Disa javë më parë opozita solli në vëmendjen e publikut faktin se vëllai i ministrit të brendshëm aktual ishte i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Natyrisht, askush nuk ka pse të mbajë përgjegjësi se cfarë bëjnë të afërmit e tij/saj dhe as të penalizohet për këtë. Por natyrshëm mund të mendohet se personat jetojnë të pa izoluar nga marrëdhëniet e tyre familjare. I ngjitur në nivelet më të larta të politikës, edhe për ministrin e brendshëm Xhafaj, si pasojë e faktit të lartpërmendur, lind dyshimi se paratë e narko-trafikut të njërit vëlla mund të jenë përdorur për të ndihmuar karrierën politike të vëllait tjetër. Për këtë është i nevojshëm nënshtrimi i subjektit ndaj ligjit anti-mafia. Gjë që nuk ka ndodhur. Dhe është ky momenti që e kompromenton sjelljen e ministrit Xhafaj.
Papritur opozita përmes deputetit Salianji, u shfaq në media me denoncimin e “dëshmitarit x” i cili tregonte se vëllai i ministrit vazhdonte aktivitetin kriminal. Pas publikimit të një regjistrimi audio, media u fokusua gjatë në diskutimin mbi personazhin që realizoi përgjimin, të njohur si Babale. Tema “Babale” ndihmoi që historia t’i largohej thelbit; kompromentimit të sjelljes së ministrit. Babalja hyri në jetët tona nga foltorja e opozitës, por opozita nuk kishte nevojë për Babalen në kauzën e saj.
Sot opozita vuan komentet mbi vërtetësinë e përgjimit, ndërkohë që ministri ende nuk i është nënshtruar ligjit anti-mafia, i cili do të mund të hidhte dritë mbi një nga problemet më të mëdha sot në jetën e vendit, atë të financimit të politikës nga krimi i organizuar. /mendimi.al