IATA: Fluturimet do të jenë më të shtrenjta

Çmimi i biletave të linjës ajrore do të rritet “pa dyshim” me rritjen e kostove të karburantit, ka paralajmëruar një shef i industrisë ajrore.

Çmimet e naftës janë rritur ndërsa ekonomitë po rimëkëmben nga pandemia Covid, por dhe për shkak të luftës në Ukrainë.

Këto kosto do t’u kalohen konsumatorëve, tha Willie Walsh, drejtor i përgjithshëm i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA).

Pushuesit duhet të përgatiten që kostoja e fluturimeve të rritet, tha Walsh për programin e mëngjesit të së dielës në BBC.

Fluturimi do të jetë më i shtrenjtë për konsumatorët, pa dyshim“, tha ai, duke shtuar se “çmimi i lartë i naftës” do të “reflektohet në çmimet më të larta të biletave“.

Çmimet e naftës po rriteshin pasi kërkesa u rrit përsëri në ekonomitë që kishin filluar të rimëkëmbeshin nga pandemia Covid.

Pasojat nga lufta në Ukrainë i kanë rritur më tej çmimet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar një ndalim të plotë të importeve të naftës nga Rusia, ndërsa Mbretëria e Bashkuar do të ketë hequr dorë nga furnizimet ruse deri në fund të vitit.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë thënë se do të bllokojnë shumicën e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit 2022.

Kjo do të thotë se kërkesa për naftë nga prodhues të tjerë është rritur, duke çuar në çmime më të larta.

Zoti Walsh tha se çmimet e karburantit ishin në nivele rekord dhe se “nafta është elementi i vetëm më i madh i bazës së kostos së një linje ajrore“.

Burimi: BBC

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here