Studiuesi Afrim Krasniqi ka publikuar sot listën me 30 tipare të votimeve të datës 30 Qershor në Shqipëri.
30 TIPARE UNIKE TË 30 QERSHORIT
Në funksion të memories për 30 qershorin, me siguri do të ketë shumë analiza, debate, kontestime, etj, për një kohë të gjatë, por për fundjavë, me një gjuhë pak më të thjeshtë ia vlen të renditen 30 paradokset e kësaj date:
Zgjedhjet e 30 qershorit janë rast unik në botën demokratike,
1. ku një parti e vetme kontrollon 100% pushtetin qendror dhe pushtetin vendor
2. ku edhe formalisht kishte vetëm një kandidat në zgjedhje në rreth 50% të zonave zgjedhore
3. ku në dy këshilla bashkiakë 100% e votave i kalojnë një subjekti politik, pra asnjë votë për partitë e tjera “konkurruese”
4. ku nga dy parti konkurruese për kryetarët, njëra konteston dhe ankimon të gjithë procesin dhe aktet e administrimit zgjedhor
5. ku Presidenti i Republikës publikisht i bojkotin dhe nuk i njeh zgjedhjet
6. ku pesë kandidatë dhe një parti japin dorëheqje nga zgjedhjet, por KQZ i detyron të mbeten në fletën e votimit dhe i njeh zyrtarisht si subjekte konkurruese edhe pse kandidatët nuk u përfshinë në fushatë
7. ku pati tre dekrete presidenciale, – një ti shpallë, një ti anulojë dhe një ti shtyjë në një datë tjetër.
8. ku 100% e komisionerëve në të gjitha nivelet e administrimit i përkasin një partie politike
9. ku numri i zgjedhësve është mbi 800 mijë më i lartë sesa numri i të gjithë banorëve sipas vetë burimeve zyrtare të shtetit
10. qeveria bën presion mbi zgjedhësit të marrin pjesë në zgjedhje dhe opozita, krahas bojkotit total, bën presion mbi zgjedhësit të mos marrin pjesë në zgjedhje
11. ku të gjithë kandidatët fitues (edhe ata pa rivalë) bëjnë fushatë dhe ndjejnë emocione të forta kur u thuhet se kanë fituar
12. ku një parti regjistrohet në zgjedhje pa u regjistruar ende në Gjykatë
13. ku të gjithë ata që nuk votuan, përfshirë dhe një shumicë abstenuese ose refuzuese për të gjithë, e konsideron apriori votë pro saj.
14. ku të gjitha partitë kryesore ndjehen fituese dhe shpallin rezultatet e mësipërme si sukses politik
15. ku në një qytet të mëdha, fituesi shpallet me vetëm 9% pjesëmarrje në zgjedhje
16. ku drejtuesi i KQZ që drejton zgjedhjet, nuk i njeh zgjedhjet.
17. ku një parti, – e vetme në zgjedhje, e vetme në pushtet, me 6 muaj fushatë, me komisionerët e vet, me vëzhguesit e vet, me mjediset zgjedhore të caktuara prej saj, me administratë e polici të drejtuar prej saj, pa rivalë dhe pa pengesë në zgjedhje, megjithatë nuk arrin të sigurojë më shumë se 22% të votave
18. ku një numër i madh qytetarësh, sidomos në zona urbane, votojnë kundër kandidatit të vetëm në zgjedhje, – pra preferojnë votën e pavlefshme si protestë ndaj farsës dhe fasadës politike e zgjedhore në vend
19. ku kryetarë bashkish që kanë përfunduar mandatin dhe pasuesit e tyre janë zgjedhur ligjërisht, deklarojnë se nuk do të dorëzojnë postin dhe as lëshojnë zyrën
20. ku njëri prej misioneve ndërkombëtare refuzon monitorimin, me argument publik se nuk ka zgjedhje konkurruese, por votim formal
21. ku në zgjedhje askush (parti apo kandidatë) nuk kanë program, nuk flasin për program, zgjedhësit nuk kërkojnë program dhe as nuk votohet për program
22. ku tema kryesore e fushatës u bë “filxhani” dhe ku kronikë headline në media ishte komentet e kryeministrit mbi filxhanin e kafesë
23. ku katër parti të opozitës parlamentare ishin në zgjedhje pjesë e koalicionit të qeverisë
24. ku asnjë kandidat i dytë nuk kritikon dhe as sulmon kandidatin kryesor në fushatë
25. ku shumica e gazetarëve janë kritikë me qeverinë dhe shumica e pronarëve të medias janë mbështetës të qeverisë
26. ku figura publike mallkojnë zgjedhësit që mund të votojnë ose zgjedhësit që refuzojnë të votojnë për një kandidat
27. ku nuk lejohet mendimi kundër publik, pasi militantët e paguar të palëve politike, të fyejnë, të denigrojnë, të kërcënojnë dhe këtë e bëjnë duke thënë se ata janë rruga /alternativa më e mirë për vendin
28. ku raportohet e pranohet si normalitet nga KQZ se në kutitë e votimit ka më pak vota sesa numri i votave që ka fituar kandidati i vetëm në garë për kryetar
29. ku një parti/grupim politik përdor militantët për të djegur materialet e votimit
30. ku një zonë votimi e mbyll votimin një orë përpara detyrimit ligjor, duke deklaruar se janë mërzitur duke pritur pesë orë pa ardhur asnjë votues në qendrën e votimit