Louis Vuitton rrit çmimet në mbarë botën për shkak të rritjes së kostove dhe inflacionit

Louis Vuitton, marka kryesore e modës në perandorinë e luksit LVMH, njoftoi se po rrit çmimet këtë javë në përgjigje të rritjes së kostove të prodhimit dhe inflacionit global, një vendim që do të ndikojë në koston e produkteve të lëkurës, aksesorëve dhe aromave të Louis Vuitton në mbarë botën.

“Vendosja e çmimit ndikohet nga ndryshimet në kostot e prodhimit, lëndët e para, transporti, si dhe inflacionin”, tha Louis Vuitton në një deklaratë për Reuters.

Marka më e madhe e luksit në botë i bashkohet shtëpive të tjera të shquara të modës – duke përfshirë Hermès dhe Chanel – që kanë rritur çmimet që nga fillimi i pandemisë për të mbrojtur marzhet nga inflacioni.

Në vitin 2020, koronavirusi i detyroi kompanitë të ndalonin prodhimin për një pjesë të madhe të vitit, duke shkaktuar vonesa në mbarë botën, ndërprerjet e të cilave vazhdojnë të shkatërrojnë sistemin e zinxhirit të furnizimit në një shkallë të paprecedentë globale.

Ndërkohë, konsumatorët kanë mbetur të bllokuar në shtëpi, duke grumbulluar kursime. Shpenzimet diskrecionale që normalisht do të shkonin për udhëtime ose shërbime u drejtuan përfundimisht drejt mallrave luksoze, veçanërisht pjesëve të investimeve afatgjata të tilla si një çantë lëkure e koleksionueshme Louis Vuitton.

Në fakt, LVMH pati një vit rekord në 2021, duke raportuar të ardhura prej 64.2 miliardë euro (71.5 miliardë dollarë), një rritje prej 44% krahasuar me vitin 2020. Divizioni i saj i modës dhe produkteve prej lëkure—i cili, përveç Louis Vuitton, përfshin Dior, Fendi, Celine dhe Loewe – gjithashtu arritën nivele rekord. Falë një tremujori të katërt të fortë, të ardhurat organike për vitin 2021 nga moda dhe produktet prej lëkure u rritën 42% nga nivelet para pandemisë në 2019 në 30.8 miliardë euro (34.8 miliardë dollarë).

Ndërsa marka të tilla si Chanel rritën çmimin e disa prej çantave të tyre klasike tre herë vitin e kaluar, kryetari dhe CEO i LVMH Bernard Arnault besonte se markat luksoze duhet të jenë të vetëdijshme për kufijtë e tyre.

Në mbledhjen që u zhvillua muajin e kaluar për të folur rreth të ardhurave të vitit 2021, miliarderi 72-vjeçar tha se kërkesa për mallra luksoze do të mbetet e qëndrueshme këtë vit, por paralajmëroi se markat duhet të kenë një qasje strategjike ndaj mjedisit inflacionist. Kur u pyet për rritjen e pritshme të çmimeve këtë vit, Arnault u përgjigj: “Duhet të qëndrojmë të arsyeshëm”.

Lajmet për rritjen e çmimeve në Louis Vuitton bëri që çmimet e aksioneve të LVMH të rriten me 3.58% të martën, duke arritur një nivel maksimal prej 694 dollarësh.

Burimi: Forbes

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here