Kompozitori Klodian Qafoku me një krijim për dhimbjen

Kompozitori shqiptar Klodian Qafoku vjen tek publiku me një kompozim të ri.

Kësaj here ai vjen me një baladë për trio, violin, piano dhe violonçel të kompozuar si përkujtimore për të gjithë viktimat e Covid-19.

Remembrance – Muzika nga vetë tematika është muzikë dhimbje. “Dhimbja dhe gëzimi janë të dyja pjesë të përjetimit njerëzor”, shprehet Klodiani. “Janë ndjesi që çdo individ i përjeton në stade të ndryshme të jetës, kanë fillimin dhe fundin, lotin dhe buzëqeshjen, humbjen dhe triumfin. E rëndësishmë është që nëpërmjet këtyre përjetimeve pësojmë transformimin, atë që na bën të kuptojmë të jetuarit çdo sekondë, duke dhënë e duke marrë dashuri.”

Pjesa fillon më nota vaji dhe lëndimi nëpërmjet pianos, e qetë dhe sensuale, e shoqëruar më pas nga tingujt e violinës dhe violonçelit si dy zëra që këndojnë historitë e tyre. Të bën të mendosh e kujtosh çfarë kaluam dhe sa e shtrenjtë është jeta për këdo. Pjesa arrin shpejt kulmin e saj dhe brenda ndjehet shpresa dhe guximi për ta mbërthyer jetën dhe mbyllet bukur sërish në qetësinë e fillimit.

Kompozitori vetë përjetoi humbjen e xhaxhait e tij para pak muajsh si rrjedhojë e virusit dhe pjesa është kompozuar direkt pas kësaj ngjarjeje. Balada u luajt nga Fatos Bardulla në violin, Gëzim Belegu në violonçel dhe Ardita Bufaj në piano.

“Të frymosh çdo sekondë me idenë se jeta është e bukur dhe duhet jetuar duke u zhytur në thellësinë e bukurisë së saj” është mesazhi që përcjell kompozitori nëpërmjet kësaj pjese.

Klodian Qafoku është autor këngësh shumë i njohur. I diplomuar për kompozicion në vitin 2003. I vlerësuar në krijimtarinë e tij muzikore, si në festivale të ndryshme të këngës, bashkëpunime me këngëtarë të muzikës së lehtë dhe popullore apo dhe me kontribut në Teatrin e Operës dhe Baletit me veprën etnomuzikalin “Rituali i Jetës”. Qafoku ka një gamë të gjerë të krijimeve të këngës për fëmijë në shumë festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, i vlerësuar me shumë çmime. Si kompozitor ka përfaqësuar Shqipërinë dy herë në Festivalin Europian të Këngës në vitin 2006 dhe 2016.
Në studion e tij të produksionit ka arritje të veçantë në orkestracionet, regjistrimet, miksazhet dhe masterizimet e shumë produkteve muzikore shqiptare. Aktualisht punon në RTSH si producent i regjistrimeve të Orkestrës Simfonike.

Balada është hedhur në kanalin e Youtube REMEMBRANCE – Klodian Qafoku – YouTube./mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here