NJË LAJM I MIRË!
Kush e di ligjin, e kupton menjëherë pse zhvillimet e SPAK-ut kanë rëndësi. Sepse në momentin që ndodh shitja apo tjetërsimi i një prone, blerësi që vepron në mirëbesim fiton një mbrojtje të caktuar ligjore.
Pikërisht për këtë arsye ishte thelbësore që shitja të konsiderohej e kryer. Dhe jo rastësisht, Rama në çdo dalje publike këmbënguli se shitja kishte ndodhur. Sot është më e qartë se pse këmbëngulte tek ai pretendim.
Por ndërhyrja e SPAK-ut tregoi diçka tjetër: shitja nuk ishte finalizuar. Me fjalë të tjera, nuk kemi një shitje të përfunduar, por një tentativë shitjeje që dështoi para se të prodhonte efektet e saj juridike. Dhe blerësi tentativ nuk mund të pretendojë më që e ka blerë në mirëbesim. Pra mbrojta që Rama, i instruktuar nga juristët, donte t’i jepte ligjërisht ka rënë.
Ky është lajmi i mirë për shqiptarët. Sepse nëse shitja nuk ka ndodhur, atëherë as tjetërsimi nuk ka ndodhur. Dhe nëse tjetërsimi nuk ka ndodhur, atëherë bie pretendimi se prona kishte kaluar juridikisht te blerësi. Shitja s’ka ndodhur se pa paguar tatimin e fitimit e pa parë kadastra lekët, vetëm t’i thonë burgut “hapu”, kadastra e të gjithë ata bashkë.
Por fakti që procesi u ndërpre para përfundimit ndryshon tërësisht kuadrin juridik të çështjes. Për këtë arsye SPAK-u meriton të vlerësohet, sepse ndërhyri para se tentativa të kthehej në fakt të kryer.
Pikërisht në këtë pikë lindin pyetjet më interesante. Nëse shitja nuk kishte ndodhur ende, kush e mori lejen për gardhimin e pronës? Kur policia deklaroi se bëhej fjalë për “tokë private”, mbi cilat dokumente u mbështet për të verifikuar pronësinë? Tokë private e kujt ishte në atë moment? E shitësit, që ende figuronte pronar, apo e një blerësi që nuk e kishte përfunduar procesin e blerjes? Kush aplikoi për lejen e rrethimit: pronari ekzistues apo blerësi në tentativë? Dhe nëse ishte ky i fundit, me çfarë statusi juridik e bëri këtë kur vetë shitja nuk ishte finalizuar?
Këto pyetje bëhen të pashmangshme sapo pranohet fakti se shitja dështoi. Pikërisht për këtë arsye sot merr një kuptim tjetër edhe këmbëngulja e Ramës për ta paraqitur shitjen si të kryer. Sepse në momentin që pranohet se shitja nuk ishte finalizuar, lindin automatikisht pyetjet për gardhimin, lejet, dokumentacionin, regjistrimet dhe bazën ligjore të çdo veprimi të kryer mbi atë pronë.
Në fund, çështja nuk qëndron te deklaratat politike, por te faktet juridike. Nëse shitja nuk u finalizua dhe tjetërsimi nuk ndodhi, atëherë procesi është ndalur. Dhe kjo është fitore e protestës dhe vlerësim për SPAK. Ky është thelbi i lajmit. Ka ndaluar tjetërsimi, e si rrjedhojë vijimi, për sa kohë është në hetim nga SPAK.
Kjo është arsyeja pse puna e SPAK-ut jep shpresë. Sepse pavarësisht dëshirës së kujtdo, përfshirë edhe Ramën, shitja nuk u bë fakt i kryer. Tentativa dështoi. Procesi u ndal.
Dhe kur procesi ndalet në këtë fazë, hapet rruga që të shqyrtohen të gjitha veprimet, dokumentet, lejet dhe procedurat që e shoqëruan atë. Ky është lajmi i mirë për protestuesit dhe për këdo që kërkonte që çështja të mos mbyllej me logjikën e faktit të kryer.
*Azmi Stringa është akademik, ekonomist dhe Kontabilist i Certifikuar Publik (CPA) i njohur shqiptar, i specializuar në financat publike, zhvillimin ekonomik dhe politikën fiskale. Ai është lektor në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë (UNYT) dhe kontribuon rregullisht në debate publike dhe media mbi ekonominë e Shqipërisë.


