Sipas raportit të fundit të INSTAT, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 12,0 %. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 7,2 % duke arritur vlerën 1.371 GWh nga 1.280 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2020.
Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76,3 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 22,7 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 1,0 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike. Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e tretë të vitit 2021, arriti vlerën 975 GWh nga 666 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 46,5 %.
Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 323 GWh nga 139 GWh duke shënuar një rritje me 2,3 herë (tab.1).
Hidrocentralet publike, në tremujorin e tretë të vitit 2021, prodhuan 1.047 GWh nga 978 GWh të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2020, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me 7,1 %.
Ndërsa hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 311 GWh nga 292 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 6,7 %.
Burimi: INSTAT