Djali i Gaddafit në garë për zgjedhjet presidenciale në Libi

Djali i ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi u shfaq dje për herë të parë pas gati një dekadë për t’u regjistruar si kandidat presidencial për një votim në dhjetor të planifikuar për t’i dhënë fund viteve të kaosit që kur babai i tij u rrëzua.

Saif al-Islam Gaddafi, 49 vjeç, u shfaq në një video të komisionit zgjedhor me mantel dhe çallmë tradicionale kafe, dhe me mjekër gri dhe syze, duke nënshkruar dokumente në qendrën zgjedhore në qytetin jugor Sebha.

Gaddafi është një nga figurat më të spikatura dhe më të diskutueshme që pritet të kandidojë për president, një listë që përfshin gjithashtu komandantin ushtarak lindor Khalifa Haftar, kryeministrin Abdulhamid al-Dbeibah dhe kryetarin e parlamentit Aguila Saleh. Por ndërsa emri i tij është një nga më të njohurit në Libi, dhe megjithëse dikur luajti një rol të madh në formimin e politikës përpara kryengritjes së mbështetur nga NATO të vitit 2011 që shkatërroi regjimin e familjes së tij, ai mezi është parë në publik për një dekadë, shkruan Reuters.

Që nga kryengritja e vitit 2011, Libia është përfshirë nga konflikti. Grupet e të drejtave kanë ngritur frikën se votimi, i planifikuar për në 24 dhjetor, nuk do të jetë i lirë dhe i drejtë. Fuqitë botërore dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së kanë paralajmëruar se kushdo që përpiqet ta pengojë atë ose të falsifikojë rezultatin do të përballet me sanksione shkruan BBC.

Pas përfundimit brutal të Muammar Gaddafit, Saif al-Islam Gaddafi u kap vetë nga milicia. Ai u mbajt për gjashtë vjet, duke marrë një dënim me vdekje që më vonë u anulua. Gaddafi është ende i kërkuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Kriminale, por gradualisht është rishfaqur në skenën publike.

Pas viteve të luftës civile dhe fuqive rivale që veprojnë në lindje dhe perëndim të vendit, Libia aktualisht drejtohet nga një qeveri e përkohshme, por mbetet politikisht e paqëndrueshme. Kështu që populli është i ndarë në mes nga pikëpamja politike, ndërkohë që shfaqet sërish një pjesëtar i familjes së ish-diktatorit libian.

Burimi: Reuters/Tripoli, BBC

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here