A e dini se kur kryeni transaksione të thjeshta siç është të blini me kartë krediti, apo transferoni para, keni marrë pjesë në përvojën “revolucionare” të teknologjisë financiare, ndryshe të quajtur Fintech. Çfarë është konkretisht fintech? Fintech është një term i përdorur për të përshkruar teknologjinë financiare. Një industri që përfshin çdo lloj teknologjie në shërbimet financiare – nga bizneset te konsumatorët. Fintech përfshin çdo kompani që ofron shërbime financiare përmes softuerit ose teknologjisë së avancuar dhe përfshin gjithçka, nga aplikacionet e pagesave nëpërmjet celularëve deri te këmbimet e kriptomonedhave.
Pra, pak a shumë ajo përfshin çdo kompani që përdor internetin, pajisjet mobile, teknologjinë softuerike ose shërbimet Cloud për të kryer ose për t’u lidhur me shërbimet financiare. Shumë produkte fintech janë krijuar për të lidhur financat e konsumatorëve me teknologjinë për lehtësinë e përdorimit, megjithëse fintech zbatohet gjithashtu edhe për teknologjitë biznes me biznes (B2B).
Fintech-et e mëdha si Square apo Paypal kanë lënë pas industritë tradicionale financiare dhe bankare – dhe potencialisht paraqet një kërcënim për bankat tradicionale, ose institucionet financiare. Në ditët e sotme, pothuajse çdo gjë kryhet nëpërmjet kësaj teknologjie, që nga plotësimi i të gjitha nevojave dhe dëshirave te konsumatorit, të cilat tregtohen online, e deri tek menaxhimi i investimeve (që mund të kryhet nga telefoni).
Metodat e siguruara nga fintech po ndryshojnë mënyrën sesi shumë konsumatorë ndjekin, menaxhojnë dhe lehtësojnë financat e tyre. Dhe kjo është pikërisht arsyeja që është krijuar fintech – t’u japë konsumatorëve qasje të drejtpërdrejtë në jetën e tyre financiare përmes një teknologjie të lehtë për t’u përdorur.
Disa nga përdorimet e Fintech:
Platformat Crowdfunding – kompani si GoFundMe, etj. Platformat e Crowdfunding lejojnë përdoruesit e internetit dhe aplikacioneve të dërgojnë ose marrin para nga të tjerët në platformë dhe kanë lejuar individë ose biznese të mbledhin fonde nga një shumëllojshmëri burimesh të gjitha në të njëjtin vend.
Në Shqipëri, janë krijuar proçese apo fushata crowdfunding nëpërmjet televizionit, ose nga organizata, si Fundjava Ndryshe, në websitet e tyre apo Mediat Sociale. Por së fundmi, Banka Credins po aplikon platformën e re Smile.al për të financuar OJF dhe ose bizneset e vogla. Në vend që të shkoni në një bankë tradicionale për një kredi, tani është e mundur të shkoni drejtpërdrejt te investitorët për mbështetjen e një projekti ose kompanie.
Një tjetër platformë që po prezantohet në Shqipëri është “Akses në Financë”, nga AIDA (Agjensia Shqiptare e Zhvillimit dhe Investimeve) dhe Ministria e Financave. Nga kjo platformë do të financohen bizneset vendase (SME) të cilat kanë nevojë për grante, financime të reja, apo kredi.
Blockchain dhe Kryptomodhenat që janë shembuj dallues të përdorimit të Fintech.
Tregjet e këmbimit valuator të monedhave virtuale, dhe sigurimit apo verifikimit të tyre, lidhin njerëzit për të kryer blerje ose shitje të valutave krypto. Stuhia e kohëve të fundit për të tregtuar në këmbime valutore virtuale ka rrëmbyer treg mjaftueshëm nga bota e investimeve.
Pagesat përmes Telefonit. Edhe kjo nevojë ka shpalosur mundesi për shumë kompani Fintech që t’u shërbejnë nevojave të konsumatorëve. Bankat tradicionale vetë kanë bërë partneritete me shumë kompani teknologjike të ndryshme, aplikacionesh, për të lehtësuar shërbimet e tyre online, dhe t’u vijnë në ndihmë klientëve me pagesat. Sipas të dhënave nga Statista, tregu global i pagesave nëpërmjet celularëve i ka kapërcyer 1 trilion dollarë që nga 2019. Duke përdorur teknologji gjithnjë e më të sofistikuar, janë shfaqur shërbime që i lejojnë konsumatorët të shkëmbejnë para dhe pagesa në internet ose në pajisje celulare.
Siguracionet. Derisa transaksionet financiare qarkullojnë para mjaftueshëm nëpër internet, dhe tregu i siguracioneve ka përfshirë gjithçka, nga sigurimi i makinës te sigurimi i shtëpisë dhe mbrojtja e të dhënave. Në Shqipëri, kompania Sigal ka mundësuar transaksione të blerjeve online të policave të sigurimit të automjeteve apo shëndetit, me aplikacion dhe faqe të tyre zyrtare. Kompanitë telefonike mundësojnë gjithashtu transaksione për pagesat online për blerjen e siguracioneve private.
Përdorime të tjera të industrive Fintech janë futur dhe në sektorin e menaxhimit të aseteve. Nëpërmjet teknologjisë së zhvilluar konsumatorët mund të arrijnë të analizojnë vetë mundësitë e ndryshme të investimeve. Aplikacionet e ndryshme për tregtinë e stoqeve (aksioneve) tani kanë shkurtuar shumë kohë. Investitorët mund ta bëjnë atë vetë nga telefoni i tyre dhe në moment. Madje, shërbime si Robo-advicing (këshillime robotike) të tregut të menaxhimit të portofoleve të investimit, kanë mundësuar shërbime të shpejta duke siguruar rekomandime të bazuara në algoritëm.
Kompani të ndryshme start-up, kanë mundësi të fuqizohen menjëherë sapo bëhen të aplikueshme, pasi nevoja konsumatore është e lartë për shërbime financiare online. Po shohim që në tregje ndërkombëtare si Amerika dhe Kina, kompanitë start-up në industrinë e Fintech po kalojnë menjëherë në statusin e “njëbrirëshit”. Ky është një status që ju jepet kompanive start-up nga investitorët nëse vlerësohen mbi 1miliardë dollarë. Normalisht, nëse kompanitë start-up janë të suksesshme apo kanë një produkt të mirë, tregjet e mëdha ku ato mund të penetrojnë janë si miniera ari. Jo vetëm këto por dhe kompanitë e vjetrat si Visa, Charles Schwab etj, kanë përqafuar mënyrat e reja të biznesit Fintech nëpërmjet Inteligjencës Artificiale, për të qëndruar në treg. Këto kompani kanë fuqi të mbijetojnë nëse ndryshojnë produktet e tyre, pasi kanë kapacitete financiare të mjaftueshme për të kryer investimet e duhura në teknologji.
Kompanitë si PayPal dhe Square, që i përmendëm dhe pak më lartë, konkretisht janë lider në përdorimin e kriptomonedhës nga investitorët. Dy gjigantët fintech tashmë, u ofrojnë përdoruesve aftësinë për të blerë dhe shitur kriptovaluta, dhe potencialisht madje edhe t’i kryejnë transaksionet me këto valuta në dyqane fizike, ose online. Gjenerata e “Mijëvjeçarëve”, i përket një demografie të njerëzve që janë mësuar të veprojnë dixhitalisht dhe po e kërkojnë atë, ndaj do të shohim që kompanitë fintech në krye të këtij transformimi dixhital të adoptojnë kriptovaluta dhe ta bëjnë atë të arritshme.
Lind pyetja, është industria Fintech ajo që po formon tregun e ri, apo është sistemi i ri valutor i cili po ristrukturon kompanitë ekzistuese? /mendimi.al
[…] WireCard, mbikëqyrësit tani do të pajisen me mjete më të mira për të mbikëqyrur grupet fintech, duke përfshirë filialet e bankave. Kjo paketë mjetesh të zgjeruara do të sigurojë menaxhimin […]