Një libër mbi bumin e ndërtimeve luksoze në Shqipëri është bërë një simbol i papritur për ata që kundërshtojnë modelin e zhvillimit urban dhe turistik të qeverisë.
Historia ndonjëherë merr kthesa të papritura. Edi Rama, kryeministri shqiptar, shkroi parathënien për një libër duke menduar se do të ishte një festim i rolit të qeverisë së tij në modernizimin urban të vendit. Por ndodhi krejt e kundërta: The Albanian Files është bërë një nga simbolet e demonstratave masive kundër qeverisë shqiptare. Disa nga protestuesit që mbajnë pankarta me kopertinën e librit gjatë marshimeve të natës në Tiranë, kanë dërguar një kopje në prokurori, duke pretenduar se përmban prova të korrupsionit të mundshëm në qindra projekte ndërtimi.
“Një libër nuk mund të zgjedhë se si do të lexohet pasi të jetë botuar,” thotë Anneke Abhelakh, redaktorja e librit dhe kuratorja e pavijonit shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2025. “Përmbajtja e tij nuk ka ndryshuar, por momenti historik në të cilin interpretohet po. Vetë materiali që u paraqit si dëshmi e transformimit tani figuron në debatin publik mbi mungesën e transparencës dhe menaxhimin e atij transformimi.“
‘Një periudhë e jashtëzakonshme në Shqipëri‘
Gati 800 faqet e The Albanian Files dokumentojnë, sipas fjalëve të redaktores së tij, “20 vjet transformim arkitekturor në Shqipëri“. Më shumë se 60 arkitektë nga e gjithë bota u ftuan të reflektojnë mbi përvojat e tyre të punës në Shqipëri, përmes intervistave, eseve, fotografive dhe hartave.
“Të gjitha këto elemente pikturojnë portretin e një periudhe në të cilën arkitektura u lidh ngushtë me identitetin në ndryshim të Shqipërisë. Shpesh përshkruhet si një libër mbi arkitekturën, por për mua është më saktë një libër mbi marrëdhëniet përmes të cilave prodhohet arkitektura,” thotë Abhelakh.
Në një shembull të kësaj në libër, arkitekti Sam Chermayeff përshkruan se si u punësua për të projektuar kullën 44-katëshe “Sun Moon Star” në Tiranë, jashtë proceseve të zakonshme të tenderimit dhe atyre administrative. Gjithçka u ra dakord përmes darkave joformale dhe telefonatave me Ramën dhe anëtarë të tjerë të qeverisë të cilët, me sa duket, më pas lehtësuan aksesin në tokën publike. Zemërimi ndaj këtij lloji qeverisjeje të errët dhe paralele është ajo që dërgon mijëra njerëz në rrugët e Tiranës çdo mbrëmje në protestë kundër zhvillimeve shumë miliardë dollarëshe të planifikuara për zonat e ndjeshme bregdetare.

Libri nuk u konceptua kurrë si një protestë, as si një mbrojtje e ndonjë projekti të caktuar politik, thotë Abhelakh. “U konceptua si një përpjekje për të kuptuar një periudhë të jashtëzakonshme në Shqipëri përmes arkitekturës. Në vend që të pyesja nëse ajo periudhë ishte e suksesshme apo e pasuksesshme, doja të kuptoja se si u prodhua, kush mori pjesë në të dhe se si arkitektura u bë një nga vendet ku konvergjuan ambiciet politike, ekonomike dhe kulturore. Fakti që libri është bërë që atëherë pjesë e protestave na tregon diçka të rëndësishme – jo vetëm për librin, por për Shqipërinë e sotme.“
Qendra e Artit Bashkëkohor Debatik (DebatikCenter of Contemporary Art) është një kolektiv artistik që ndërthur kritikën ndaj efekteve të neoliberalizmit në Shqipëri me praktikat artistike. Anëtarët e tij kanë qenë të përfshirë aktivisht në trazirat sociale që po tronditin vendin ballkanik që nga fundi i majit. Në një përgjigje kolektive, anëtarët e grupit Armando Lulaj, Jonida Gashi dhe Pleurad Xhafa shkruajnë, “libri ekspozon pa dashje vetë mekanizmat që kërkon të lavdërojë. Nuk ka pothuajse asgjë në këto faqe që i ngjan një projekti të përbashkët publik – një projekti për komunitetin. Në vend të kësaj, ato janë të mbushura me rrokaqiell, hotele luksoze dhe zhvillime të tjera private, shumë prej të cilave janë parashikuar të ndërtohen në tokë publike, në tokën e njerëzve të tjerë ose në zona të mbrojtura natyrore.“
Protestat filluan në kundërshtim me ndërtimin e një resorti luksoz në Ishullin e Sazanit, një projekt në të cilin është përfshirë Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump. “Por kjo është thjesht pika që derdhi gotën,” thotë DebatikCenter, “sepse zhgënjimi publik mbi mënyrën se si po organizohet planifikimi urban në Shqipëri, si dhe mbi menaxhimin e bumit turistik të vendit, ka ardhur duke u rritur prej vitesh.”
Për këta aktivistë artistikë, “kapitalizmi ultra-grabitqar” i mundësuar nga shteti është objektivi i vërtetë i protestave: “Trump-ët e mishërojnë veçanërisht mirë këtë model, megjithëse nuk janë ithtarët e tij të vetëm.“
Bollëk për kë?
Akuzat rreth marrëveshjeve të errëta të disa prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Kryeministrit Rama dhe përfshirjes së bosëve të krimit në tregun e lulëzuar të pronave në Shqipëri nuk janë të reja. Menjëherë pas fillimit të protestave, rrjeti i aktivistëve të Internacionales Progresive (Progressive International) i shtyu ato akuza më tej kur publikoi dokumente të rrjedhura të gjykatave dhe policisë shqiptare, të cilat tha se zbulonin një rrjet korrupsioni, trafiku droge dhe pastrimi parash me Ramën në qendër të tij.
Dokumentet zbulojnë se si Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i kryesuar nga vetë Rama, ka dhënë sistematikisht leje ndërtimi në bregdetin e Adriatikut dhe në Tiranë për kompani të lidhura me pastrimin e parave. Mes tyre bie në sy një kompleks turistik luksoz në ligatinën e mbrojtur të Zvërnecit, i lidhur gjithashtu me Jared Kushner dhe i ndërtuar në tokë të marrë përmes titujve të falsifikuar të epokës osmane, sipas raportit.
Mekanizmi i skemës përdor figurën ligjore të “investitorit strategjik“, të krijuar nga qeveria për të përshpejtuar miratimin e projekteve që i konsideron të një rëndësie të veçantë. Ligji i lejon shtetit të shpronësojë tokat private për projekte të tilla sipas dëshirës, pa asnjë mjet juridik për pronarët e tokave.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) – e akuzuar nga Rama se po shënjestron aleatët e tij politikë – ka urdhëruar tashmë 20 arrestime dhe ka ngrirë më shumë se 100 milionë euro asete, hapa që raportimet e medias i kanë lidhur me bosët e trafikut të drogës dhe zyrtarët politikë të lidhur me koncesionet e tokave.
“Kjo është një qeveri e oligarkëve dhe krimit të organizuar kundër popullit të Shqipërisë,” shprehet qartazi Fatos Lubonja, një shkrimtar, intelektual i shquar publik dhe kritik i partisë në pushtet. Që kur Rama u bë kryeministër, “pushteti, oligarkët, mediat e tyre dhe krimi i organizuar” hap pas hapi morën “nën kontroll pothuajse çdo institucion,” thotë ai. Dhe bumi në projektet e mëdha të ndërtimit e reflekton këtë: The Albanian Files demonstron se Rama zgjedh personalisht arkitektët e tij yje. “Rezistenca e aktivistëve që ishin kundër këtij lloji zhvillimi u bë më e dobët. Që atëherë, rrokaqiejt dhe resortet turistike po marrin gjithnjë e më shumë hapësira publike, zona të mbrojtura.”
Nuk është pra, befasuese që çështjet e planifikimit urban janë në qendër të konfliktit politik në vend: “Për mua, arkitektura në Shqipëri është një shprehje vizuale e fatkeqësive që mund të prodhojë globalizimi si një forcë homogjenizimi, e kombinuar me neoliberalizmin,” deklaron disidenti, i cili kaloi shumë vite si i burgosur politik gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.
Kur Abhelakh filloi për herë të parë të punonte për The Albanian Files, ajo thotë “U mahnita se sa e pranishme ishte arkitektura në jetën publike të përditshme. Nuk është një temë vetëm për ekspertët, por më tepër pjesë e debatit politik dhe bisedave për të ardhmen e vendit.“
Në bisedat e saj me arkitektët, “arkitektura nuk u diskutua kurrë vetëm si arkitekturë. Ajo u bë një mënyrë për të folur për identitetin, zhvillimin, hapësirën publike, turizmin, trashëgiminë, investimet dhe demokracinë,” thotë ajo. “Protestat e fundit e bëjnë këtë edhe më të dukshme. Debati nuk ka të bëjë më vetëm me projekte individuale, por me atë se kush i jep formë hapësirës publike, kush përfiton nga zhvillimi dhe zërat e kujt dëgjohen kur një vend imagjinon të ardhmen e tij.”
Sipas fjalëve të DebatikCenter, do të ishte e vështirë të mbivlerësohej rëndësia e arkitekturës dhe planifikimit urban në diskursin publik shqiptar gjatë dekadës së fundit.
“Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje të shesë sloganin e një ‘peizazhi bollëku,’ por bollëk për kë?” pyet kolektivi. “Kush, saktësisht, pritet të korrë frytet e asaj që aq shpesh përshkruhet si Kopshti i fundit i Edenit në Evropë?”
Burimi: Transitions

