Po, po. Më lexuat shumë mirë. Nuk ka më kthim pas. Kam hequr dorë përfundimisht nga reçipetat. Më dukej sikur më merrnin frymën teksa i mbaja gjatë gjithë ditës veshur në punë. E gjitha filloi gjatë mbylljes totale të vendit, atëherë kur gjinjtë e mi mundën të merrnin frymë lirisht për thuajse tri muaj.
Gjëja që më ngushëllon është që të paktën, nuk jam e vetmja. Një studim i YouGov në 2021, tregonte se një e treta prej nesh hoqën reçipetat gjatë atyre muajve. 70% e grave pjesëmarrëse raportonin se nuk i vishnin më aq shpesh reçipetat, ndërsa 25% e tyre thonin se nuk kishin ndërmend t’i vishnin më.
Jemi rritur me idenë se dekolteja duhet të jetë e hapur, e bukur, e madhe. Dhe gjatë gjithë jetës jemi influencuar nga imazhet perfekte të gjoksit të përsosur si Pamela Anderson në Baywatch, i cili sfidon gravitetin.
Gjithmonë ka pasur qëndrime kontradiktore rreth gjinjve tanë: ato shihen si objekte seksi nga burrat dhe si “burim jete” për fëmijët. Shpesh, na thonë se “nuk ka gjë më të bukur se gjoksi natyral”, por në 2018 më shumë se 2 milionë gra në të gjithë botën bënë operacion gjoksin. Gjinjtë janë shenja e parë e dukshme e të qenurit grua, por duhen fshehur me kalimin e moshës. Gratë me gjoks të vogël shpesh kritikohen se përse mbajnë sytjena me mbushje apo përse nuk kryejnë një operacion plastik. Për të qenë e sinqertë, gjëja e parë që shoh tek një femër është madhësia e gjoksit, sepse vetë futem tek ato gra që kanë një gjoks të vogël dhe jo shumë të bukur, dhe më duhet ta pranoj se shpeshherë xhelozoja për madhësinë që kanë gjinjtë e të tjerave.
Por kjo situatë ndryshoi pas pandemisë. Në punë fillova të përdorja reçipetat pa mbushje dhe tela…dhe dreqin, ku kisha qenë më parë?
Në vendin tonë, sidomos dy vitet e fundit, kam parë shumë femra të veshin bluza, kanatjere, pulovra, fustane dhe jumpsuit pa veshur reçipeta dhe kjo më bën të ndjehem kaq mirë.
Ne jemi më shumë se thjesht trupa. Edhe pse trupat tanë janë ato që bien më shumë në sy dhe komentohen të parat, vetëm duke hequr këto mendime, duke ndarë frikërat dhe historitë tona mund ta bëjmë të qartë që asnjërës prej nesh nuk ka pse t’i vijë turp nga vetja për mënyrën si dukemi. Janë thjesht gjinj.