Histori me mjekë dhe Zyra Shtypi.

Nga Reila Bozdo

Ishte një ditë e zakonshme jave. Me rutinën e cdo dite, hyra online për të parë lajmet të cilave shpesh u referohem si “gjella e ditës”. Lajmi për arrestimin e disa mjekëve në qytetin verior të Shkodrës më bëri përshtypje për shkak të strukturës së shkrimit. Këta armiq të momentit, ishin publikuar në media me emra dhe mbiemra. I pari mendim ishte denigrimi social dhe profesional që do të vuanin ata sot edhe nëse një ditë do të shpalleshin të pafajshëm. Publikimi në media i identitetit të tyre të plotë, me shumë gjasa kishte si qëllim shkatërrimin e karrierës së tyre profesionale. Zyra e Shtypjes e kishte nxjerrë veten zbuluar në tekstin e lajmit të shpërndarë në altoparlantët e vet. Sot publiku do merrej me mjekët. Ata të vuajturit prej mjekëve në përgjithësi do të pëshpërisnin “c’ua paskan bërë mirë”, kolegët xhelozë të mjekëve do të heshtnin me sytë plot shkëlqim, ndonjë i interesuar për përfitime financiare do të fërkonte duart për një shans të ri…

Në kët’ vend, histori me mjekë ka plot. Ka histori me intriga, gabime, abuzime. Njësoj ka histori me mjekë plot humanizëm, shpirtgjerësi dhe sakrificë. Historitë e para promovohen nga Zyra e Shtypjes. Të dytat e gjejnë oksigjenin në bisedat mes njerëzve të thjeshtë dhe ndonjëherë mes njerëzve publikë që kanë patur eksperienca të mira. Si në cdo fushë profesionale, edhe këtu ka vend për profesionistë të dobët dhe të shkëlqyer. Nuk dua të komentoj rastin profesional të mjekëve sepse është një proces të cilin nuk e realizoj dot me njohuritë që kam. Por mundem të komentoj atë që lexoj në media si qytetar. Jo vetëm për mjekët, por edhe për shumë kontraste të tjera, vihet re se është e madhe konkurenca mes fjalës së thënë nga njerëzit e vërtetë dhe asaj që prodhon Zyra e Shtypjes.

Cirku vazhdon me masa anti-korrupsion që krijohen nga të korruptuar për të ofruar spektaklin e rradhës me ata që arsimohen dhe punojnë në një sektor i cili cdo minutë të ditës së punës i ka njeriut në dorë jetën në kuptimin e parë të fjalës.

Armiqtë e rradhës ishin disa mjekë. Armiqtë nuk ishin politikanë, nuk ishin trafikantë. Thjesht disa mjekë.
Presim zbardhjen e së vërtetës e cila fatmirëkeqësisht është bijë e kohës. Duhet durim.

/r.b.2018

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here