Ethet Lassa: A është kjo shenja e një epoke të re pandemie?

Dy britanikë janë diagnostikuar me virusin që shkakton gjakderdhje të syve dhe ënjtje të fytyrës – dhe mund të jetë dëshmi e ndryshimit të botës që po jetojmë.  

Vetëm disa orë pasi Boris Johnson zbuloi planet për të hequr të gjitha kufizimet e Covid në Angli, një alarm paralajmëroi për një sëmundje të re e cila po kërcënon Britaninë: dy persona u diagnostifikuan me ethet Lassa, një sëmundje virale hemorragjike e ngjashme me Ebolën.

Patogjeni, i cili është endemik në shtetet si Nigeria, Sierra Leone dhe Gana, është më pak vdekjeprurës se Ebola dhe Marburg. Por vazhdon të jetë i keq, pasi vret afërsisht 15% të atyre që janë të shtruar në spital.

Simptomat e Lassa fillojnë gradualisht, me ethe dhe këputje trupi, dhe pas disa ditësh mund të shfaqen dhimbje koke, dhimbje muskulare dhe të vjella. Në rastet më të rënda, virusi mund të shkaktojë ënjtje të fytyrës, mushkëri të mbushura me lëngje dhe gjakderdhje intensive nga sytë dhe hunda. Ende nuk ka një vaksinë të liçensuar dhe trajtimet janë të dobëta.

Mbërritja e Lassa-s në Britani, nga udhëtarët në Afrikën Perëndimore, ka shumë pak gjasa që të shkaktojë një shpërthim të madh – megjithatë, edhe pse shkencëtarët ende nuk kanë dhënë hollësi, ka mundësi që të ketë nisur gjurmimi, të njoftohemi për raste të reja ose nëse do të ketë komplikime në trajtimin e pacientëve.

Dr. Michael Head, studiues i shëndetit global në Universitetin e Southampton, u shpreh, se për fat të mirë virusi nuk është dhe aq infektiv, sa patogjenët e tjerë. Sipas tij, edhe pse çdo rast Lassa brenda Mbretërisë së Bashkuar është shqetësues, nuk shihet ende një transmetim në shkallë të ngjashme me pandeminë e Covid-19.

Numri R i riprodhimit përdoret për të përshkruar se sa njerëz infekton një person i sëmurë. Për Lassa-n vlerësohet midis 1 dhe 1.6 – krahasuar me variantin original të Sars-Cov-2 që ishte 3. Ndërsa varianti më i transmetueshëm Omicron ka një R = 12.

Ndryshe nga Covid, Lassa përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejt me urinën ose feçet e minjve të infektuar.

Ndërsa faza akute e një epidemie, më në fund, duket se po zbehet – të paktën tani për tani, rishfaqja e Lassa-s në Britani shërben si një rikujtesë e ashpër se bota po hyn në një “epokë të re pandemie”, ashtu siç paralajmëroi në gusht 2020, Prof. Anthony Fauci, ekspert i sëmundjeve infektive në Amerikë.

Pandemitë nuk janë asgjë e re – njerëzimi ka luftuar për shekuj me radhë me sëmundjet infektive. Në vitin 430 pr.K rreth 100.000 njerëz vdiqën në atë që quhet “Murtaja e Athinës”, e cila paralajmëroi fundin e epokës së artë të qytetit.

Ideja e një epoke pandemike është e re – ajo sugjeron që pandemitë e mëdha mund të mos jenë më ngjarje që ndodhin një herë në shekull. Gjashtë muaj para shfaqjes së Sars-Cov-2, Dr. Mike Ryan, drejtor i urgjencave të OBSH-së, paralajmëroi se bota po hynte në një “normalitet të ri” ku disa shpërthime sëmundjesh “me ndikim të lartë” do të ndodhnin njëkohësisht. Sipas ekspertëve kjo po ndodh për shkak të ndryshimeve mjedisore, rritjes së shpejtë të popullsisë, zhvillimit të vendeve të pazhvilluara më parë, rritjes së tregtisë ndërkombëtare të kafshëve të egra dhe udhëtimeve të përhapura në mbarë globin.

Ndërsa kombet evropiane po kalojnë fazën post-Covid, ekziston frika se do të harrojmë mësimet e dy viteve të fundit.

“Do të ketë një pandemi tjetër shumë shpejt,” thotë Dr Head. “Ne thjesht nuk e dimë se kur.”

Burimi: Telegraph

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here