Nga Reila Bozdo: Informaliteti dhe korrupsioni do të rëndojnë pasojat e pandemisë në Shqipëri.

Informaliteti dhe korrupsioni do të rëndojnë pasojat e pandemisë në Shqipëri.

Nga: Reila Bozdo

Një shkrim në faqen e Bankës Botërore të datës 23 qershor, analizon se si informaliteti në ekonomi do të rëndojë pasojat e pandemisë Covid-19 për tregjet në zgjerim dhe ekonomitë në zhvillim. Ai thotë se pandemia do të ketë pasoja të rënda veçanërisht për vendet që kanë nivel të lartë të ekonomisë informale. Kjo edhe si pasojë e mosregjistrimit të punonjësve informalë që si të tillë nuk do të kenë akses tek ndihmat e qeverive. Informaliteti lidhet me një numër fushash të pazhvilluara si përhapja e varfërisë, mungesa e aksesit në sistemin financiar, mungesa në shërbimin publik dhe burime mjekësore, dhe rrjete të dobëta të sigurisë sociale. Të gjitha këto vulnerabilitete kanë amplifikuar shokun ekonomik ndaj mjeteve të jetesës në përballjen me Covid-19, dhe do të çojnë miliona njerëz drejt varfërisë ekstreme, me pasoja veçanërisht të rënda mbi gratë, thekson Shu Yu për World Bank. Shkrimi thotë se informaliteti i përhapur lidhet me akses të kufizuar në burimet mjekësore, si edhe tek pastrimi dhe higjena dhe se mbyllja e aktiviteteve gjatë pandemisë goditi më fort të punësuarit informalë sidomos në sektorët ku punësimi informal është i zakonshëm, sic është psh sektori i agrikulturës.

”Si shtesë e këtyre problemeve, qeveritë tentojnë të jenë më pak efektive dhe korrupsioni është më shumë i pakontrrolluar në vende me informalitet më të përhapur, duke rezultuar në përdorim më pak efektiv të burimeve publike.” – vazhdon shkrimi.
Në mënyrë të përmbledhur kjo më lart është çfarë shkruhet në artikullin e World Bank. (World Bank, 2020)
Informaliteti dhe korrupsioni janë dy probleme të mwdha për Shqipërinë dhe rreziku për ne në bazë të këtij arsyetimi duket se do të jetë i madh.

Cili është niveli i informalitetit në Shqipëri?
Shqipëria klasifikohet si vend në zhvillim/rritje me të ardhura mesatare-të larta ($3.956 – $12.235) sipas ILO (2018). Ekonomia hije raportohet mesatarisht 15-20 % e GDP në ekonomitë e avancuara dhe 30-35% e GDP në vendet në rritje/zhvillim. (IMF, 2019) Sipas studimit në nivelin 30-35 % gjendet edhe Shqipëria.
(Ekonomia hije përfshin të gjitha aktivitetet të cilat do të ishin të taksueshme nëse do të deklaroheshin. Ajo gjithashtu quhet ekonomi e nëndheshme, informale, paralele.)
Informaliteti në vend tenton të jetë mjaft i lartë në disa sektorë të caktuar, duke e kaluar 50%.

Cili është niveli i korrupsionit në Shqipëri?
Sipas Transparency International Corruption Index 2019, Shqipëria ëshët ndotur më shumë nga pikëpamja e korrupsionit duke u vlerësuar me 35 pikë nga 100, ku 100 është shkalla maksimale e pastërtisë nga korrupsioni dhe drejt vlerës 0 pozicionohen vendet me më shumë ndotje korruptive. Si e tillë Shqipëria është renditur në vendin e 106-të nga 198 vendet në studim, duke u përkeqësuar me 7 vende krahasuar me një vit më parë. Figura e mëposhtëme tregon se si kanë ndryshuar treguesit e korrupsionit në Shqipëri në vite. 2019 shënon një rritje të ndjeshme.

Burimet e sipërcituara na bëjnë të kuptojmë se niveli i korrupsionit në të cilin është zhytur Shqipëria dhe niveli i informalitetit që kemi do të na bëjnë të ndjejmë më shumë pasojat e pandemisë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi Indexin e Biznesit të anëtarëve të saj duke treguar se treguesi i 2019-ës është përkeqësuar duke humbur 4.98 pikë krahasuar me vitin 2018. Përkeqësim në këtë raport tregojnë edhe indikatorët ‘Niveli i Ekonomisë Informale’ me -4.54 pikë dhe ‘Niveli i Korrupsionit’ me -5.9 pikë. ‘Klima e brendëshme poltike’ është indikatori i vlerësuar si më problematiku në Indexin e Biznesit të AmCham duke e lidhur drejtpërdrejt mjedisin politik me shqetësimin e biznesit.

Është e qartë se si janë të lidhur treguesit me njër-tjetrin dhe çfarë vlere kanë ata për ekonominë në tërësi në nivel aktual dhe të tëndencave për të ardhmen e afërt.

I kombinuar edhe me faktorë të tjerë situata duket se do të përkeqësohet edhe më shumë nga kufizimet dhe jeta e re në kushtet e pandemisë.
Në këto kushte bëhet jetik ndryshimi i kursit të performancës së qeverisjes së vendit drejt përmirësimit dhe përmirësimi i klimës së biznesit në vend.

Ndryshimi politik është i detyrueshëm dhe duhet të jetë cilësor, i vërtetë dhe i shpejtë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here