Nga Fjoralba Hysa
Kur mendoj prishje e fadroma kujtoj tërmetin e frikshëm të 26 nëntorit. Atëherë ishte dimër dhe tronditi herët në orët e para të mëngjesit. Edhe të dielën mu duk njëlloj, shembje, por kësaj here e planifikuar, me qëllim rindërtim, dhe pa viktima në njerëz, por në histori.
Nuk është ditë e martë, sic shpesh e konsiderojmë ters. Nuk jemi në kohë normale paqeje, por në luftë me një virus.
Teatri u shemb! Raportohet kudo. Cfarë?! Fakt i kryer tashmë. Sot, ditë e diel, njerëzit po pushojnë, edhe institucionet! Supozohet.
Televizionet, të shumtët, janë me lidhje direkte nga vendngjarja. Protestues kudo rreth ngjarjes.
Në anë janë forca policie të cilët të ngjallin frikë, thua se po luftojmë me serbin. Në qendër është ish ai, ish Teatri Kombëtar. Tani pa formë, pa hyrje pa dalje, pa histori, me artistë që i qajnë rreth, atij. Vetëm kaq mjafton të shohësh dhe të ndjesh frikë, të ndjesh dhimbje. Janë pamje që të shqetësojnë, kur mendojmë se jemi post-tërmet dhe këmbë e kokë në pandemi. Pa menduar më thellë pro-teatrit të vjetër apo atij të riut, modernit.
Janë grumbuj në ngjarje, qyetarë që identifikohen me teatër, me histori. Me të rinj që kanë frikë nga prishjet ashtu si unë. Gërmadhat e ngurta prej tërmetit i kemi të freskëta ende.
Në rrugë janë gjyshër e gjyshe që ju dhemb rasti, se nuk do ti kalojnë më në krah atij, ish teatrit, gjatë shëtitjeve të ditëve të ngrohta, me diell e aromë, si në Tiranë. Për artistët që lujatën një jetë në atë godinë për të na argëtuar,mësuar, për të mbjellë kulturë e histori në tokën tonë, në gjakun tonë, s’po flas. Ata e kthyen atë ndërtesë “të shëmtuar në mes të Tiranës” në objekt kulture, edhe pse nuk u ndërtua për ta në fillimet e veta. Nuk dua ti prek më ndjenjat e tyre për shembjen e sotme. Ata dinë, ndjejë shumë më shumë.
Se di pse kam besimin se nëse kjo shembje që sipas meje ishte flagrante, do të kishte ndodhur në kohën kur Lëvizja Mjaft ishte në lulëzimin e saj, dhe të them të drejtën më pëlqente në atë kohë, zoti Veliaj do shkruante si unë tani.
Por sot, vite pas Mjaftit, gjërat kanë ndryshuar, kanë evoluar. Edhe ndërtesat duhet të shëmben e të rindertohen më moderne, kohë e pa kohë. Firmat e dhëna duhet të zbatohen, ndryshe ka penalizim. Ky eshte fakt, e dimë edhe ne populli.
Vetëm pak ditë më parë, në rrugë raportoheshin tanke ushtarake, për faktin, se vendi është në luftë me një armik fluid, jo fizik, covid-19.
Ngjyra lufte, makina lufte, shpenzime lufte, paga lufte, penalizime lufte. Cdo gjë lufte për të mbrojtur jetët e gjalla. Qëllimi në këtë këndveshtrim më qetëson disi. Bravo kam thënë nga larg, për masat e marra kundër covid-19. Megjithatë s’më është dukur mirë aspak, ngjyra e kamoflazhtë, as paniku dhe as fjala luftë aq shumë e lakuar prej javësh.
Sot qyetarët e kanë harruar virusin. Kanë harruar edhe tankun të parkuar në një nga rrugët më të bukura të Tiranës. Kanë harruar edhe penalizimet për thyerje të distancave. Kanë harruar maskat, dorezat. Kane harruar virusin i cili eshte ende rrotull, që vlen të mos nënvlerësohet.Teatri, ai ka më shumë rëndësi se jeta e tyre. Ata janë aty ndërsa muret e vjetra ata “të shëmtuarat” jo modernet, bien dhe bashkë me to, historia e tyre.
Ai ish teatër s’do jetë më, s’do shkruhet më as se kur u ndërtua për herë të parë, as për funksionet që ajo ndërtesë luajti ndër dekada, në kohë paqeje, luftë a pas lufte. Historia do të shkruhet e re. Do të nisë me datën e shembjes dhe sa shpejt e herët u shemb, por jo më përtej se kaq. Në fund të fundit, kujt do ti duhet ajo, pa një imazh që ta veshë historinë text?
Në një video sqaruese dhe sensibilizuese kryebashkiaku Veliaj thekson se “ajo godinë s’ka qenë kurrë teatër, s’është ndërtuar për teatër”. Por ajo ndërtesë u kthye në teatër dhe kjo është historia. Kur ajo godinë u ndërtua vinte erë lufte botërore, sot që po shembet është prapë luftë botërore, por me virus të padukshëm, jo me shtete të vërteta. Po, kjo po, që i lidh dy pjesët e historisë bashkë.
Sipas kryebashkiakut Veliaj ndërtesa ishte e kalbur dhe jo e sigurt. E marr këtë të mirëqenë për hir të një logjike argumenti.
Po edhe kaq urgjente sa të prishej me natë, duke gdhirë e diela dhe ne një kohë pandemie botërore, nuk ishte. Kjo më përcan logjikën e të menduarit dhe të të shkruarit.
Këtu, tani s’po qaj pse u prish teatri. Tani më dhemb pse nuk u mund të rikonstruktohet ai? Pse nuk u ndërhy më vonë në kohe kur virusi të kishte ik? Pse u shemb me natë? Pse keqtrajtime
dhe shoqerime në polici? Janë pamje stresuese ju të dashur që prishni për të rindërtuar dhe luteni për bashkëpunim.
Janë mendje njerëzore që dhunohen, kjo më shqetëson. Mendjet nuk duan fadroma për t’u thyer.
Tërmetet ikën dhe kurrë më mos na lëkundshin, o Zot. Teatri i vjetër iku. Virusi covid-19 akoma.
Shembje dhe protesta në kohë pandemie vetëm në Shqipëri ndodhin. Kjo më dhemb mua tani. Kur një dicka, cfarëdo gjëje bëhet ashtu në mënyre flagrante, fsheh dicka jo të mirë dhe në interes jo të shumicës. Demokraci dhe flagranca nuk janë dhe kurrë s’do të jenë sinonim i njëra-tjetrës.
Qofsha unë e gabuar.
Londër, 17 Maj 2020.