Për 12 vite, Sophie vuante nga cikle menstruale të dhimbshme, shtim në peshë, depresion dhe lodhje. Ajo ishte diagnostikuar me sindromën e vezoreve policistike (PCOS), një gjendje hormonale që prek rreth një në 10 gra, por e kishte të vështirë të merrte ndihmë mjekësore.
Në mungesë të zgjidhjeve, ajo vendosi të marrë shëndetin e saj në dorë dhe pikërisht në atë moment, në Instagram i shfaqet Kourtney Simmang. Kourtney pretendonte se mund të trajtonte “shkakun kryesor” të PCOS, megjithëse studiuesit ende nuk e kanë identifikuar një të tillë. Ajo ofronte teste laboratorike, një “protokoll shëndeti”, një plan diete dhe suplementesh, dhe trajnime për 3,600 dollarë. Sophie vendosi t’i bashkohej, duke paguar qindra dollarë të tjera për suplementet e ofruara përmes lidhjeve të Kourtney-t.
Dr. Jen Gunter, gjinekologe dhe edukatore për shëndetin e grave, tha se Kourtney nuk ishte e kualifikuar për të përshkruar testet që po shiste dhe se ato kishin pak vlerë klinike. Pas gati një viti, simptomat e Sophies nuk kishin përmirësime, kështu që ajo hoqi dorë nga “kura” e Kourtney-t.
“E lashë programin me një marrëdhënie më të keqe me trupin dhe ushqimin tim, duke ndier se nuk kisha aftësinë për të përmirësuar PCOS,” tha ajo.
Influencerat e pakualifikuar përfitojnë nga mungesa e zgjidhjeve mjekësore
Shumë influencues pa kualifikime mjekësore, me mbi një milion ndjekës, po shfrytëzojnë mungesën e zgjidhjeve mjekësore për PCOS duke u shtirur si ekspertë dhe duke shitur kura false. Disa e përshkruajnë veten si nutricionistë ose “trajnues hormonalë,” por këto certifikata mund të merren online brenda disa javësh.
Sipas një studimi të BBC World Service mbi videot më të ndjekura me hashtagun “PCOS” në TikTok dhe Instagram gjatë muajit shtator, gjysma e tyre përhapnin informacione të rreme. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), deri në 70% e grave me PCOS në botë nuk janë diagnostikuar, dhe edhe kur diagnostikohen, hasin vështirësi për të gjetur trajtime efektive.
“Kur ka një boshllëk në mjekësi, grabitqarët përfitojnë,” tha Dr. Gunter.
Përvoja e grave me PCOS
BBC ka folur me 14 gra nga Kenia, Nigeria, Brazili, Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Australia që kanë provuar produkte të ndryshme të promovuara nga influencerat. Pothuajse të gjitha përmendën Tallene Hacatoryan, një dietologe e regjistruar me mbi dy milion ndjekës në TikTok dhe Instagram.
Tallene shet suplemente për 219 dollarë dhe akses në aplikacionin e saj për humbje peshe për 29 dollarë në muaj. Ajo paralajmëron njerëzit kundër barnave si pilula kontraceptive dhe metformina, të cilat janë të dobishme për shumë gra me PCOS. Në vend të tyre, ajo promovon “shërimin natyral” përmes suplementeve të saj.
Pretendimet kryesore të rreme nga influencerat:
- PCOS mund të shërohet me suplemente dietike.
- PCOS mund të shërohet me dieta si ajo ketogjenike (e ulët në karbohidrate dhe e lartë në yndyra).
- Pilulat kontraceptive shkaktojnë PCOS ose përkeqësojnë simptomat.
- Medikamentet tradicionale vetëm shtypin PCOS dhe nuk trajtojnë “shkakun kryesor.”
Fakte: Nuk ka asnjë provë që dietat shumë të kufizuara në kalori japin efekte pozitive, ndërsa dieta ketogjenike mund të përkeqësojë simptomat. Pilulat kontraceptive nuk shkaktojnë PCOS dhe ndihmojnë shumë gra, megjithëse nuk funksionojnë për të gjitha. Nuk ka një shkak të njohur për PCOS dhe nuk ka një kurë.