Televizioni franko-gjerman Arte për të rinjtë rebelë në Shqipëri.

Dy ditë më parë, televizioni franko-gjerman Arte (Association Relative à la Télévision européenne), i cili njihet si një zë serioz brenda hapësirës gjermano dhe franko-folëse të Europës, i kushtoi një dritare tridhjetë minutëshe Shqipërisë. Kryefjala e reportazhit të titulluar “Albaniens rebelische Jugend” (Rinia shqiptare rebele) ishin të rinjtë shqiptar dhe dëshira e tyre e ethshme për të ndryshuar realitetin e varfër në perspektivë. Siç gazetarja Katrin Sandmann thekson, nuk ekziston ndonjë vend tjetër europian, në të cilin euforia ndaj anëtarësimit në EU të jetë më e lartë se sa në Shqipëri. Megjithatë pamja e mjerueshme e konvikteve ofron një realitet shumë larg tablosë së vendeve europiane. Studentët refuzojnë të flasin hapur, pasi frikësohen se prononcimet e tyre mund të përdoren për të shkarkuar nga puna të afërmit. Në reportazh shfaqen qartë sakrificat dhe përçapjet e familjeve shqiptare, të cilat ndonëse me një rrogë mesatare prej 4000 euro në vit, nuk heqin dorë nga arsimimi i fëmijëve të tyre pavarësisht tarifave të larta dhe shanseve të pakta. Papunësia, korrupsioni i theksuar shtetëror janë arsyet e emigrimit të të rinjve. Një në dy shqiptar dëshiron të largohet nga vendi i tij. Aferat e mëdha korruptive, si për shembull skandali i unazës së madhe, duket se kanë ulur ndjeshëm besimin e qytetarëve ndaj qeverisjes. Me ç’duket ndërtimi vazhdon të mbetet një ndër sektorët më të korruptuar duke gllabëruar shpeshherë dhe hapësirat e gjelbra publike të pakta, të cilat kanë mbetur në Tiranë. Edhe pse ka kaluar kohë nga dhjetori, nuk kalon asnjë ditë pa protesta simbolike kundër qeverisjes. Të rinjtë besojnë se sot është koha për të ndryshuar realitetin dhe të ardhmen e tyre. E.A./mendimi.al

Link: https://youtu.be/bd0y34-AC50

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here