Analisti Lutfi Dervishi ka reaguar në lidhje me ndarjen e parakohshme nga jeta të Gerti Bogdanit për shkak të një arresti kardiak, duke na kujtuar edhe njëherë sa e shkurtër është jeta, dhe se sot jemi, e nesër mund të mos jemi.
Ndërrimi i jetës së Gerti Bogdani na kujton papërsosmërinë dhe përkohshmërinë e jetës. Ndërsa rrekemi në rrugën tonë, shpesh të kapur nga rutina e përditshme, arresti kardiak i Bogdanit përveç shokimit ngre pyetjen e vjetër sa bota: Çfarë kuptimi ka jeta kur është kaq e shkurtër? A ja vlen gjithë ky mundim, tension, stres, për të arritur “objektivat” që i ke vënë vetes?
Gerti Bogdani ishte një njeri i angazhuar, një personalitet publik që nisi një karrierë të pasur në politikë në moshë shumë të re. I arsimuar në SHBA, drejtues në pushtetin lokal, drejtues i Forumit Rinor ne PD, e deri te karriera si një deputet i respektuar, ai duket se e kishte gjetur kuptimin e jetës tek shërbimi publik.
Por, ndarja e parakohshme e Gertit tregon se pavarësisht sa shumë përpiqemi, asnjëri prej nesh nuk ka kontroll mbi kohën që i është dhënë. Hebrenjtë thonë se nëse do ta bësh Zotin të qeshë, tregoji se çfarë planesh ke për të ardhmen.
Bogdani, një i ri që e hasje gjithmonë me buzën në gaz, dukej se ditët më të mira i kishte përpara. Por ndarja e beftë na kujton që jeta nuk varet vetëm nga planet dhe ambiciet tona.
Ikja e parakohshme e Bogdanit, përtej dhimbjes së madhe për familjarët dhe miqtë, është një zile alarmi për këdo, e veçanërisht për njerëzit e angazhuar në sherbimin publik.
Ky moment na kujton një të vërtetë universale, të pranuar në librat e shenjte si në Kuran ashtu edhe në Bibël.
“Pasha kohën! Me të vërtetë njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, dhe që këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën dhe për durimin (Kuran, 103:1-3).
Në Bibël, Predikuesi 3:1-2 thotë:
“Gjithçka ka kohën e vet dhe çdo gjë nën qiell ka momentin e vet. Ka kohë për të lindur dhe kohë për të vdekur, kohë për të mbjellë dhe kohë për të korrur.”
Shkrimet e shenjta, kuptimin e jetës e shtrijnë përtej objektivave materiale!
Kuptimi i jetës është një nga pyetjet më të vjetra dhe më të thella që njerëzimi ka shtruar ndër shekuj. Greket e lashtë e shoshiten gjatë pyetjen dhe arriten në përgjigjen: “kërko lumturinë”
Mësimi nga shkrimet e shenjta dhe urtësitë e lashta është i qartë: kuptimi i jetës nuk është thjesht ajo që duam/arrijmë, por tek fjala e mire, mirësia dhe emri i mirë që lëmë pas.
Gerti Bogdani do të mbahet mend si njeriu që asnjeherë nuk foli një “fjalë të keqe”
Një frymë larg e ka njeriu vdekjen, por harron…