back to top
Thursday, June 25, 2026
31.2 C
Tirana

Top 5 E JAVËS

Artikuj të ngjashëm

The Washington Post: Protestat e Gjeneratës Z në Shqipëri po mundin një lider karizmatik në lojën e tij

Të armatosur me meme dhe një maskotë flamingo, të rinjtë shqiptarë e kanë lënë Kryeministrin Edi Rama pa fjalën e tij të fundit të zakonshme.

Kryeministri socialist nën presion i Shqipërisë, Edi Rama — i cili po përballet me një lëvizje proteste kundër qeverisjes së tij, e cila ka marrë vëmendje globale kryesisht sepse përfshin marrëveshje biznesi të familjes Trump — është padyshim lideri më i nxitur nga estetika dhe më i vetëdijshëm për imazhin në botë.

Qoftë duke veshur atlete të përditshme në samitet e NATO-s apo duke i kthyer panelet e konferencave në skena për shfaqje virale të stand-up komedisë, 61-vjeçari Rama dinte si të tërhiqte vëmendjen e mediave shumë kohë para se influencuesit të ktheheshin në një trend — dhe të fitonte pushtet nga të qenit një komunikues efektiv, ndonëse herë-herë ngacmues.

Prandaj duket plotësisht e përshtatshme që sfida më e madhe ndaj pushtetit 13-vjeçar të Ramës ka ardhur nga protestues të zgjuar dhe të sigurt të Gjeneratës Z (Gen Z), të cilët, duke përdorur meme të hiperprodhuara nga inteligjenca artificiale si armët e tyre estetike, kanë përmbysur me efikasitet talentet e shumta të kryeministrit — duke e zhvendosur atë në territorin e shprehjes “OK boomer”.

Një artist dhe piktor me profesion, Rama u ngjit në pushtet në fillim të viteve 2000 si kryebashkiak i kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, duke ushqyer imazhin e një “anti-politikani” ekscentrik, duke u bërtitur burokratëve dembelë para kamerave të mediave dhe duke rehabilituar fasadat e rrënuara komuniste të qytetit me vizatime shumëngjyrëshe. Ai promovoi filozofinë se arti në hapësirat publike mund të nxisë transformimin e komunitetit.

Si kryeministër, Rama i ka kushtuar një vëmendje të madhe transformimit jo vetëm të Tiranës dikur të zymtë, por edhe të bregdetit mesdhetar të Shqipërisë. Rrokaqiejt vezullues, resortet luksoze dhe hapësirat publike të modernizuara e të rigjallëruara e kanë kthyer një nga vendet më të varfra të Evropës në një pikë të nxehtë turistike, duke tërhequr njëkohësisht vëmendjen e arkitektëve dhe artistëve më të spikatur në botë.

Megjithatë, vetë të rinjtë shqiptarë kanë qenë më pak të impresionuar nga piktori i kthyer në politikan. Por përbuzja e tyre vihej re më shumë në statistikat e emigrimit sesa në protestat në rrugë. Deri tani. Ashtu siç Pranvera Arabe u shkaktua nga një video virale e një shitësi ambulant tunizian që i vuri flakën vetes, një incident i vetëm i çoi në pikën e vlimit frustrimet e grumbulluara prej kohësh të të rinjve shqiptarë.

Kur banorët vendas dhe ambjentalistët në fshatin bregdetar të Zvërnecit — vendi ku planifikohet një resort i ri turistik i lidhur me Jared Kushner, një fond nga Katari dhe oligarkë lokalë — protestuan kundër rrethimit të një plazhi publik pranë një zone natyrore të mbrojtur, dy oficerë të sigurisë private zvarritën njërin prej banorëve nëpër rërë ndërsa policia lokale bënte sehir. Zemërimi i publikut ishte i menjëhershëm.

Ajo që filloi si një protestë e izoluar në një fshat të largët u zhvendos shpejt në kryeqytet, duke u rritur aq shpejt saqë mediat kryesore (mainstream), të cilat kryesisht vetëcensurohen, nuk mund ta ndalnin më mbulimin e saj. Kanë kaluar gati katër javë dhe demonstratat tani ndodhin çdo ditë, me flamingon — shpend autokton në Shqipëri dhe i rrezikuar nga ndërtimi i resortit — si simbolin e tyre bashkues. Protestat janë sa të mbushura me zemërim — duke bërë thirrje për përmbysjen e të gjithë establishmentit politik dhe mediatik — aq edhe festive. Ashtu si në shumë kryengritje të tjera të Gen Z, solidariteti politik është përhapur përmes humorit dhe memeve. Një brez i shqiptarëve, më parë i heshtur, po ndjen një sens të ri dinjiteti dhe fuqie politike.

Mbulimi i mediave perëndimore i ka kornizuar ngushtë demonstratat sikur ato drejtohen vetëm kundër projektit të Kushnerit — një grep më i lehtë për t’u kapur nga lexuesit e tyre. Janë aktivizuar gjithashtu ferma autoritare botesh në rrjetet sociale, të cilat po e paraqesin rebelimin si një lëvizje kundër kolonializmit amerikan dhe izraelit.

Por ankesat e vërteta lidhen tërësisht me qeverisjen e brendshme. Dhjetëra mijëra shqiptarë të të gjitha rrymave ideologjike — liberalë, nacionalistë, ambjentalistë, marksistë, influencues të modës dhe madje edhe teoricienë të thekur konspirativë — po mblidhen çdo mbrëmje sepse ndihen të zhveshur nga të drejtat dhe të braktisur nga një elitë egoiste — përfshirë opozitën formale në parlament, Partinë Demokratike — e cila ka vite që po zhvat asetet publike përmes marrëveshjeve të errëta me interesat e ngushta. Fakti që resorti i Kushnerit mori dritën jeshile ishte thjesht shembulli më i fundit dhe më flagrant.

Rama është përpjekur të argumentojë se projektet e turizmit luksoz si ai i Kushnerit janë e ardhmja e ekonomisë. Por protestuesit nuk duan t’ia dinë. Shqipëria mbetet ende një vend i varfër dhe një model zhvillimi i bazuar rëndë te ndërtimi dhe turizmi ka pasuruar vetëm ata me lidhje të forta pranë pushtetit, duke i përjashtuar përmes çmimeve të larta votuesit e zakonshëm nga kënaqësitë e thjeshta të një pushimi veror në bregdet. Ç’është më e keqja, sektori i turizmit po përdor punëtorë migrantë të keqpaguar për të mbajtur kostot e ulëta, edhe ndërsa vetë shqiptarët emigrojnë drejt perëndimit në kërkim të një pune.

Korrupsioni i përhapur në qeverinë e Ramës është bërë gjithashtu i padurueshëm për qytetarët. Refuzimi i fundit i Ramës për t’i hequr imunitetin parlamentar ish-zëvendëskryeministres së tij, e cila po përballet me një aktakuzë, po krijon një pengesë të madhe në progresin e Shqipërisë në bisedimet e anëtarësimit në BE. Kjo shihet gjithashtu si një kërcënim më i gjerë për reformat popullore në fushën e sundimit të ligjit, të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat Rama deri vonë i kishte mbrojtur si të tijat.

Suksesi i protestave të Gjeneratës Z në mbarë botën ka qenë padyshim i përzier, dhe Shqipëria nuk ka zgjedhje deri në vitin 2029. Por këto demonstrata të veçanta kanë arritur një gjë të rëndësishme: Kanë goditur reputacionin e kryeministrit karizmatik si një njeri që arrin gjithmonë t’ia hedhë pa lagur përmes fjalëve. Përpjekjet e tij për t’i ironizuar pjesëmarrësit e protestës si influencues të shkëputur nga realiteti dhe për të përvetësuar simbolin e tyre duke veshur një bluzë me flamingo, në rastin më të mirë, kanë rënë në ujë.

Një brez në ngritje po e kupton se si ta mobilizojë pakënaqësinë publike në politikën elektorale. Dhe për herë të parë në karrierën e tij të gjatë, Rama duket i paaftë të thotë fjalën e fundit. Kjo gjë mund t’i kushtojë shtrenjtë.

Artikujt më të klikuar