Nga përmirësimi i fokusit deri te forcimi i lidhjeve njohëse, shkrimi me dorë ofron përfitime neurologjike që teknologjia moderne nuk mund t’i imitojë.
Mendoni për herën e fundit që keni shënuar diçka shpejt ose keni krijuar një listë blerjesh. Ka shumë gjasa që nuk e keni bërë me letër dhe stilolaps. Gjatë dekadës së fundit, tastierat dhe ekranet kanë zëvendësuar gradualisht shkrimin e dorës në rutinat tona të përditshme, nga shkollat deri te mbledhjet e punës. Disa institucione arsimore madje e kanë hequr mësimin e shkrimit të dorës nga kurrikula.
Megjithatë, studimet tregojnë se vendosja e lapsit në letër ofron përfitime konjitive që mjetet digjitale nuk mund ta imitojnë.
Pse shkrimi i dorës është i dobishëm?
Avantazhet e shkrimit të dorës lidhen pjesërisht me aktivizimin e shumë shqisave gjatë procesit të shkrimit.
“Mbajtja e një stilolapsi me gishta, ushtrimi i presionit mbi sipërfaqe dhe lëvizja e duarve për të krijuar shkronja dhe fjalë është një aftësi e ndërlikuar konjitive-motore që kërkon shumë vëmendje,” thotë Mellissa Prunty, pedagoge në Universitetin Brunel në Londër, e cila ka studiuar lidhjen midis shkrimit të dorës dhe të nxënit.
Hulumtimet tregojnë se shkrimi i dorës ndihmon në leximin dhe drejtshkrimin tek fëmijët, pasi përshkruan një nivel më të thellë të përpunimit konjitiv. Për të rriturit, ai gjithashtu ndihmon në ruajtjen e informacioneve dhe njohjen më të shpejtë të simboleve të reja gjuhësore.
Shkrimi i dorës kundrejt shtypjes së tastierës
Për të kuptuar më mirë sesi shqisat tona ndikojnë tek të menduarit, mund ta krahasojmë trurin me një sistem rrugor. Të dhënat të cilat procesohen me shkrimin e dorës formojnë “autostrada” të qarta që lidhin pjesë të ndryshme të trurit, ndërsa shtypja e tastierës aktivizon vetëm një pjesë të kufizuar të tij.
Një studim i fundit i kryer nga Audrey van der Meer, profesoreshë e neuropsikologjisë në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Norvegji, analizoi skanimet e trurit të studentëve që shkruanin me dorë dhe atyre që shtypnin në tastierë. Rezultatet treguan se e gjithë truri ishte aktiv gjatë shkrimit me dorë, ndërsa me tastierë aktivizoheshin vetëm disa zona të kufizuara.
Ruajtja e shkrimit të dorës në arsim
Disa vende, si Norvegjia dhe SHBA, kanë hequr ose zvogëluar ndjeshëm mësimin e shkrimit me dorë nga shkollat. Por, duke u bazuar në përfitimet e tij, disa shtete po e kthejnë sërish atë në kurrikulë.
Ekspertët rekomandojnë që edhe të rriturit ta përdorin përditë stilolapsin dhe letrën, pasi është një ushtrim i shkëlqyer për trurin dhe ndihmon në ruajtjen e aftësive konjitive në afatgjatë.