Rama ka prishur “paktin e vjetër”, por nuk është as autori

Fakte:
Sali Berisha nuk i ngriti Fatos Nanos asnjë akuzë penale, megjithëse çdo ditë na thuhej se “Dy diktatorë ka Ballkani, Fatos Nano dhe Sllobodani” dhe Nano ishte simbol i vjedhjes. Jo vetëm Nanos por akuzë nuk iu ngrit as ministrave të tij si Anastas Angjeli, damkosur nga PD si kryehajduti.
E jo vetëm ministrave por as drejtorëve të KESH si Dritan Prifti apo Andis Harasani të shpallur asokohe simbole të korrupsionit. Akuzë nuk iu ngrit as Ilir Metës të shpallur nga Berisha live si vrasës, hajdut, trafikant droge, fëmijësh dhe vajzash minorene. U arrestuan zyrtarë të panjohur të niveleve të ulëta.
Në vitin 2007, Sali Berisha pas takimit me Fatos Nanon, deklaroi se ato kanë qenë akuza politike. Pra, u pranua publikisht se kishim një parti dhe një kryeministër të cilët politikisht akuzonin këdo e për gjithçka – për krime monstruoze. Ndërsa kur vinte puna për të vepruar, edhe pse kishin shtetin në dispozicion dhe dosjet në sirtar, nuk i çonin ato në prokurori.
Njëjtë u veprua me Edi Ramën. Edhe pse ai qysh në vitin 2000 u shpall “Edvini i Zi” dhe në Tiranë kumbonte kumti poetik i Berishës “Edvin, je më i zi se nata, je hajdut, je abuzues, je mr.20-përqindësh,” kur Lulzim Basha hyri në bashki, asnjë dosje e Ramës nuk u adresua në prokurori. Fakte këto që dëshmojnë ose imoralitet të madh, ose pafytyrësi ekstreme, ose pakt të fshehtë për të mos u vendosur “tradita” e cënimit deri në nivele politike, ministrash, kryeministrash, deputetësh, se po u vendos tradita, rrezikohen të gjithë.
Edhe pas vitit 2013, Edi Rama njëjtë si Berisha nuk adresoi diçka domethënëse për ish-qeverinë. Loja ndryshoi në vitin 2016 kur Sekretari i Shtetit John Kerry erdhi në Tiranë dhe i bëri thirrje parlamentit të votonte Reformën në Drejtësi pasi ajo ishte interes amerikan në rajon.
Prej vitit 2016, politika shqiptare nuk njohu asnjë ditë qetësi, vetëm krizë, destabilitet, bllokim institucionesh, çadër, djegie mandatesh, bojkote zgjedhjesh, protesta të dhunshme, nongrata, luftë civile në PD, arrestime në radhët e qeverisë, tashmë edhe të opozitës.
Nëse Rama i ka iniciuar vetë ato zhvillime, dmth Rama ka prishur “paktin e vjetër” për të mos goditur në nivel përfaqësuesish politikë, sado të ketë vjedhur e abuzuar kundërshtari. Por nuk duket që Rama të jetë autori, pasi Rama së pari nuk është aq trim sa për të përballuar rebelimin e Berishës e Metës së 2018-ës. Ata do i shkaktonin “mini-97” dhe Rama nuk mundej t’i rezistonte flakës. Së dyti, Rama nuk ka interes për ta vendosur atë precedent pasi digjej edhe vetë.
Paktin e prishi Amerika. Fakti është publik: Kërkesa e Sekretarit të Shtetit, deklarimi i reformës si interes amerikan. Ata e shpallën dhe ata e mbrojtën rendin politik nga çdo rebelim i mundshëm. Me dorë të hekurt dhe vullnet të çeliktë ata nuk lejuan destabilitet i cili do të rrezikonte interesin amerikan (SPAK-GJKKO). Rama thjesht iu shërbeu për të çuar përpara interesin, duke përfituar edhe vetë.
Ndërsa PD-ja prej vitit 2017 i shërbeu Edi Ramës duke e paraqitur atë si të vetmin politikan të besueshëm tek amerikanët, si politikanin që do të çonte përpara interesin e shpallur nga Sekretari i Shtetit. PD me “strategjinë e saj” e forcoi shumë marrdhënien e Ramës me amerikanët sepse ishte Reforma dhe atyre iu duhej kryeministri. Siç kriza ballkanike në vitet 1990 pati forcuar mardhënien e Berishës e pastaj Nanos me amerikanët, pasi iu duhej Shqipëria.
Nëse PD do të ishte pasur strategjinë për tu përfshirë në konkretizimin e atij interesi në Shqipëri, raporti i Ramës do të ishte dobësuar. Mirëpo PD e kishte të pamundur pasi Berisha do të ishte i detyruar të çmontonte “shtetin privat” brenda shtetit, të dorëzonte disa gjyqtarë e prokurorë. Mbi të gjitha të hapte krahun vetë dhe të ishte një PD tjetër me njerëz të tjerë ajo që do ta gëzonte mbështetjen e qeverisjen pas Ramës.
Në vend të strategjisë së dhelprës u zgjodh goditja e murit me kokë, u sakrifikua dhe u shkatërrua PD-ja por edhe nuk u shpëtua dot asgjë. SPAK u formua, Berisha në arrest e me tri dosje, Meta në burg, Basha në SPAK. Nga ana tjetër Rama nuk bëri asnjë qëndresë edhe pse ministra, kryebashkiakë, deputetë i shkuan dhe do t’i shkojnë në burg dhe, ai vetë nuk është i sigurt për fatin e vet.
Rama veç manovron dhe mundohet të shfrytëzojë qenien i nevojshëm në atë marrdhënie interesi, pasi askush tjetër momentalisht nuk është aq faktor e i nevojshëm për të dhënë garanci dhe krijuar besim se ka fuqi për të mbajtur stabilitetin që nevojitet.
Shkruar nga Indrit Vokshi. 
Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here