Në fjalën e tij të parë në parlament, kryetari i Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha, ka përmbledhur disa qëndrime.
Lidhur me programin e qeverisë Rama 2, ai është shprehur:
“Fletushka e programit të Qeverisë Ramadysh 2017-2021 ka vetëm 25 faqe, nga të cilat 7 faqe ose 30 për qind e dokumentit janë kopertina titujsh, tre faqe i përkasin përshkrimit të arritjeve të qeverisë Ramanjësh dhe vetëm 15 faqe programit të qeverisë, gjysmën e të cilave e zënë titujt e mëdhenj.
Pas gjithë këtyre arritjeve famëkeqe, dhe pas sigurimit të një mandati të ri me anë të manipulimit të zgjedhjeve, Ramadyshi ka paraqitur programin qeverisës 2017-2021.
Në fakt nuk është program. Eshtë një dokument pa asnjë përmbajtje, pa asnjë analizë apo argumentim. Eshtë një dokument thjesht i fryrë më fjalë bombastike teknike dhe objektiva të përgjithshme dhe fraza të marra nga Google search. Në fakt, program me google search do ishte përshkrimi më i mirë i tij. Në të, lexon banalitete të tilla si “rritje ekonomike inteligjente”, apo “integrim europian cilësor”, apo “diplomaci dixhitale”, “luftim të papunësisë me startupe”, apo vendosjen e prioritetit tek energjia e rinovueshme kur në fakt Shqipëria ka gjithë historinë e saj që prodhon gjithë energjinë e saj nga burime të rinovueshme, nga hidrocentralet.”