Mesazh për mësuesit

Mbrëmë më duhet të bëja një urim për mësuesit dhe lexova një thënie të Mustafa Kemal Ataturkut, e cila më ngeli në mendje.

Një mësues i mirë është si qiriu; ai ‘konsumon’ veten për të ndriçuar rrugën e të tjerëve.

Dhe mendova sa mësues të mirë e të përkushtuar kam njohur tërë jetën. Mësues që e donin dijen dhe na bënin dhe neve ta donim. Mësues që shpjegonin plot pasion dhe na bënin të ëndërronim.

Ndaj sot ju themi: Faleminderit!

Faleminderit të dashur mësues për punën tuaj.
Faleminderit që edukoni breza të tërë e shpërndani dije.
Faleminderit që na bëni të luftojmë për ëndrrat dhe ambiciet tona.
Fjalët nuk mjaftojnë për mundin dhe sakrificat tuaja dhe as një ditë në vit nuk mjafton për t’ju falenderuar.

Por kohët e fundit jemi hasur me lajme të tmerrshme: Mësues dhunues e bullizues, por edhe nxënës të paedukuar, që ofendojnë dhe prishin orën e mësimit për tu bërë viralë në TikTok.

Është e vërtetë që të paktën një herë në jetë kemi takuar mësues të egër, të cilët dikur nuk e kishin fare problem të të preknin me dorë se përse nuk kishe mësuar, dhe që ta bënin lëndën ferr, sa edhe sot nuk e duron dot. Por duhet ta pranojmë që edhe brezat e nxënësve të sotëm janë të pasjellshëm dhe pa dëshirë për të mësuar. Megjithatë, kjo nuk ju heq të drejtën për të gëzuar.

Ndaj, gëzohuni ju që dini të edukoni!
Edhe juve që ju mban nëna parti në punë.
Edhe ju që terrorizoni fëmijët, gëzoni sot.
Gëzoni dhe ju që as që ia keni haberin pse jeni aty ku jeni.
Gëzoni se një ditë në vit keni.

Gëzuar 7 Marsin!

P.S Shpresojmë që dashuria për dijen mos të zbehet kurrë dhe se ditë më të mira do vijnë. Si për mësuesit, ku të mund të gjejnë nxënës të përkushtuar në bangat e shkollës, dhe t’i lënë problemet e tyre në shtëpi, pa ua nxjerrë nxënësve inatin; ashtu edhe për nxënësit, që të fillojnë të mbijetojnë në orët e mësimit pa TikTok dhe të ndjejnë dashuri për dijen.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here