back to top
Friday, July 31, 2026
32.9 C
Tirana

Top 5 E JAVËS

Artikuj të ngjashëm

Nga Denis Dyrnjaja: Iku dhe Jola!

Jola Hysa nuk ishte një militante e zakonshme e PD. Ajo mbante deri para disa kohësh detyrën e Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun dhe normalisht duhej te ishte një nga zërat më të dukshëm të brezit të ri brenda partisë. Por nuk ndodhi kështu, përtej përpjekjeve të saj personale.

Ajo është një politikane e artikuluar, luftarake, me potencial dhe me një profil publik që spikat. Pikërisht njerëz me këtë profil janë ata që çdo forcë politike përpiqet dhe duhet t’i afrojë, t’i mbajë pranë e t’i promovojë. Por në PD nuk ndodh kështu. Në PD është një garë e ethshme që të promovohen ata që i pëlqejnë kryetarit, jo publikut. Dhe kryesisht kryetari do ata që mendojnë se ai nuk ka faj e gabim asnjëherë, derisa kuptojnë se nuk do t’i japë atë që shpresojnë dhe pastaj e sulmojnë madje edhe e tradhtojnë. Dhe sigurisht i pret damka e tradhëtisë.

Pas 13 vitesh në opozitë, PD duhej të ishte bërë një magnet për njerëz me ide, personalitet dhe aftësi për të komunikuar me publikun. Duhej të ishte vendi ku rriteshin liderët e së nesërmes. Por në vend të kësaj, vazhdon të ruajë dhe të promovojë figura te gabuara. Dhe ç’është më e keqja ata/ato që pretendojnë t’iu zënë vendin me demek për kontribut e sakrificë, janë dhe me rëndë se ata që duhet të largohen. Pra PD është shndërruar në një forcë politike ku presin në radhë ata që janë edhe më keq se këta që duhen të ikin.

Problemi nuk është vetëm te Sali Berisha, problemi është kultura politike që është ndërtuar rreth tij. Kjo kulturë nuk favorizon qarkullimin e njerëzve, se të thuash elita duket disi e tepruar kur sheh çfarë niveli ka në qarkullim në paradhomën e madhe poltike të PD.

Prandaj pranë lidershipit është konsoliduar një rreth drejtuesish që duket se nuk e konceptojnë largimin si pjesë të natyrshme të jetës politike. Ndërsa harxhojnë shumë energji në marrëdhënie besnikërie që te kapin më pas pozicione e poste partie.

Vendimi i Jola Hysës për të pranuar ofertën e Edi Ramës për drejtimin e një agjencie shtetërore nuk është thjesht një lëvizje personale, por simptomë e një problemi të PD që nuk di as të shohë dhe as të vlerësojë e promovojë njerëzit e duhur që mund të përshpejtojnë ndryshimin e pushtetit.

Askush nuk mund t’i kërkojë një politikani të ri të presë pafundësisht. Sa duhet të priste Jola Hysa? Edhe 15 vjet, 20, 25 apo 30 vjet, derisa Sali Berisha të rikthehet në pushtet? Se opsioni i largimit të Berishës dhe kastës se tij nuk ekziston. Ndaj shpresa i kapërcen bindjet politike dhe shndërrohet në vendimmarrje pragmatike.

Njeriu nuk mund të presë derisa të vdesë politikisht, apo derisa t’i mbushet mendja Berishës se nuk është zgjidhja, por problemi i PD sot, prandaj në atë parti ka më shumë njerëz të pezmatuar sesa njerëz të motivuar të cilët në një moment vendosin të ikin përgjithmonë…

Artikujt më të klikuar