Finlanda u kurorëzua si vendi më i lumtur në botë për të pestin vit radhazi, sipas renditjes së Raportit Botëror të Lumturisë 2022, me një diferencë të dukshme nga vendet e tjera.
Vendin e dytë e zuri Danimarka, e ndjekur nga Islanda, Zvicra dhe Holanda.
Shqipëria listohet në vendin e 90-të nga 146 shtete në total, ndërsa në kontrast me shqiptarët e Shqipërisë, ata të Kosovës renditen ndër vendet më të lumtura në botë, në vendin e 32-të, thuajse njësoj me italianët dhe spanjollët.
Maqedonia e Veriut në vendin e 89-të, Mali i Zi në vendin e 75-të, ndërsa Bosnja-Hercegovina u rendit në vendin e 67-të. Serbia është një nga 10 shtetet në botë që ka pasur përmirësimin më të madh, duke u renditur e 43-ta.
“Mësimi që na jep Raporti i Lumturisë Botërore ndër vite është se mbështetja sociale, bujaria ndaj njëri-tjetrit dhe ndershmëria në qeveri janë thelbësore për mirëqenien”, tha Jeffrey Sachs, drejtor i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Universitetin e Kolumbisë.
Gjatë dhjetë viteve të publikuara të raportit, lumturia më e lartë ka ndodhur në shtetet si Serbia, Bullgaria dhe Rumania, ndërsa rëniet më të mëdha janë shënuar në Liban, Venezuelë dhe Afganistan. Autorët zbuluan, mesatarisht, një prirje afatgjatë të moderuar në rritje të stresit, shqetësimit dhe trishtimit në shumicën e vendeve, si dhe “një rënie të lehtë afatgjatë në kënaqësinë e jetës“, shkruajnë ata.
Raporti përdor të dhënat e sondazhit global për të raportuar se si njerëzit vlerësojnë jetën e tyre në më shumë se 150 vende të botës, me renditjen e bazuar në një mesatare tre-vjeçare. Variablat kryesorë që kontribuojnë në shpjegimin e vlerësimeve të jetës së njerëzve përfshijnë produktin e brendshëm bruto për frymë, jetëgjatësinë e shëndetshme, bujarinë, mbështetjen sociale, lirinë për të bërë zgjedhje të jetës dhe perceptimet e korrupsionit.
“Udhëheqësit botërorë duhet të kenë kujdes,” tha Sachs. “Politika duhet të drejtohet ashtu siç insistonin të urtët e mëdhenj prej kohësh: për mirëqenien e njerëzve, jo për pushtetin e sundimtarëve”.
Burimi: Bloomberg