Thashethemet shpesh perceptohen si diçka negative, të lidhura me intrigat, fjalët pas krahëve dhe zënkat. Megjithatë, studiues të njohur, përfshirë historianin Yuval Noah Harari, argumentojnë se thashethemi ka luajtur një rol shumë më të rëndësishëm në historinë e njerëzimit nga ç’mund të mendojmë.
Në librin e tij të famshëm “Sapiens”, Harari thekson se zhvillimi i gjuhës tek Homo Sapiens nuk ndodhi vetëm për të dhënë informacion praktik për ambientin, por mbi të gjitha, për të ndarë thashetheme. Sipas tij, njerëzit filluan të flasin për të tjerët për të ndërtuar besimin dhe për të kuptuar se kush ishte i besueshëm në një grup.
Harari e quan këtë “kontroll shoqëror”, ku nëpërmjet fjalëve dhe historive për njerëzit e tjerë, grupet njerëzore mbanin nën vëzhgim sjelljet negative, forconin besimin mes tyre dhe arrinin të jetonin në bashkësi shumë më të mëdha krahasuar me speciet e tjera. Në thelb, thashethemi ishte një mjet për të mbajtur grupin të bashkuar dhe për të parandaluar mashtrimet.
Një tjetër studiues i njohur, antropologu Robin Dunbar, ka zhvilluar teorinë se thashethemet janë zëvendësimi modern i “kujdesit social” që shohim tek majmunët, ku prekja apo pastrimi fizik ndihmon në krijimin e lidhjeve sociale. Tek njerëzit, fjalët e thëna rreth të tjerëve luajnë të njëjtin rol, duke forcuar marrëdhëniet brenda grupit dhe duke ndihmuar individët të orientohen në rrjetet e ndërlikuara shoqërore.
Hulumtimet moderne e përforcojnë këtë ide. Një studim i publikuar në revistën shkencore PNAS zbuloi se thashethemet, në shumë raste, janë një mekanizëm për të ndërtuar reputacionin dhe për të inkurajuar sjellje pozitive brenda komunitetit. Kur njerëzit ndajnë informacione për individët e tjerë, ata paralajmërojnë për sjellje jo të besueshme, por edhe lavdërojnë ata që tregohen të ndershëm e bashkëpunues.
Gjithashtu, studiues nga Universiteti i Maryland dhe Stanford kanë treguar se thashethemet nuk janë domosdoshmërisht negative. Përkundrazi, ato ndihmojnë në krijimin e normave shoqërore, në mbrojtjen nga individët që mund të dëmtojnë grupin dhe në krijimin e një ndjenje përkatësie.
Natyrisht, thashethemet kanë edhe anën e tyre të errët. Nëse përdoren me qëllime dashakeqe, mund të dëmtojnë reputacionin e dikujt, të përçajnë komunitetin ose të krijojnë konflikte. Në raste të tilla, ato kthehen në një mjet manipulimi ose bullizmi, duke shkaktuar stres, përçarje apo izolim social.
Megjithatë, ekspertët bien dakord se gjithçka varet nga mënyra dhe qëllimi i përdorimit të thashethemeve. Siç shpjegon Harari dhe studiues të tjerë, ndarja e informacionit për njerëzit mund të jetë thelbësore për ndërtimin e besimit dhe të lidhjeve shoqërore, për sa kohë që përdoret në mënyrë etike.
Në fund të fundit, thashethemi nuk është thjesht një sjellje e pavlerë apo një ves njerëzor. Është një mekanizëm i vjetër social që ka luajtur rol në mbijetesën dhe zhvillimin e komuniteteve njerëzore. Si çdo mjet social, thashethemi mund të shërbejë për të ndërtuar ose për të shkatërruar; e gjitha varet nga zgjedhjet tona.