Kafedashësit mund të përballen së shpejti me rritje çmimesh për pijen e tyre të mëngjesit, pasi çmimi i kafesë në tregjet ndërkombëtare ka arritur nivelin më të lartë historik.
Të martën, çmimi për kokrrat Arabica, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të prodhimit global, kaloi $3.44 për 0.45kg, duke u rritur me më shumë se 80% këtë vit. Ndërkohë, kostoja e kokrrave Robusta arriti një nivel të ri më të lartë në shtator.
Kjo ndodh pasi tregtarët e kafesë presin që të ulet prodhimi i të korrave në dy prodhuesit më të mëdhenj në botë, Brazil dhe Vietnam, të cilët janë goditur nga kushtet e këqija të motit, ndërsa popullariteti i pijes vazhdon të rritet.
Një ekspert i tha BBC-së se markat e kafesë po mendojnë të rrisin çmimet në fillim të vitit të ardhshëm.
Gjigandi italian i kafesë Lavazza tha se kishte bërë përpjekje të mëdha për të mbrojtur pozicionin e saj në treg pa kaluar kostot tek konsumatorët, por rritja e lartë e çmimeve të kafesë e detyroi kompaninë të marrë masa:
“Cilësia është parësore për ne dhe ka qenë gjithmonë baza e kontratës së besimit me konsumatorët,” tha kompania për BBC News. “Kjo do të thotë që duhet të përballojmë kosto shumë të larta. Prandaj jemi detyruar të rregullojmë çmimet.”
Në një ngjarje për investitorët në nëntor, një ekzekutiv i lartë i Nestlé pranoi se industria e kafesë po përballet me “kohë të vështira”, duke paralajmëruar se kompania do të rrisë çmimet dhe do të ndryshojë madhësinë e paketave.
Thatësira dhe reshje të mëdha
Rekordi i fundit për çmimin e kafesë ishte vendosur në vitin 1977, kur reshje të pazakonta dëbore shkatërruan plantacionet në Brazil.
“Sfidat për të korrat e vitit 2025 në Brazil janë faktori kryesor,” tha Ole Hansen, shefi i strategjisë së mallrave në Saxo Bank. “Vendi përjetoi thatësirën më të rëndë në 70 vitet e fundit gjatë gushtit dhe shtatorit, e ndjekur nga reshje të mëdha në tetor, duke ngritur shqetësime se lulëzimi i të korrave mund të dështojë.”
Plantacionet e kafesë në Brazil, të cilat prodhojnë kryesisht kokrra Arabica, nuk janë të vetmet të prekura nga moti i keq. Prodhimi i Robustës gjithashtu pritet të bjerë për shkak të thatësirës dhe reshjeve në Vietnam, prodhuesi më i madh i kësaj varieteje.
Kafja është malli i dytë më i tregtuar në botë për nga volumi, pas naftës së papërpunuar, dhe popullariteti i saj po rritet. Për shembull, konsumi në Kinë është më shumë se dyfishuar në dekadën e fundit.
“Nevoja për këtë mall mbetet e lartë, ndërsa inventarët e mbajtura nga prodhuesit raportohen të jenë në nivele të ulëta,” tha Fernanda Okada, analiste e çmimeve të kafesë në S&P Global Commodity Insights.
“Tendenca në rritje e çmimeve të kafesë pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë,” shtoi ajo.