Me një stok të mirë librash të palexuar, të marrë nga Tirana, vendosa të mos e prish traditën që gjatë plazhit të lexoj nga librat e blerë buzë detit. Djem të rinj mbajnë në krahë mbi 15 libra dhe ecin mes çadrave. 15 libra më duken peshë e rëndë nën diellin përvëlues ndërsa ecin mbi bregun me gurë të detit të jugut. Sa e lodhshme dhe e denjë ta fitosh bukën nga shitja e librave si ambulant në plazh!
Shitësi një djalë fare i ri, bjond, e fliste shqipen letrare sikur jetonte brenda librit artistik.
– Si duket shitja e librave këtë sezon? – e pyes.
– Leximi i librit ka rënë shumë, – thotë. – Njerëzit janë të stresuar, sidomos gratë. Gratë, vite më parë merrnin deri pesë libra njëherësh, tani marrin vetëm një duke thënë “nuk kemi nerva të lexojmë më shumë”.

E kalova ditën duke menduar për gruan shqiptare nerva-shkatërruar. Gruaja, qendra emocionale e jetës në këtë planet, nuk ka më qetësinë për të shijuar librin. Ajo që drejton familje, edukon fëmijë, punon, angazhohet në komunitet, drejton biznes, gruaja që gatuan, gruaja në administratë, gruaja fermere, gruaja mësuese është nerva-shkatërruar.
A e kuptoni që po jetojmë keq edhe pse mund të kemi para? Sa vlerë ka të kesh nëse nuk shijon?
Gruaja e rënduar psikologjikisht ndjen peshën e një sistemi të dehumanizuar, të pandjeshëm, të polarizuar ekonomikisht mbi bazë të padrejtë.
Çfarë shoqërie kemi ndërtuar nëse jetohet emocionalisht kaq keq?
Gusht 2026

