Çmimet e vezëve në Shtetet e Bashkuara janë rritur me mbi 15% brenda një muaji, duke ndihmuar në rritjen e inflacionit më shumë sesa pritej. Rafte bosh të vezëve janë shfaqur në dyqanet ushqimore, siç ishte rasti në Whole Foods në Chicago të martën.
Krizë që po përkeqësohet
Kriza amerikane e vezëve po përshkallëzohet. Gripit të shpendëve i ka kushtuar industrisë miliona pula në periudhën e fundit, duke shkaktuar një rritje të ndjeshme të çmimeve. Sipas një raporti të Byrosë së Statistikave të Punës në SHBA, çmimi i vezëve u rrit me 15% vetëm në janar krahasuar me muajin e kaluar, duke shënuar rritjen më të madhe që nga viti 2015 dhe 55% krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje kontribuoi në inflacionin e përgjithshëm, që u rrit me normën më të lartë që nga gushti i vitit 2023.
Për konsumatorët amerikanë, kjo situatë e bën edhe më të vështirë përballimin e kostove të larta të ushqimeve, karburantit dhe produkteve të tjera bazike. Dyqane ushqimore nga New York-u në Chicago dhe Los Angeles tashmë kanë vendosur kufizime në blerjet e vezëve, ndërsa zinxhiri i restoranteve Waffle House ka shtuar një tarifë shtesë prej 50 centësh për vezë, si masë për të përballuar rritjen e kostove.
Efektet e krizës në bizneset e ushqimit
Elizabeth Renter, ekonomiste pranë NerdWallet, thekson se kriza nuk prek vetëm konsumatorët e zakonshëm, por edhe restorantet dhe bizneset që varen nga vezët për prodhimin e ushqimeve.
“Ne pamë javën e kaluar që Waffle House, një nga ikonat e ushqimeve të lira, u detyrua të shtojë një tarifë për vezët për të përballuar ndikimin e gripit të shpendëve“, tha ajo.
Çmimet e vezëve janë thyer rekord pas rekordi muajt e fundit, me një duzinë që ka arritur mesatarisht 7.34 dollarë kombëtarisht deri më 7 shkurt, sipas Departamentit të Bujqësisë së SHBA. Ky është një rritje prej 10% nga java e kaluar dhe përfaqëson një rekord të ri historik.
Shkaku i krizës dhe reagimi i qeverisë
Sipas United Egg Producers, mbi 100 milionë pula kanë humbur si pasojë e shpërthimit të gripit të shpendëve që prej vitit 2022. Kjo ka shkaktuar mungesa që kanë detyruar dyqane si Trader Joe’s dhe Costco të kufizojnë blerjet në vetëm një, dy ose tre paketa vezësh për konsumator.
Administrata Trump po punon në një plan për të adresuar krizën e gripit të shpendëve, sipas Kevin Hassett, drejtor i Këshillit Kombëtar Ekonomik të Shtëpisë së Bardhë.
Inflacioni i përgjithshëm u rrit me 0.5% vetëm në janar, treguan të dhënat e Byrosë së Statistikave të Punës.
Andy Harig, nënpresident i Shoqatës së Industrisë Ushqimore, paralajmëroi se sfidat e zinxhirit të furnizimit mund të ndikojnë në vazhdimin e rritjes së çmimeve ushqimore në të ardhmen.
“Ndikimi i zjarreve në perëndim, moti i ftohtë në veri dhe shpërthimi i vazhdueshëm i gripit të shpendëve janë faktorë që duhen mbajtur në vëzhgim gjatë muajve të ardhshëm“, tha ai. “Gjithashtu, mbetet për t’u parë sesi tarifat e mundshme mund të ndikojnë në çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera të shëpisë.”