Fotografi italian vjedh foton e famshme të anijes me emigrantët shqiptarë

Fotoja simbolike e një anije plot me emigrantë që përpiqeshin të largoheshin nga porti i Durrësit, në Shqipëri për të mbërritur në Bari, në fillim të viteve 1990, nuk është nga Oliviero Toscani. Ajo shkrepje u përdor në disa fushata të Benetton-it dhe besohej gjithmonë se ishte nga fotografi i njohur, edhe nëse atribuimi nuk ishte “zyrtarizuar” nga vetë Benetton dhe as Toscani nuk e kishte marrë ndonjëherë atësinë. Megjithatë, prej disa kohësh është zbuluar vetë personi që do të ishte autori i vërtetë i fotos.

Ai jepte intervista dhe tha fjalën e tij, aq sa emisioni televiziv Le Iene u interesua për rastin dhe u përpoq të fliste me Oliviero Toscanin. Ky i fundit i kërkoi korrespondentit të programit popullor, në mënyrë shumë flagrante, të mos e shqetësonte.

Hienat nuk dorëzohen dhe duan të kuptojnë nëse ajo shkrepje është vjedhur vërtet, ndërkohë as personi që pretendon se është autori i vërtetë i fotos nuk duket i gatshëm të dorëzohet. Por le të zbulojmë diçka më shumë për të dhe çfarë ka thënë prej vitesh. I lindur në Korçë më 2 dhjetor 1943, Gani Xhengo ka kryer studimet për drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe është një entuziast i madh i fotografisë.

Ai punoi si fotoreporter profesionist për gati njëzet vjet, midis viteve 1970 dhe 1988, pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH). Në atë periudhë, fotot e tij tregonin historinë e Shqipërisë ende nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Po në ato vite ai u bë i njohur nëpërmjet botimeve në shtyp dhe organizimit të ekspozitave fotografike brenda dhe jashtë vendit.

Jo dje, as kur u transmetua reportazhi i televizionit Italia 1, por tashmë dhjetë vjet më parë, u shfaq një intervistë me të në të cilën ai flet për foton historike të anijes që niset nga Durrësi në drejtim të Barit. Sipas autorit të fotos, ajo ishte 7 gusht 1991, rreth mesditës, kur u shkrep. Gani Xhengo shpjegon se në ato vite fotoja e tij në fakt qarkulloi shumë, si në shtypin shqiptar ashtu edhe jashtë saj. Por ai nuk dinte asgjë për përdorimin e tij nga Benetton.

Për më tepër, ajo foto është bërë në një kohë ndryshimesh të mëdha në historinë e Shqipërisë, pas rënies së regjimit, dhe frika e hakmarrjes ishte e madhe. Për gati njëzet vjet, fotografi nuk e dinte që në Itali ajo foto ishte përdorur nga Benetton. Në vitin 2010 Gani Xhengo dhe djali i tij zbuluan se ajo foto ishte e pranishme në faqen zyrtare të Benetton në Flickr, në mënyrë anonime dhe me të drejta autori të rezervuara për Benetton. E cila në fakt e përdor prej vitesh si reklamë dhe – sipas fotoreporterit të moshuar – do të shkelte të drejtat e autorit duke e paraqitur me ngjyra, ndërsa origjinali është bardh e zi.

Gani Xhengo tregoi dhe dispozitivin e fotove të shkrepura atë ditë që tregon se autori i vërtetë është ai.
Përktheu dhe përshtati: mendimi.al
Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here