ReArm Europe: Plani i ri për sigurinë e Evropës

Europa po përballet me një nga periudhat më të rrezikshme të historisë së saj moderne. Kërcënimet ndaj sigurisë sonë nuk janë më hipotetike, ato janë reale dhe kërkojnë veprim të menjëhershëm, tha sot Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian ka vendosur të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar kapacitetet e tij mbrojtëse dhe për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme për kontinentin.

Një epokë e re për mbrojtjen evropiane

Siç ka deklaruar Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Evropa është e gatshme të rrisë ndjeshëm shpenzimet e saj për mbrojtjen. Në një letër drejtuar liderëve evropianë para Samitit të Këshillit Evropian, Presidentja von der Leyen paraqiti Planin ReArm Europe, një grup propozimesh për të fuqizuar aftësitë mbrojtëse të Shteteve Anëtare.

Deklarata e Presidentes von der Leyen mbi paketën e mbrojtjes:

“Ne po jetojmë në kohët më të rëndësishme dhe më të rrezikshme. Pyetja nuk është më nëse siguria e Evropës është e kërcënuar, por nëse Evropa është e gatshme të veprojë me shpejtësinë dhe ambicien që kërkon kjo situatë. PërgjigjJa nga kryeqytetet evropiane është e qartë: ne po hyjmë në një epokë të rIarmatimit dhe Evropa është e gatshme të rrisë ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, si për t’u përballur me nevojat urgjente për të mbështetur Ukrainën, ashtu edhe për të marrë përgjegjësi më të mëdha për sigurinë tonë afatgjatë.”

Plani ReArm Europe është një qasje e re që synon të shfrytëzojë të gjitha mjetet financiare të BE-së për të mbështetur vendet anëtare në rritjen e investimeve të tyre në mbrojtje.

Pesë shtyllat kryesore të planit ReArm Europe:

  1. Rritja e shpenzimeve kombëtare për mbrojtjen – BE do të aktivizojë klauzolën e emergjencës fiskale të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes, duke krijuar një hapësirë fiskale prej 650 miliardë euro për katër vite.
  2. Instrument i ri financiar për mbrojtjen – Një fond prej 150 miliardë eurosh do të sigurojë kredi për Shtetet Anëtare për të investuar në mbrojtje, duke përfshirë mbrojtjen ajrore, sistemet e artilerisë, municionet, dronët dhe sigurinë kibernetike. Kjo do të lehtësojë gjithashtu blerjet e përbashkëta për Ukrainën.
  3. Përdorimi i buxhetit të BE-së për mbrojtjen – BE do të propozojë incentiva për vendet që dëshirojnë të përdorin fondet e politikës së kohezionit për të rritur shpenzimet për mbrojtjen.
  4. Mobilizimi i kapitalit privat – Përshpejtimi i Bashkimit të Kursimeve dhe Investimeve për të siguruar financime shtesë private për projektet e mbrojtjes.
  5. Përforcimi i rolit të Bankës Evropiane të Investimeve – Krijimi i mekanizmave financiare për mbështetje afatgjatë të sektorit të mbrojtjes.

Një hap historik 

Plani ReArm Europe mund të mobilizojë afër 800 miliardë euro për të krijuar një Evropë më të sigurt dhe më të fortë. Ky është një moment historik për Bashkimin Evropian, që dëshmon vendosmërinë e tij për të mbrojtur vlerat dhe stabilitetin e tij.

Për të garantuar suksesin e këtij plani, BE do të bashkëpunojë ngushtë me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë. Evropa nuk mund të mbështetet më vetëm tek të tjerët për sigurinë e saj; ajo duhet të marrë përgjegjësinë mbi vete dhe të veprojë me vendosmëri.

 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here