Në një komunikatë për shtyp në rrjetet sociale, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, bëri me dije modelin e ri të lejes së qarkullimit për automjetet.
Ja disa avantazhe të lejes së re sipas DPSHTRR:
- Sot paguhet 3,500 lekë për lejen aktuale, çertifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit! Leja e re që unifikon dokumentat e mjetit në 1 do kushtojë vetëm 2,100 lekë, -40%!
- Leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, pra nuk do bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale!
- Leja e re nuk ka afat vlefshmërie!
- Leja e re përfshin të dhëna sipas kodeve të BE, datë regjistrimi për herë të parë, vit prodhimi, qiramarrës, etj!
- Leja e re unifikon të dhënat dhe eliminon Çertifikatën e Pronësisë së Mjetit!
- Leja e re nuk dëmtohet nga lagështia ose palosjet, nuk griset si leja aktuale!
- Leja e re përmban elementet e sigurisë si: watermark – logo identifikuese në brumin e letrës speciale që dallohet vetëm nëse shikohet përmes dritës; fluorescent fibres – fije fluoreshente që dallohen vetëm me rreze ultraviolet; fluorescent imprints – logo identifikuese e dallueshme vetëm me rreze ultraviolet; hologramë – stampë e shndërritshme e integruar në materialin e letrës nga prodhuesi me dizajn të personalizuar!
- Leja e re do ketë edhe kod QR drejtpërdrejt nga sistemi eDPSHTRR, mikrotekst, vizatim e grafika që ndryshojnë ngjyrën në këndvështrime të ndryshme drite, etj!
- Personalizimi me puntim!
- Cilësia dhe vetitë e letrës së lejes së re do të jenë speciale, e njëjtë me dokumentet e qarkullimit gjermane! Zvogëlohet në maksimum mundësia e manipulimit të të dhënave, për pasojë garantohet besueshmëria në qarkullim për çdo verifikim nga autoritetet brenda/jashtë vendit!
- Leja e re do jetë më e vogël, me tre pjesë, më praktike e rezistente, si edhe me çdo të dhënë të mjetit, të kodifikuar!
- Leja e re, falë cilësisë, sigurisë dhe përputhshmërisë me Direktivën 1999/37/EC e 29 Prillit 1999 (e përditësuar, 2014), eliminon nevojën për Leje Ndërkombëtare Mjeti! Qytetari lehtësohet nga kosto e angari që përsëritej çdo tre vjet!
SQARIM:
- Leja e re do të jepet për veprimet e reja me mjetin! Leja e re NUK do të jetë e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit!
- Kjo leje do të jetë e mundur pranë sporteleve të Drejtorive Rajonale.