Viti i ri do të nisë me një ngjarje jashtëzakonisht të rrallë që ekspertët po e quajnë një spektakël qiellor që nuk duhet humbur.
Në janar 2025, gjashtë planete do të jenë të dukshme në qiellin e natës në të njëjtën kohë, duke ofruar një pamje magjepsëse për të gjithë banorët e Tokës. Venusi, Marsi, Jupiteri, Saturni, Neptuni dhe Urani do të formojnë një linjë në qiell, një fenomen i rrallë që ndodh kur të gjitha planetet gjenden në të njëjtën anë të Diellit.
Çfarë është ky fenomen?
Ky fenomen astronomik quhet rreshtim planetar dhe ndodh kur planetet afrohen dhe duket sikur formojnë një linjë në qiellin e natës. Për fat të mirë, nuk do t’ju nevojitet një teleskop për të shijuar këtë mrekulli qiellore.
Fenomeni do të fillojë më 21 janar dhe do të zgjasë për rreth katër javë, deri më 21 shkurt. Planetet si Marsi, Venusi, Jupiteri dhe Saturni do të jenë të dukshme me sy të lirë, por për të parë të gjithë grupin, do t’ju nevojitet një teleskop ose dylbi të fuqishme për të zbuluar Neptunin dhe Uranin, të cilët janë shumë të largët dhe të zbehtë për t’u parë pa pajisje.
Kur dhe si mund t’i shikoni planetet?
Koha më e mirë për të parë këta gjigantë qiellorë është pas perëndimit të Diellit. Për të parë të gjithë grupin e planeteve, zgjidhni një vend të hapur si fushë apo bregdet. Shmangni zonat me ndërtesa të larta, pyje ose male që mund të bllokojnë pamjen e horizontit.
Përveç gjashtë planeteve, për një periudhë të shkurtër do të bëhet i dukshëm edhe një planet i shtatë, Mërkuri. Megjithatë, mund të jetë e vështirë të shihen të shtatë planetet njëkohësisht, pasi Merkuri, Saturni dhe Neptuni do të jenë afër Diellit gjatë perëndimit dhe mund të fshihen nga rrezet e tij.