhershme, të shpejta dhe në shkallë të gjerë” të emetimeve dhe veprimet më të ngadalshme çojnë në 2 gradë Celcius dhe më shumë vuajtje për të gjithë jetën në Tokë.
- Ndikimi njerëzor është “shumë i mundshëm” (90%) shtytësi kryesor i tërheqjes globale të akullnajave që nga vitet 1990 dhe ulja e akullit të detit Arktik.
- Valët e nxehtësisë janë bërë më të shpeshta dhe më intensive që nga vitet 1950, ndërsa ngjarjet e ftohta janë bërë më pak të shpeshta dhe më pak të rënda.
- Ka të ngjarë të ketë rritje të “motit të zjarrit” në shumë vende.
- Thatësira po rritet në më shumë se 90% të rajoneve.
- Temperatura globale e sipërfaqes ishte 1.09 gradë Celcius më e lartë në dekadën midis 2011-2020 se sa midis 1850-1900.
- Pesë vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat që janë regjistruar që nga viti 1850. Shkalla e fundit e rritjes së nivelit të detit është gati trefishuar në krahasim me 1901-1971.
- Një rritje prej rreth 2 metrash në nivelin e detit deri në vitin 2100 nuk mund të përjashtohet-dhe as një ngritje prej 5 metrash deri në vitin 2150, duke kërcënuar miliona njerëz në zonat bregdetare.
- Ngjarjet ekstreme të nivelit të detit që ndodhin një herë në shekull parashikohen të ndodhin të paktën çdo vit.
Sipas të gjithë skenarëve të emetimeve të konsideruara në raport, të gjitha objektivat e reduktimeve do të rrëzohen këtë shekull nëse nuk ndodhin shkurtime të mëdha në emetimet e karbonit.
Zgjidhjet e propozuara nga shkencëtarët përfshijnë përdorimin e teknologjisë së pastër, mbajtjen dhe ruajtjen e karbonit, ose mbjelljen e pemëve.
Raporti i IPCC zbuloi se 2,400 miliardë tonë CO2 janë emetuar nga njerëzimi që nga viti 1850, dhe se ne “lejohemi” të emetojmë vetëm 400 miliardë tonë të tjerë për të pasur një shans 66% të mbajtjes sw rritjes në 1.5 gradë Celcius.
Kjo do të thotë se planeti ka shpenzuar tashmë 86% të “buxhetit” të tij të karbonit. Për më tepër, askush nuk është i sigurt nga efektet e ndryshimit të klimës.
Ekspertët paralajmërojnë se për qytetet, disa aspekte të ndryshimit të klimës mund të zmadhohen, përfshirë nxehtësinë, përmbytjet nga ngjarjet e rreshjeve të mëdha dhe ngritjen e nivelit të detit në qytetet bregdetare. Për më tepër, shkencëtarët e IPCC paralajmërojnë se rezultatet me gjasa të ulëta, të tilla si shembja e fletës së akullit ose ndryshimet e papritura të qarkullimit të oqeanit, nuk mund të përjashtohen.
Sipas EPI Indeksit të Përformancës së Ambjentit për 2020, Shqipëria renditet në vendin e 66 përsa i përket ndryshimeve klimaterike dhe në vendin e 81-të nga 180 shtete të listuara për cilësinë e ajrit. EPI (Enviromental Performance Index) është një metodë e quantifikimit të performancës mjedisore të politikave të shtetit. Ai realizohet nga Universiteti Yale, Universiteti Columbia, Forumi Ekonomik Botëror dhe Komisioni Europian. Rezultati për menaxhimin e mbetjeve është 0.00 (ku 0 = rezultati më i keq dhe 100 = më i miri) dhe kjo e klasifikon Shqipërinë në vendin e 133 (nga 180). Shikoni tabelën më poshtë për të gjitha vlerësimet:
Indeksi i Rrezikut Klimatik për 2000–2019
Indeksi Global i Rrezikut të Klimës i zhvilluar nga Germanwatch analizon ndikimin sasior të ngjarjeve ekstreme të motit, në termat e fataliteteve dhe humbjeve ekonomike. Vendet të renditen nga ato të cilat kanë rrezikun më të lartë. Indeksi 2021 trajton 180 vende, por kjo nuk do të thotë se vende të cilat nuk janë përfshirë nuk kanë ndikim. Indeksi Global i Rrezikut të Klimës 2021 cilëson së Shqipëria renditet e 125-ta në indeksin e përgjithshëm CRI për periudhën 2000-2019 dhe renditet e 130-ta në indeksin e vitit 2019. Në analizën aktuale përfshihen vetëm ngjarjet klimaterike si stuhitë, përmbytjet, ekstremet e temperaturave. Incidentet gjeologjike si tërmetet, vullkanet, tcunamet nuk janë pjesë e përllogaritjeve të kësaj analize. The Global Climate Risk Index tregon nivelin e ekspozimit dhe vulnerabilitetit ndaj ngjarjeve klimaterike ekstreme, të cilat vendet duhet ti kuptojnë si paralajmërim në mënyrë që të jenë të përgatitura për ngjarje më të rënda në të ardhmen.
10 vendet më të rrezikuara sipas CRI 2000-2019 të cilat kanë edhe nivelin më të lartë të riskut janë: Puerto Rico, Myanmar, Haiti, Filipines, Mozambiku, Bahamas, Bangladeshi, Pakistani, Tailanda, Nepali./mendimi.al
[…] duket se kanë shumë të përbashkëta, ato, në fakt, janë të ndërlidhura. Studimi u bazua në vlerësimin e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) të publikuar më 9 gusht dhe bazuar në të dhënat e përmirësuara mbi ngrohjen historike, e […]