Misteret Masone dhe gratë.

Më 1770, një lajmërim i çuditshëm ishte publikuar në të përjavëshmen angleze të asaj kohe “Newcastle Weekly Chronicle”. Bëhej fjalë për një tavernë, e cila shërbente si pikë takimi e vëllazërive të fshehta masone. E zonja e tavernës, e shtyrë nga kurioziteti se çfarë praktikonin në fshehtësi ky grup i madh zotërinjsh, përmes një pike vrojtimi të fshehtë, kish zbuluar ritualet misterioze. Në lajmërimin e shkurtër në gazetë, ajo zotohej se kundrejt një pagese modeste, mund t’i rrëfente sekretin çdo gruaje të interesuar rreth masonerisë. Lulëzimi i kulturës masone në shekullin e 18, përhapja e lozhave të fshehta, nxiste padyshim një forcë tërheqëse të madhe për gratë e asaj kohe, të cilat përmes statutit të masonerisë (1723 i shkruar nga Anderson), ndaloheshin rreptësisht të ishin pjesë e këtij urdhri. Në të shkruhej qartësisht se: Personat që pranohen si anëtarë të një lozhe duhet të jenë njerëz të mirë dhe të sinqertë, të vendosur dhe në një moshë të pjekur, jo gra, jo imoral dhe spekulantë por vetëm njerëz me emër e reputacion. Më shekullin e 19, disa lozha angleze e përforcuan më tej këtë paragraf duke përjashtuar sërish gratë, skllevërit dhe të lindurit të gjymtuar. Mos vallë kjo pjesë e statutit binte ndesh pikërisht me disa nga shtyllat e filozofisë masone, barazinë, humanizmin, drejtësia?

Pavarësisht qëndrimit kategorik, gojëdhënat rrëfejnë një të vërtetë tjetër. Shumë nga seksi i kundërt u anëtarësuan që në këtë periudhë në lozha pasi, me ose pa dashje, ato ishin bërë dëshmitare të ritualeve të fshehta. Për të ruajtur zotimin e heshtjes, masonët shkelnin statutin duke i konsideruar si “dama masone”. Kështu vajzat dhe gratë mund të heshtnin deri në frymën e fundit. Një ndër versionet më të besueshme është historia e Elizabeth St. Leger, e bija e një fisniku anglez të kohës. Shtatëmbëdhjetë vjeçarja kish dremitur në bibliotekën e të atit teksa dëgjoi zhurmë nga dhoma ngjitur. Në të po zhvillohej mbledhja e një lozhe. E mitura kish filluar të përgjonte gjithë kureshtje. “Rojtarët” e lozhës, pasi e diktuan, kërkuan të inatosur ndëshkimin me vdekje, dënim i cili merret në rastin e përgjimit të mbledhjeve të fshehta të lozhave. Megjithatë u vendos një zgjidhje më humane. Elizabeth u njoh si një “damë masone” me detyrimin për të mbajtur sekret çdo gjë. Një fakt tjetër historik i grave në masoneri është kontesha hungareze Barkoczy, e cila pas vdekjes së të atit, në mungesë të një trashëgimtari mashkull, fitoi të gjithë të drejtat që gëzonte një zotëri. Nën këtë status u bë pjesë e lozhës “Grand Orient” të Hungarisë. Pavarësisht përpjekjeve, siç shkruan dhe një mason i kohës: “Zemrat janë të hapura për zonjat, por jo lozhat”. Po përse gjithë ky paragjykim në një vëllazëri ku trumpetohej një ndër vlerat më të larta, barazia?

Një argument i kohës ishte natyra e punës së lozhave. Masonet i trembeshin faktit se ndoshta hiret e një gruaje mund t’i shtynin që të humbisnin fokusin e projektimit të një bote të re humane. Një arsyetim tjetër edhe më diskriminues ishte pohimi se gratë janë një qenie më pak e përkushtuar në aspektin intelektual, e për pasojë jo të përgatitura për një ritual të tillë. Herder, filozofi i madh gjerman, po kështu anëtar i masonerisë, theksonte se gratë janë nga natyra masone të lindura. Ato përpiqen vazhdimisht të ndërtojnë dhe përmirësojnë shoqërinë. Ato s’mund të mendojnë në një skemë të mbyllur. Kanë shumë fantazi, mëshirë dhe udhëhiqen gjithnjë nga një forcë pozitive.

Pavarësisht justifikimeve dashamirëse të Herderit, gratë dukeshin se nuk ishin të kënaqura nga mbyllja e portave. Të etura për të zbuluar sekretin që ruhej me aq fanatizëm, ato filluan të gjenin mënyra për t’u infiltruar në ritualet misterioze. Shumë prej tyre u përpoqën të kompromentonin “rojtarët e lozhave”. Të tjera guxuan më tej duke u maskuar si burra. Një ndër to ishte dhe kajzerja Maria Tereza, e cila nën petkun e një zotërie, penetroi në lozhën e të shoqit, kaizerit Franc. Rastet e tilla ishin aq të shumta, saqë u kthyen në fabulat kryesore të teatrove e komedive të kohës.

Duke ju referuar ritualeve të këtij urdhri, të cilat i gjejnë rrënjët në mitet greke, testamentin e vjetër, duket se masonët kanë fshehur një sërë të vërtetash për të mbajtur larg faktorin grua. Meqenë se ritualet janë një paralelizëm i legjendës egjiptiane të Isis dhe Osiris, është me vlerë rrëfimi i shkurtër i saj. Osiris, i cili mbretëronte me sukses në Egjiptin e lashtë u tradhëtua nga i vëllai Seth. Në fshehtësi, ai ndërtoi një kuti prej druri ekzaktësisht me përmasat e Osiris. Në një darkë me 72 burra, Seth propozoi të luanin një lojë se kush përshtatej më mirë me madhësinë e kutisë. Pasi Osiris e provoi, burrat e mbyllën me shpejtësi, e ballsamosën dhe e hodhën në Nil. E tronditur gruaja e tij Isis filloi të endej për të gjetur të shoqin. Pas gjetjes së mumjes e organeve ajo rikonstruktoi trupin e tij dhe përmes magjisë e rizgjoi në jetë. Pikërisht momenti i rizgjimit në një jetë të re nga magjia e një gruaje dukej se nuk kish më vend në këtë ritual të vjetër të huazuar. Masonët e asaj kohe pretendonin se gratë nuk kishin qenë kurrë pjesë e magjive dhe jetës së shenjtë. Për këtë arsye u ishte mohuar maja e pushtetit deri në kohën e Ptolomeut. Duket se urdhri kishte neglizhuar padashur dy romanët antikë, të cilët botoheshin dhe kopjoheshin pa reshtur në kohën e tyre, e që dëshmonin për ekzistencën e priftëreshave jo vetëm në Egjiptin dhe Greqinë e lashtë. Me ç’dukej jeta shpirtërore dhe e shenjtë nuk kish qenë vetëm monopol i burrave.

Sikundër dhe në shumë sfera të tjera, ishte Franca që theu akullin e perceptimit të një dame në lozhat masone. Vendi i filozofëve iluminist, filloi të kundërshtonte këtë këndvështrim të masonerisë ndaj gruas që në kohën e Luigjit të 15. Mendimtarët e mëdhenj dhe themeluesit e kohës moderne, Monteskje, Didero, Volteri, shkruan pjesë teatrale dhe esse, të cilat propagandonin rishikimin e figurës së gruas dhe edukimin intelektual të saj. Nënvlerësimi i gruas nuk bazohej në asnjë fondament shkencor. Frekuentimi i salloneve të Parisit të asokohe nga shkrimtare, filozofe dhe intelektuale të tjera të kohës ishte një dëshmi e gjallë që hidhte poshtë këtë absurditet. Shpejt u gjet një zgjidhje. Në vitet 30 të shekullit të 18. u formuan lozha masone, të cilat lejonin pjesëmarrjen e grave. Madje në këtë kohë krijuan dhe një urdhër tërësisht femëror, pjesë e së cilit ishte dhe Maria Antoneta. Ky ridimensionim i gruas u përhap dhe në vendet e tjera të Evropës. Një fanatike e betuar mbeti lozha londineze, e cila edhe sot është një urdhër tërësisht mashkullor.

Aktualisht është e vështirë të gjesh një shifër të saktë të lozhave masone femërore në të gjithë botën. Megjithatë ndër më të njohurat janë Alpina (Zvicër), Grand Orient ( Francë). Të dhënat tregojnë se ka një trend të rritjes së motrave masone. Nga tre lozha që numëroheshin në fillim vitet 90, sot ekzistojnë 19 të tilla vetëm në Gjermani. Përsa i përket ritualeve dhe thelbit të filozofisë së tyre, mbeten të njëjta sikurse në çdo vëllazëri masone. Përmirësimi i vazhdueshëm i vetes dhe shoqërisë. Legjendat urbane rrëfejnë se edhe Merkel dhe Klinton i përkasin një urdhri të tillë. Vetë ato kanë heshtur deri më tani duke e lënë në mister kureshtjen e çdo qytetari të thjeshtë. /E.A. www.mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here