Denis Dyrnjaja: Ka ende gra në botë, të tjerat janë thjeshtë femra!

Corinna Schumacher është gruaja e 7 herë kampionit të botës në Formula 1 Michael Schumacher. Prej më shumë se 10 vitesh ajo i është përkushtuar bashkëshortit të saj në të gjithë kalvarin e kësaj dekade për të rikuperuar dëmet e rënda dhe të papritura që ai pësoi gjatë një aksidenti me ski në alpet franceze në vitin 2013.

Schumacher kishte fituar gjithçka në nivelin më të lartë të garave me makina. Ishte absolut, kampioni më i famshëm në historinë e automobilizmit botëror. Kishte famë dhe shumë para. Renditej në botë ndër sportistët më të paguar me një pasuri prej qindra miliona eurosh. Por “pasuria më e madhe” që duket se Michael ka arritur në ketë ka qenë pikërisht gruaja e tij Corinna. Ajo nuk e ka braktisur bashkëshortin e saj edhe pse mund të niste një jetë tjetër me pasurinë që kishte e pamundësinë fizike të tij, por nuk e bëri. Ajo vijon të jetë krah Michael dhe madje përtej përkujdesjes personale, ka mbajtur një linjë hermetike totale për gjendjen e kampionit të paralizuar pas aksidentit me ski i cili tjetërsoi të gjithë jetën e familjes Schumacher.

Corinna është nga ato gra model dhe shembull që betimi “derisa vdekja të na ndajë” merr vërtetë vlerën që ka çdo shkronjë e fjalë e tij para se unazat e lidhjes në martesë të vendosen në duart respektive të burrit dhe gruas. Thuhet se ajo ka harxhuar edhe pasurinë e saj përveç asaj të çiftit për përpjekjet që mjekët vazhdojnë të bëjnë për të rigjeneruar Michael Shumcaherin. Nuk e kishte detyrim ta bënte, por ndjeu se duhej…

Në mediat shqiptare ka orë pa fund me ngjarje të karakterit sipërfaqësor dhe veçanërisht banal dhe kjo ndodhi sa e dhimbshme por edhe motivuese e çiftit Schumacher nuk është bërë kurrë prezente. Si kjo ka edhe shumë të tjera. Pra shembujt motivues ekzistojnë, por ata mungojnë në prezantim për publikun shqiptar nga injoranca redaksionale. Mund të flitet për çdo lloj anonimi dhe historie idiote e banale në media, por për vlerat, rrallë ose fare.

Si Corinna, kjo grua fisnike dhe besnike gjermane, ka plot gra shqiptare që janë të papërfaqësuara në publik se vendin dhe kohën e tyre e ka zënë llumi. Një shoqëri që i bën jehonë kotësisë, do të rrëshqasë e bjerë në dekadencën e injorancës se saj!

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here