Shqipëria renditet ndër vendet me cilësinë më të ulët të arsimit të lartë në Evropë dhe Azinë Qendrore, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore “Greater Heights, Growing to High Income in Europe and Central Asia”. Sipas këtij raporti, nëse nuk ndërmerren masa urgjente për përmirësimin e sistemit arsimor, Shqipëria nuk do të arrijë të bëhet vend me të ardhura të larta për të paktën dy breza.
Raporti ngre alarmin për rënien e vazhdueshme të cilësisë në arsimin e mesëm dhe të lartë, ku rezultatet në testime ndërkombëtare si PISA kanë shënuar përkeqësim, veçanërisht në lëndën e matematikës. Kjo rënie përkthehet në humbjen e një viti të tërë shkollimi për nxënësit shqiptarë gjatë një dekade. Edhe pse gjithnjë e më shumë të rinj po ndjekin arsimin e lartë, kjo nuk shoqërohet me cilësi, duke e kthyer diplomën universitare në një letër pa vlerë reale.
Një tjetër problem i theksuar është neglizhenca ndaj arsimit profesional. Vetëm 17% e nxënësve në Shqipëri ndjekin këtë rrugë, ndryshe nga mesatarja rajonale që arrin në 45%, apo 80% në disa vende. Kjo do të thotë se tregu i punës po mbetet pa fuqi punëtore të kualifikuar dhe pa lidhje efektive mes shkollës dhe industrisë.
Raporti identifikon një sërë faktorësh që kanë dëmtuar cilësinë e arsimit të lartë si: kapja politike e universiteteve, mungesa e fondeve për kërkimin shkencor, kurrikulat e vjetra, mungesa e laboratorëve dhe qendrave kërkimore, si dhe shpërndarja e tepruar e institucioneve të arsimit të lartë që e dobëson cilësinë e mësimdhënies.
Banka Botërore rekomandon masa të menjëhershme, si përmirësimi i arsimit fillor dhe të mesëm, reforma në arsimin profesional, forcimi i lidhjes midis universiteteve dhe industrisë, konsolidimi i institucioneve të arsimit të lartë dhe nxitja e përfshirjes së grave në tregun e punës.
Pa një ndërhyrje të thellë dhe strategjike, Shqipëria rrezikon të mbetet në vendnumëro dhe të humbasë mundësinë për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Arsimi është kyç për të ardhmen e vendit dhe tani është koha e duhur për veprim.