Bullizmi. Çfarë është dhe ku ndodh?

E. Alliu, Sh. Këllezi

Fenomeni i bullizmit është një dukuri e vjetër.  I pari që e ktheu në objekt të studimeve të tij ishte psikologu  suedezo-norvegjez, Dan Olweus. Gjatë viteve ’70-të ky koncept u zhvillua dhe u përhap vetëm në gadishullin Skandinav. Më vonë gjeti shtrirje edhe në Japoni, Britaninë e Madhe, Hollandë, Amerikë, ku jo vetëm nisi të studiohej por dhe të hartoheshin politika parandaluese ndaj tij. Ç’kuptojmë nën termin bullizëm?

Etimologjia e fjalës bullizëm rrjedh nga anglishtja. “Bully” është sinonimi i një tirani, personi konfliktual. Përpos termit bullizëm, në Gjermani, Austri, Gadishullin Skandinav këtë fenomen e ndeshim nën emërtimin“Mobbing”. Nga gjuha Angleze: “to mob” do të thotë të keqtrajtosh dikë në turmë.

Olweus e përkufizon bullizmin si: “Sjellje negative, e qëllimtë dhe e përsëritur e një ose disa personave, kundrejt një individi, i cili e ka të vështirë të vetëmbrohet.” Ai e shtjellon më tej:

  • Sjellje agresive ose shkaktim i qëllimshëm i dëmeve.
  • Të përsëritura për një periudhë të gjatë kohe thuajse çdo ditë.
  • Në një marrëdhënie ndër njerëzore, në të cilën ka ose perceptohet një pabarazi e pushtetit ose e fuqisë.

Psikologu Leymann e përcakton bullizmin si:

“Zhvillime negative komunikative kundrejt një personi (nga një ose më shumë individë), të cilat shfaqen shpesh e për një kohë të gjatë dhe janë tipari dallues i marrëdhënies së autorit me viktimën.”

Ajo që bie në sy është kufizimi që kanë këto definicione. Në të dyja rastet viktima është një individ i vetëm por, pre e bullizmit mund të jenë edhe një grup vulnerabël i shoqërisë, për shembull femrat, njerëzit me aftësi ndryshe, grupe të caktuara etnike apo pakica kombëtare e të tjerë. Olweu e thekson pabarazinë e fuqisë ose pushtetit në këtë marrëdhënie njerëzore si një kusht që favorizon shfaqjen e këtij fenomeni. Sikundër Leymann, ashtu edhe Olweue lenë paksa evaziv caktimin e kufijve kohor. Ata theksojnë se që të cilësohet si bullizëm, sjellje të tilla duhet të shtrihen në një periudhë të gjatë, pa e specifikuar më saktë këtë segment. Në këto kushte lind pyetja, nëse dikush është i ekspozuar ndaj sjelljeve të përmendura më lartë gjatë një muaj rrjesht, a mund të quhet pre e fenomenit bullizëm? Vlen të theksohet fakti se në linja të përgjithshme studiuesit bien dakord në përcaktimin e bullizmit përmes përkufizimeve të mësipërme.

Jo çdo formë e dhunës është bullizëm, por çdo formë e bullizmit është dhunë. Për të kuptuar bullizmin, është me vend të qartësojmë konceptin e dhunës. Siç Olweu e thekson, shpesh nën dhunën nënkuptojmë agresivitetin, i cili mund të jetë i natyrës psikologjike ose emocionale. Megjithatë sipas tij, dhuna ndodh atëherë kur agresori përdor trupin e tij, sende të forta ose edhe armën për të dëmtuar viktimën. Si bullizmi, ashtu edhe dhuna janë nënkategori të agresivitet.

Presioni psikologjik joverbal. Hedhja e vështrimeve të pakëndshme të cilat shoqërohen me gjeste dhe mimikë ofenduese. Mospranimi i viktimës në një grup social në heshtje, siç mund të jetë për shembull një skuadër futbolli. Bullizmi mund të shfaqet në format e mëposhtme:

  • Presion psikologjik verbal, i cili mund të shfaqet në përhapjen e thashethemeve të pavërteta mbi viktimën. Kërcënime dhe vendosja nën presion të vazhdueshëm. Komentimi i mendimeve të tij në formë dashakeqe. Të qeshura dhe ngjitja e nofkave ofenduese kur viktima bëhet pjesë e një ambienti të përbashkët.
  • Ushtrimi i dhunës fizike. Përplasja e derës në fytyrë, goditja me shqelma, hedhja përdhe etj.

Bullizmi në shkollë

Një ndër institucione ku ndodh bullizëm është shkolla. Autorë të shumtë e kanë studiuar shfaqjen e fenomenit që nga cikli fillor e deri në gjimnaz. Prej tyre konstatojmë se në ciklin nëntë vjeçar ushtrohet më shumë bullizëm se sa në gjimnaz. Si vajzat ashtu edhe djemtë janë të përfshirë njësoj në një proces të tillë. Ata ndryshojnë në format e bullizmit që përdorin. Bullizmi indirekt, si përhapja e të pavërtetave, është tipik për vajzat, ndërkohë që djemtë janë direkt dhe si të tillë, ushtrojnë më shumë bullizëm të shoqëruar me dhunë fizike.

Roli i tyre në një episod tipik bullizmi përcaktohet gjithashtu dhe nga normat kulturore. Duke qenë se vajzat përgjithësisht perceptohen në shoqëri si më të ndjeshme, më të kujdesshme, shpesh ato marrin rolin e mbrojtëses së nxënësit ndaj të cilit ushtrohet bullizëm. Zakonisht në një situatë të tillë kemi disa “aktorë”.

  • Viktima dhe autori mund bëjnë pjesë brenda një klase ose në të njëjtën shkollë. Ato janë palët kyçe.
  • Në krah të autorit ose autorëve është grupi i nxënësve që e mbështesin atë dhe janë aktiv.
  • Më pas pozicionohen fëmijët që e mbështesin bullizmin por qëndrojnë pasiv. Këto njihen ndryshe si autorë potencial të bullizmit.
  • Vëzhguesit, të cilët janë indiferent dhe udhëhiqen nga motoja “problem që nuk më përket mua”
  • Mbrojtësit potencial mendojnë se duhet të mbrojnë viktimën, por nuk e ndërmarrin një veprim të tillë.
  • Mbrojtësit e mohojnë në mënyrë absolute bullizmin dhe përpiqen ta parandalojnë përmes mbështetjes së viktimës së bullizmit.

Karakteristikat e autorit dhe viktimës

Për të njohur zanafillën e këtij fenomeni, ka rëndësi dhe përcaktimi i stereotipit të autorit. Në literaturë theksohet se nuk ekziston një profil klishe i tij. Kryesisht janë fëmijë të cilët, dëshirojnë të demostrojnë pushtet dhe fuqi ndaj të tjerëve. Përmes sjelljeve agresive, ata vendosin autoritetin e tyre e në të njëjtën kohë, përpiqen të fshehin dobësitë që kanë. E parë nga kjo prespektivë, autori është dhe vetë një person i dobët. Ai përdor një taktikë për zgjedhjen e nxënësit, ndaj të cilit do të ushtrojë bullizëm. Viktimë bien kryesisht fëmijët që nuk kanë dëshirë të përfhihen në konflikte, reagojnë shumë pak dhe nuk bëjnë rezistencë. Gjithashtu studiuesit janë të mendimit se, familja luan një rol të madh tek autorët e bullizmit. Zakonisht këto fëmijë kanë mungesë të ambientit të ngrohtë e të dashur familiar. Metodat e edukimit të tyre ndodh që janë të shoqëruara me episode dhune si për shembull: rrahja dhe dënimi pas një gabimi. Gjithashtu ata janë shpesh dëshmitar të dhunës në familje.  Studiuessit theksojnë se autorët nuk janë mësuar të përballen e të zgjidhin një konflikt në mënyrë konsensuale. Prindërit dhe metodat e tyre të prindërimit mund të ndikojnë në nxitjen ose parandalimin e këtij fenomeni.

Disa kushte të tjera, të cilat favorizojnë bullizmin, janë filmat dhe lojrat elektronike të mbushura me skena të dhunshme. Konsumimi i tyre shkakton mungesën e empatisë ndaj të tjerëve.

Spas Olweu,  viktimat e bullizmit ndajnë këto tipare kryesore:

  • Ato janë natyra introvertë, të urtë, të turpshëm
  • Frika, pasiguria, mungesa e gëzimit dhe e vetëbesimit janë karakteristika të tjera shoqëruese,
  • Shpesh janë depresiv,
  • Komunikojnë më lehtë me të rriturit se sa me moshatarët e tyre.

Tiparet e lartpërmendura janë arsyeja dhe në të njëjtën kohë konsekuencat e një fenomeni të tillë. Siç do të shihet në paragrafët që vijojnë, këto karakteristika janë thuajse të njëjtat me ato që përmend Leymann për viktimat e bullizmit në vendin e punës.

Bullizmi në vendin e punës

Para së gjithash, është me rëndësi të theksohet se jo çdo konflikt që shfaqet në vendin e punës mund të konsiderohet bullizëm. Në Republikën e Shqipërisë, sikundër edhe në shumë shtete të tjera Europiane, nuk ekziston një nen, i cili të diferencojë qartë konfliktin nga bullizmi. Suedia është i vetmi vend që e rregullon këtë marrdhënie përmes ligjit anti-bullizëm.

Një studim i kryer nga “Bashkimi i Sindikatave” të Industrisë së Metalit, i rendit arsyet e mëposhtme si faktorë të nxitjes së bullizmit në vendin e punës.

Kushtet e punës – Rritja e stresit si rezultat i shtimit të intensitetit të detyrave, i ndërrimit të teknologjisë, i rritjes së përgjegjësisë dhe tensionit në marrjen e vendimeve si dhe nevoja e kualifikimeve të vazhdueshme. Situata të tilla mund ta vendosin të punësuarin përpara frikës së humbjes së vendit të punës, së mosarritjes së rezultateve të dëshiruara etj. I gjendur në situata të tilla, ndodh që i punësuari të bëhet shënjestër e sjelljeve të pakëndshme në intervale të gjata kohore nga kolegët.

Transformimi i organizatës – Së fundmi bullizmit po përdoret si një instrument nga departamenti i personelit, me qëllim shkurtimin e të punësuarve në rastet e ristrukturimit të organizatës. Ky presion ushtrohet veçanërisht kur nënpunësi është i mbrojtur nga marrëdhënia kontraktuale.Të prekur janë të punësuarit që bëjnë pjesë në këto kategori: nënat shtatzënë, të punësuarit në kohën e prindërimit, të punësuarit prej një kohe të gjatë si dhe punonjësit që vuajnë nga probleme shëndetësore. Problemet e funksionimit të organizatës, ngrihen si akuza mbi grupet e përmendura më lartë. Personalizimi i tyre krijon hapësirë për konkurrenc, cmirë, xhelozi dhe hakmarrje. Përballë një situate të tillë, puonjësit dorëhiqen duke dhënë fund marrëdhënies kontraktuale në disfavorin e tyre. Nga ana tjetër kompania kursen kostot si rezultat i zgjidhjes së kontratës nga pala tjetër.

Përpos aspekteve të trajtuara në paragrafin e bullizmit në shkollë, viktimat sulmohen edhe për arsyet e mëposhtme:

  • Kur kolegu është i ri në pozicionin përkatës
  • Kombësinë
  • Gjuhën
  • Aftësi ndryshe
  • Mosha
  • Të ardhurat, arsimimi
  • Feja, qëndrimet politike

Literatura sjell shembujt e pasojave të bullizmit në vendin e punës. Stresi i akumuluar ndikon në shfaqjen e sëmundjeve me natyrë psikosomatike. Të punësuarit ulin vetëvlerësimin, ndihen të padobishëm, depresiv dhe madje arrijnë deri në mendime suicidi.

Cyber-Bullying

Një tjetër vend, në të cilin shfaqet bullizmi me të gjitha karakteristikat e lartpërmendura, janë rrjetet sociale. Keqtrajtimi i viktimës mund të ketë filluar jashtë internetit dhe zhvendoset më tej në rrjete sociale ose e anasjellta. Gjihashtu nuk përjashtohet mundësia që të zër fill direkt në to. Karakteristikat kryesore, të cilat e diferencojnë cyber-bullying nga format e tjera, janë:

  • Ngacmime dhe përfshirja për plotë 24 orë në sferën e jetës private. Bullizmi nuk përfundon në shkollë ose punë, por zhvendoset më tej në internet.
  • Publik shumë herë më i madh se sa në shkollë, vendin e punës e të tjerë. Hedhja e të dhënave online është e pamundur të kontrollohen.
  • Autori mund të jetë anonim.

/mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here